~ Zonja Z ~

Të jesh hero

(shënim i Zonjës Z)

 

Më pëlqen që ti më pranon ashtu siç jam. Më pëlqen që nuk më gjykon pse jam botë më vete. Më pëlqen që nuk turbullohesh fare kur ndodh që të takojmë ndonjë nga ish të dashurit e mi, pasi ti e ndien se unë jetoj të tashmen dhe se e tashmja ime je ti. Më pëlqen që me ty ndihem e çlirët dhe që të eksiton përvoja ime. Por ajo që më mrekullon është përkrahja që gjej te ti sa herë vendos që dikujt t’ia përplas në fytyrë fëlliqësirat e veta. Është ndjenjë e bukur të ndiesh mbështetjen e njeriut që do.

Mbrëmë më the se ty nuk të habit më asgjë te unë, por megjithatë do të doje të dije se si ia dal që të jem e hapur dhe ta them atë që vërtet mendoj, pa u brengosur për atë çka mund të thonë apo mendojnë të tjerët.

Nuk është e lehtë, por as e vështirë. Së paku jo aq vështirë sa thonë ata që tërë jetën e tyre e kanë kaluar nën hijen e të tjerëve.

Duhet guxim!

Duhet guxim për t’u ballafaquar me paragjykimet dhe intrigat e mëdha të kësaj botës sonë të vogël. Për shembull, ende vazhdon te jetë e rrezikshme, të flasësh haptas për dëshirat dhe përvojat e tua, sidomos ato të nxehtat që me një mendim të vetëm mund të të bëjnë të lagesh aty poshtë. Kjo, në një rreth si ky i yni ku sundon poshtërsia dhe logjika e nënshtrimit, nuk bëhet. Sidoqoftë, duke qenë se edhe ti je pjesë e tij, besoj e ke kuptuar se duhet diçka më shumë.

Duhet guxim dhe vërtetësi!

Nuk mund të jesh i drejtë me të tjerët nëse je mizor ndaj vetes tënde. Nuk mund të jesh i vërtetë me botën, nëse të vërtetën ia mohon vetes. Dhe as mos të të shkojë mendja se ndonjëherë do t’ia dalësh të mposhtësh paragjykimet e të tjerëve, nëse së pari, nuk je i hapur ndaj vetes.

Nuk duhet ta mohojmë që paragjykimet e të tjerëve dhe intrigat para e pas shpine, na lëndojnë. Na lëndojnë shumë. “Mua nuk më plas fare për atë çka mendojnë të tjerët.” Ata që e thonë këtë, sado që çirren, duke u përpjekur të na bindin për të kundërtën, në të vërtetë tashmë janë dorëzuar para paragjykimeve dhe intrigave të të tjerëve. Duke u përpjekur të bëhen të pranueshëm, janë lodhur aq shumë saqë tani nuk kanë më fuqi për asgjë tjetër. Fjalët e tyre, përfshirë edhe britmën se “nuk u plas fare”, nuk janë thirrje të lirisë, por janë klithje zhgënjimi të dëshpëruarish.

Në një situatë të tillë, është shumë e vështirë të jemi të vërtetë.

Sidomos atëherë kur e ndiejmë presionin e poshtërsisë së krijuar nga paragjykimet dhe intrigat. Na duhet  vërtetësi dhe guxim që të përballemi me të ardhmen. Kjo mund të na lëndojë edhe më shumë, sepse të pushtetshmit e kësaj bote, qofshin ata politikanë, biznesmenë, dashnorë xhelozë, prijës të çmendur fetarë, banditë dhe kriminelë, nuk e pëlqejnë situatën ku njerëzit thonë atë që vërtet mendojnë. Do të bëjnë çmos që të mos lejojnë asnjë skenar ku njerëzit marrin guximin të flasin lirshëm, të veprojnë pa frikë. Tragjikja është se kjo mani e të pushtetshmëve për të luftuar të vërtetën me paragjykime dhe intriga kopjohet edhe nga shumë të tjerë: nga miqtë tanë, nga familjarët dhe jo rrallëherë edhe nga ata që dashurojmë.

Ballafaquar me këtë situatë, shumica me vetëdije zgjedhin të heshtin. Është pothuajse aventurë vetëvrasëse, nëse vendos që me çdo kusht të thuash atë që vërtet e mendon, sepse do ta shohësh veten si subjektin kryesor të të gjitha intrigave dhe thashethemeve. Një pasion dhe guxim i tillë është diçka që nuk të leverdis, diçka ku nuk të del hesapi mirë. Por, nëse je i vetëdijshëm për të gjitha pasojat e të gjitha rreziqet dhe ende ngulmon të jesh në mesin e atyre pak njerëzve që nuk përulen e thonë atë që vërtet e mendojnë, atëherë dije se je një HERO.

Sikur të mos ishin njerëzit e tillë, njerëzimi do të vazhdonte të ishte në epokën e shpatave dhe shigjetave dhe sporti popullor do të vazhdonte të ishte djegia e shtrigave.

Inkuizicioni asnjëherë nuk është tejkaluar, vetëm sa është maskuar dhe është bërë më i fshehtë.

Në këtë botën tonë të vogël shqiptare vazhdon të ketë shumë dhimbje dhe vuajtje të shkaktuar nga njerëz që mendojnë se mund t’ia bëjnë gjyqin moral tjetrit. Dhe, pavarësisht dëshirës sonë të shitemi si një shoqëri e emancipuar, bartësit kryesorë të kësaj dhimbjeje dhe vuajtjeje vazhdojnë të jenë femrat. Ka pak rëndësi nëse jetojmë në fshat apo në qytet, jemi të varfër apo të pasur, pavarësisht gënjeshtrave që sheshim në TV e  gazeta, në mendësinë tonë kanë ndryshuar shumë pak gjëra.