~ Zonja Z ~

T’i duash deri në urrejtje

(shënim i Zonjës Z)

 

Mbrëmë the se dëshiron të dish çfarë mendoj për meshkujt që kam njohur.

Pata përshtypjen se prapa kësaj pyetjeje fshihej dëshira jote për të kuptuar pse kam pasur shumë partnerë në jetën time? Nuk është se kjo më habit, sepse këtë pyetje ma bëjnë shumë veta, por do të më habiste nëse edhe ti do të më gjykoje për këtë. Më duket se as ti nuk po i shpëton dot ethes së rrëmimit në jetën e tjetrit.

Në këtë rreth tonin, të vogël e të mbingarkuar me paragjykime dhe tradita shterpe, qoftë edhe vetëm dy meshkuj konsiderohen shumë.

Në fillim, atëherë kur sapo kisha filluar akademinë e arteve, pak e shtyrë nga kureshtja dhe pak nga dëshira që të tregohesha e rritur, mendova të shkoja me këdo që më eksitonte – diçka që ju meshkujt e bëni tërë kohën. Por, sado që e kam ndier tundimin të sillesha si një mashkull, jam lëshuar vetëm në krahët e atyre që kam menduar se mund të më jepnin diçka, pasi e kisha të pamundur të imitoja harbutërinë e një mashkulli.  Nuk do të flas me numra, sepse në fund të fundit jeni ju meshkujt që mbani evidencë dhe numrat i përdorni për të mburrur burrërinë tuaj. Të paralajmëroj se diplomacia asnjëherë nuk ka qenë një nga pikat e mia të forta, kështu që mund të të dukem e ashpër.

Të them të vërtetën, habitem se si ka ardhur puna që sot botën ta sundojnë meshkujt. Mos më keqkupto! Nuk kam qëllim t’i shaj meshkujt. Dua vetëm të tregohem e sinqertë për çfarë është e dukshme kilometra larg.

Një pjesë e meshkujve janë qenie shumë të parashikueshme. Kjo kategori burrash, gjysmë fëmijë, nuk ka prirje për intrigë dhe as durimin e duhur që gjërave t’u shkojë deri në fund. E gjithë bota e tyre ndërtohet rreth projeksionit të një force të vrazhdë, që vetëm nga jashtë duket e fuqishme. Pavarësisht dekorit, vrazhdësisë dhe projeksionit të fuqisë, në të vërtetë kjo botë mashkullore është e parashikueshme dhe si rrjedhojë është e brishtë. Këta janë ata që thonë “Femra e ka futur djallin në shishe”, sa herë ballafaqohen me një femër të fortë. E mua më vjen t’u përgjigjem buzagaz: “Edhe djalli është mashkull, përndryshe nuk do të ishte aq naiv sa të lejonte që dikush ta fuste në shishe.”

Këta janë po ata që herë pas here projektojnë imazhin e dikujt që është sipërfaqësor. Përballë një femre të bukur, pa një pa dy, këta fishkëllejnë dhe thonë: “Uuuu, çfarë pidhi!”. Qëllimshëm, që ta reduktojnë qenien e saj shpirtërore dhe fizike në një organ të vetëm. A të ka rastisur ndonjëherë ta dëgjosh një femër duke thënë: “Uuuu, çfarë kari!” Nëse ndodh, me siguri tipi të cilit i referohen është trap në katror.

Këta që bëjnë kështu, që vrazhdësinë e kanë recetën e tyre të preferuar, mendojnë se me fjalët dhe gjestet e tyre të pista e joshin një femër. Çfarë paradoksi! Duhet të jesh idiot i madh që të besosh se kështu bëhesh më joshës. Këta, edhe sikur të duan, nuk janë të aftë ta kuptojnë një femër.

A do të ma zësh për të madhe pse i përdora ato fjalë? Ndoshta edhe ti, si mashkull shqiptar që je, mund të më kritikosh pse përdora po të njëjtat që ju i përdorni tërë kohën. Hipokrizia juaj nuk përfundon me kaq, sepse jeni vetë ju meshkujt shqiptarë, burrërorë, krenarë dhe të gjithëdijshëm që tre fjalët më të njohura dhe më të përdorshme i keni fshirë edhe nga fjalori i gjuhës shqipe. Nëse nuk më beson shfleto fjalorin e drejtshkrimit të vitit 1972 dhe kërkoji. Nuk do t’i gjesh!

Sipas fjalorit zyrtar të shqipes, këto fjalë nuk ekzistojnë. Ndonëse i përdorin të gjithë.. Ky është treguesi më i madh i pasigurisë së mashkullit shqiptar. Bijtë e këtij morali të rremë zhyhen sot nëpër rrugët e Tiranës duke trembur gratë, të mëdha e të vogla, e duke u fshehur prapa ideve shterpe të turpit dhe tabuve.

Ndërkohë, askush nuk bën as përpjekjen më të vogël që të korrigjohet kjo hipokrizi. Apo ndoshta i vetmi mashkull me dinjitet në këtë vend është Tupja[1] i shkretë që hoqi të zinë e dhesë duke e punuar fjalorin e tij të famshëm erotik.

Disa meshkuj të tjerë nuk dinë si t’i qasen zemrës së një femre.

Ky lloj mashkulli rreket të të futet në zemër me detyrim, thuajse ia ke borxh dhe patjetër duhet t’i bindesh. Zemra e askujt, por sidomos zemra e një femre, nuk hapet si një kasafortë. Nuk mjafton të kesh çelësin apo të dish fjalëkalimin. Një femre mund t’i futesh në shtrat, por nuk do të thotë se ia ke fituar zemrën. Një shans e ka vetëm ai që e di se një femër nuk është në kërkim të një hamshori, por në kërkim të një mashkulli që do të dijë t’i futet edhe në ëndrra, përveçse në shtrat.

Shumë meshkuj shqiptarë, të çfarëdolloj kategorie, halabakë e intelektualë, të bukur e të shëmtuar, artistë e shpirtshterpë, të pasur e të varfër, duhet të kuptojnë se e kanë të domosdoshme mësimin e gjuhës së zemrës. Duhet të dinë të komunikojnë me këtë gjuhë, sidomos kur partnerja është e zhgënjyer dhe nuk beson më në dashuri. Një femër që e ka humbur besimin te dashuria është si dikush që ka qëndruar shumë gjatë në errësirë prandaj me shumë kujdes duhet ta bindim të dalë në dritë.

Një femër e lënduar nga dashuria mund të shërohet vetëm nga dashuria. Kjo është formula dhe nuk ka tjetër, sepse dashuria është i vetmi ilaç kundër frikës dhe dhimbjes.  Këtë mund ta bëjë vetëm dikush që është fisnik në shpirt, dikush që di ta flasë gjuhën e zemrës.

Ti thua se femrat shqiptare nuk janë realiste në shpresat që ushqejnë.

Po flet si një mashkull tipik shqiptar që qëllimshëm refuzon t’i njohë finesat delikate të shpirtit femëror. Natyrisht, femrat nuk janë realiste në shpresat e tyre, përderisa kanë të bëjnë me një tufë egërsirash.

Çdo femër mund të dashurohet me një mashkull për shumë cilësi, por më së shumti ajo tërhiqet nga guximi i një mashkulli. Ajo ka nevojë për një hero që do të luftojë për lumturinë e saj.

Me fjalë të tjera, shumë meshkuj shqiptarë nuk dinë t’i qasen zemrës së një femre, jo për shkak se janë të padijshëm, por sepse janë përtacë dhe të vetëmjaftueshëm. Nuk e ndiejnë të arsyeshme që të përpiqen ta shohin botën nëpërmjet syve të saj, janë të bindur se të gjithë të tjerët ndajnë pikëvështrimin e tyre për botën. Mbase është në natyrën e mashkullit që të kërkojë nënshtrimin e tjetrit edhe atëherë kur shpreh dashuri. Sipas meje, në dashuri ka vetëm vetëdorëzim dhe nuk ka nënshtrim. Dashuria është art i shpirtit, sepse shpirti nuk do t’ia dijë për asnjë lloj shtrëngimi.

Meqë po flasim për këtë temë, ky është një rast i mirë të të tregoj se çfarë më irriton te ca meshkuj shqiptarë.

Nuk më ka ndodhur asnjëherë që partneri im shqiptar të mos më bëjë pyetje për meshkujt para tij. Kjo më ngacmon nervat. Të gjithë kanë uruar të ishin të parët, që bota të fillonte dhe të përfundonte me ta. Dhe kur kjo duket e pamundur, si t’ia bëjmë? Megjithëse nuk kanë guxim që ta thonë haptas, nuk janë pak ata që besojnë se femra duhet të rrijë mbyllur në shtëpi, si një zog në kafaz, në pritje dhe pa kontakt me botën dhe me njerëzit. Prandaj edhe ka gra që domosdoshmërisht gënjejnë secilin që e bën këtë pyetje, duke thënë se zotëria i dashur është vetëm mashkulli i dytë në jetën e tyre dhe se fjalët që dëgjon poshtë e lart nuk janë gjë tjetër pos shpifje.

Tjetër gjë që më irriton është se shumë meshkuj e gjykojnë veten mbi të tjerët, se janë më të mirët, se vetëm ata janë të denjë dhe, kulmi i arrogancës, se janë kampionë të seksit. Mashtrojnë veten me iluzionin se askush nuk e bën atë punë më mirë se ata. A e di sa të tillë kam takuar unë? A e di sa të tillë ka vetëm në lagjen time? Sa kampionë të seksit ka në këtë qytet. Këtu është liga e kampionëve!

Dhe shumë, pas seksit, me siguri pyesin: “A të pëlqeu?”

Si t’u thuash: Jo! Si t’u thuash se ka edhe më mirë? Si t’i thuash se u ndjeva e zhgënjyer, se mbaroi punë ende pa u nxehur unë? Si t’u thuash se gjithë ajo përpjekje nuk ishte në nivel me pritshmërinë? Është paksa mizore ta bësh një gjë të tillë. Nuk është e drejtë që kampionëve t’i thyhet iluzioni. Nuk është njerëzore t’u vjedhësh ëndrrat. Prandaj, sa herë që më ndodh të përballem me kampionë të tillë, e përmbledh veten, shpërfaq buzëqeshjen më të bukur dhe me plot gojë them: “Plako, e ke qa fare.”

Për çdo gjë që nuk shkon faji është i  femrës. Meshkujt që kam njohur unë, kur një lidhje nuk ka shkuar mirë, e kanë pasur shumë të vështirë të pranojnë se ata nuk ishin të duhurit për mua. Ende nuk e kam takuar një mashkull që nuk është përpjekur të jetë organizator i ditëve të mia. Madje ka edhe të tillë që kanë ambicie të jenë çensurues të ëndrrave të mia. Nëse jam e lidhur me dikë, nuk do të thotë se jam pronë e tij dhe se do të më duhet të jetoj ashtu si thotë ai. Pres atë mashkull që do ta pranojë se unë jam skenariste dhe regjisore e jetës sime, që do të jetë i kënaqur që ka fituar një rol kryesor në jetën time.

Ti më thua se je i tillë dhe se nuk kam nevojë të pres më tutje.

Nuk e di. Mbase edhe mund të jesh, por të gjithë në fillim shiten si engjëj.

Ti më thua se ndihesh i fyer nga këto fjalë.

Edhe ky reagim yti është diçka tipike nga bota e mashkullit shqiptar. Kjo më jep rastin të flas më tepër rreth elementit fëmijëror brenda personalitetit të shumë meshkujve.

Kur partnerët e mi më ngacmonin, me vend e pa vend dhe me shije e pa shije, gjithnjë justifikoheshin duke thënë se po bënin shaka. Ndërsa kur unë i ngacmoja ata, qoftë edhe vetëm pak, shpesh edhe pa qëllim, ata menjëherë tërhiqeshin dhe ankoheshin se po i ofendoja. Njësoj si ata fëmijët e vegjël që kur u ndalon një veprim menjëherë ia plasin vajit. Fëmijët duan që t’i mbledhin të gjitha lodrat e mundshme përreth vetes, pavarësisht a do të luajnë me to, apo jo. Ata janë të bindur se lodrat u takojnë natyrshëm. Kështu janë edhe meshkujt. Përballë një femre sfiduese, kërkojnë me çdo kusht gjithë kujdesin dhe gjithë vëmendjen e nevojshme për ta ushqyer egon e tyre. Nuk e kuptojnë se kujdesin dhe vëmendjen e kanë marrë pa kushte dhe se edhe ata duhet të bëjnë njësoj.

Gjëja e fundit që patjetër duhet të them është se shumë meshkuj janë qyqarë. Nuk janë në gjendje të ballafaqohen dhe të thonë vërtet pse duan të ndahen. Por, në vend të kësaj, shpikin disa detyrime të pavërteta, nuk përgjigjen në telefon dhe as mesazheve. Qëllimisht dhe pa pikë nevoje e krijojnë ankthin e paqartësisë, madje edhe për periudha tmerrësisht të gjata, pa fije ndjenje përgjegjësie se me veprimet e veta janë duke shkaktuar agoni te tjetra. Zotëria vendos që një ditë të sillet si i huaj që do të të shmangë me çdo kusht. Njësoj si ata fëmijët që kur bëjnë një sherr në shkollë, sajojnë lloj-lloj justifikimesh vetëm që t’i shmangen përgjegjësisë.

Natyra fëmijërore e këtyre meshkujve vërehet edhe më shumë pas ndarjes. Kur dëgjojnë se një ish-e dashura e tyre e ka rimarrë veten dhe ka mundësi të lidhet me dikë tjetër, ata zakonisht do të bëjnë çmos për ta rifituar atë. Jo se vërtet e duan, por si fëmijë të rritur që janë, nuk duan që dikush tjetër të luajë me lodrën e tyre, sado e parëndësishme të jetë ajo për ata.

Ti pohon se të gjitha këto janë të vërteta, por thua se jo të gjithë janë njësoj.

Këtë e besoj edhe unë. Jam e bindur se ka meshkuj që janë e kundërta e këtyre që përshkrova. Unë besoj në të mirën që fshihet brenda njeriut, prandaj edhe jam ulur dhe po i shkruaj këto radhë.

[1] Fjala është për shkrimtarin, përkthyesin dhe publicistin shqiptar Edmond Tupja, autor i fjalorit të vetëm erotik të gjuhës shqipe (të gjitha shënimet janë të autorit)