Mbi reagimin e federatës VATRA për rastin “Kumanova”

Me reagimin e datës 9 Maj 2025, për gjendjen e të burgosurve shqiptarë të grupit “Kumanova” në burgjet e Maqedonisë së Veriut, Federata Pan Shqiptare VATRA - organizata më e vjetër shqiptare në SHBA, gardiane e pamohueshme dhe stoike e interesit kombëtar, si dhe mbrojtëse e pakursyer e të drejtave të shqiptarëve kudo në botë – edhe njëherë ka bërë atë që do të duhej ta bënin qeveritë tona në Tiranë dhe Prishtinë. VATRA e ka ngritur zërin në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve, kushdo qofshin e kudo qofshin ata.

Ashtu siç e thekson edhe federata VATRA, sipas familjarëve të ngushtë, gjendja e këtyre të burgosurve shqiptarë është e vështirë. Gjithnjë sipas dëshmive të familjarëve, muajt e fundit, këta djem dhe burra shqiptarë u janë ekspozuar keqtrajtimeve nga më të ndryshmet. Një pohim vërtet i rëndë, ndërkaq dëshmitë e tyre hera herës janë edhe drithëruese.

Gjendja e përgjithshme e të gjithë të burgosurve në burgjet e Maqedonisë lë shumë për të dëshiruar, dhe kjo gjë është faktuar në shumë raporte të Këshillit të Evropës si dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit. Së fundmi, me 8 Tetor 2024, gjatë takimit me kryeministrin maqedonas Mickovski, kjo problematikë e përgjithshme është theksuar edhe nga Alan Mitchell, Presidenti i Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Poshtërues (CPT), një trup mjaft i rëndësishëm brenda Këshillit të Evropës. Megjithatë, duhet theksuar që ajo çfarë po transmetojnë familjarët e të burgosurve shqiptarë nga grupi i Kumanovës shkon përtej një diskutimi mbi vërejtjet e përgjithshme mbi gjendjen e burgjeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nëse konstatohen si të vërteta këto pretendime të familjarëve atëherë kemi të bëjmë me një rast eklatant të torturës çnjerëzore. Dhe kjo gjë nuk mund të kalojë vetëm si muhabet për të kaluar kohën.

Republika e Maqedonisë së Veriut është nënshkruese e UNCAT, Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese, si dhe i protokollit të veçantë ndërkombëtar OPCAT, i krijuar për të ndihmuar shtetet të përmbushin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar për të parandaluar torturën dhe keqtrajtimin. Ashtu siç, me shumë të drejtë, e thekson edhe Federata VATRA, Republika e Maqedonisë së Veriut, si një shtet demokratik, anëtar i NATO-së si dhe kandidat për BE, është ligjërisht e obliguar që të respektojë standardet më të larta të trajtimit njerëzor dhe me dinjitet të të gjithë të burgosurve.

Argumentimi i detyrimit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut për të zbatuar këtë normë të ligjit ndërkombëtar nuk kërkon njohje të posaçme të mendimit ligjor. Detyrimi për të zbatuar UNCAT është çështje krejtësisht themelore, ndërkaq për një shtet që deklarohet si një vend demokratik dhe i lirë, ky detyrim bazik, është diçka esenciale për reputacionin dhe vlerën e shtetit.

VATRA ka shumë të drejtë kur thekson që shumëçka nga ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ishte dhe vazhdon të jetë misterioze. Ndryshe nuk mund të shpjegohet heshtja, neglizhenca, dhe sjellja e tipit “bussines as usual” i qeverive të atëhershme dhe atyre vijuese në Shkup, Prishtinë e Tiranë, por mbase një ditë e vërteta realisht do të dalë në shesh. Sa më herët aq më mirë.

Për rikujtim, gjatë gjykimit, të gjithë pjesëtarët e grupit Kumanovajanë deklaruar të pafajshëm për akuzën formale kundër tyre. Megjithatë, pa u futur në specifikat dhe detajet e kontradiktat ligjore të rastit, mjafton të përqendrohemi te fakti që këta djem dhe burra shqiptarë tashmë janë të dënuar, shumica të burgosur me burgim të përjetshëm. Dhe ky fakt, pra akti formal i dënimit gjyqësor, nënkupton që sipas ligjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe konventave përkatëse ndërkombëtare, ata e gëzojnë të drejtën e pamohueshme që gjatë vuajtjes së dënimit të trajtohen me dinjitet dhe në mënyrë njerëzore.

Nëse shteti maqedonas nuk mund të garantojë trajtim human dhe vuajtje me dinjitet të dënimit me burg atëherë këta djem dhe burra duhet të ekstradohen në Kosovë apo Shqipëri, për të vazhduar qëndrimin në burg në kushte njerëzore dhe të pranueshme. Çfarëdo akti i keqtrajtimit dhe i torturës ndaj tyre thjesht është krim. Dhe konsideroj që është detyrë e secilit intelektual shqiptar, politikan apo qytetar i lirë, që të ngrejë zërin. Shqiptarët më nuk janë bonjakë të botës, hyzmeqarë të të tjerëve, të varfër e të dobët.

Sot, shqiptarët janë dikush!  

 

Albatros Rexhaj

(Autori është studiues i fenomeneve që ndërlidhen me funksionimin e institucioneve publike. Autori ka gradën PhD në fushën e sigurisë kombëtare si dhe është jurist, me fokus në të drejtën publike).