~ Zonja Z ~

Seksi, gjuha universale e njerëzimit

(shënim i Zonjës Z)

 

Mbrëmë teksa po ndiqnim një debat televiziv mbi temën e seksit, të dyve na tërhoqi vëmendjen sjellja e panelistëve të cilët nuk flisnin në mënyrë të lirshme për seksin. Përdornin shumë metafora dhe elemente rrethanore, sikur t’u vinte turp dhe debati ndonjëherë bëhej komik. Ti u bërë aq nervoz nga mungesa e çiltërsisë sa fike televizorin dhe më pyeta se çfarë mendoja unë për këtë temë dhe për sjelljen e panelistëve.

Ndoshta prisje që si femër, të flas ëmbël e butë dhe të shtirem se kam turp. Ndoshta ti prisje që edhe unë të thoja se seksi është diçka romantike dhe se domosdo lidhet me dashurinë. Jo! Këtë nuk do ta dëgjosh nga unë dhe, sado që mund të më shajnë dhe gjykojnë, e di se po them të vërtetën. Po atë të vërtetë që mendojnë të gjithë, por që shumica ngurron ta thotë.

Seksi nuk është romantik. Dhe asnjëherë nuk ka qenë i tillë.

Romantik mund të jetë takimi i parë. Romantike mund të jenë të gjitha ato lojërat dhe dredhitë e vogla e të mëdha që përdorim për ta joshur e magjepsur tjetrin. Diçka romantike, madje do të thosha shumë romantike, mund të jetë edhe paraloja, ajo shfaqja e vogël në fillim kur shtiremi se nuk kemi ngut. Por vetë seksi – atëherë kur penisi penetron dhe fillon gara e dihatjeve, shtrëngimeve, gërvishtjeve, ulërimave, kafshimeve dhe gjithë atyre veprimeve të tjera që, nuk ka asgjë romantike. Përkundrazi, është e kundërta e çdo gjëje që ne e konsiderojmë romantike, sepse romanca është një ideal shpirtëror, ndërsa seksi është diçka rrënjësisht fizike dhe e domosdoshme. Seksi është diçka që të përçon një erëmim therës dhe mallëngjyes, por edhe magjepsës dhe joshës.

Kujdes fjalët që zgjodha!

Erëmim therës dhe mallëngjyes, diçka që prek rëndë në atë pëlhurën e hollë që lidh shpirtin me trupin. Kjo është edhe arsyeja pse e humbim logjikën kur na merr malli për seks dhe atje poshtë krijohen rrjetat e merimangës.

Erëmim magjepsës dhe joshës, diçka që të rrotullon tepelekun e kokës dhe sado që të përpiqesh nuk di e as nuk mund ta përmbash veten. Kjo është arsyeja pse nuk të rehatohet shpirti derisa nuk e ndien atë veglën brenda dhe në heshtje mendon: “Jepi! Mos prit, jepi!”

Një piktor do të thoshte se seksi është shkëlqimi i trëndafiltë, mëlmesa magjike që rifreskon një fytyrë të thartuar dhe të mërzitur. Me siguri e ke dëgjuar atë reklamën që thotë: “RedBull të bën me krahë!” Jam e bindur se autori i kësaj reklame, në të vërtetë, ka menduar: “Seksi të bën me krahë!” Ky shkëlqim i trëndafiltë të bën të flatrosh. Të bën të ndihesh e lehtë dhe e bukur si një flutur. Të ndiesh ekstazën e lirisë.

Ti më thua se nuk do të habiteshe nëse unë do të kisha një përkufizim timin për seksin.

Me tepër janë disa si tip proverbash. Nëse je fetar, seksi është dhuratë hyjnore. Nëse je ateist, seksi është pika kulmore e evolucionit natyror. Nëse je artist, seksi është harmonia e përkryer për të cilën ëndërronte Da Vinçi. Dhe nëse je biznesmen, seksi është një investim jetësor.

Ti qesh me fjalët e mia.

Më vjen mirë për këtë, sepse seksi është diçka e bukur dhe gjërat e bukura duhet të ta nxisin buzëqeshjen.

Cili është, sipas meje, dallimi mes një femre dhe një mashkulli, në pikëvështrimin e tyre rreth seksit? Gjatë seksit: çfarë synon një femër dhe çfarë synon një mashkull?

Çdo qenie njerëzore e përjeton seksin në mënyrën e vet unike. E megjithatë nëse më duhet të përgjithësoj, do të thosha që femrat kërkojnë të bëhen shkencëtare në erotizëm: të zbulojnë, të studiojnë dhe të jetojnë çdo detaj të harmonisë ndërmjet shpirtit e trupit; ndërmjet ndjenjave dhe epshit. Ndërsa meshkujve, shpesh u mjafton të jenë ekspertë të pornologjisë. Madje ekspertë të pavarur pasi, testosteroni i bën të besojnë se ata nuk mund t’i përkasin një femre të vetme.

Ti përsëri qesh. Por edhe e di se po them të vërtetën.