~ Zonja Z ~

Puristët

(shënim i Zonjës Z)

 

Mbrëmë bëmë diçka që nuk e kemi bërë kurrë: edhe ne i ndoqëm lajmet, pasi e gjithë dynjaja këto ditë po merret me xhihadistët.

Për mua, këta dhe ekstremistë të tjerë pa dallim cilës fe apo ideologji i takojnë, janë të njëjtë me shenjtorët e rremë që shesin moral poshtë e lart. Në sytë e tyre, tipat si unë  që duan të jetojnë të lirë prej skemave dhe dogmës së tyre, janë heretikë. Po të mundnin, nuk do të ngurronin që të na ekzekutonin me gurë në mes të sheshit.

Puristë që vuajnë nga kompleksi i sëmurë për ta luajtur rolin e Zotit, në versionin e një despoti mizor. I japin vetes të drejtën të gjykojnë dhe t’u tregojnë të tjerëve si duhet të jetojnë. Me aq zell e luajnë këtë rol saqë nuk janë fare të vetëdijshëm se shndërrohen në personazhe të komedive të zeza.

Flasin me fraza të pakundërshtueshme, sepse çmendurisht besojnë se i dinë të gjitha. Mendojnë se mund ta përcaktojnë normën e pranueshme për çdo gjë: atë çka është normale dhe jonormale; atë çka është e drejtë dhe jo e drejtë; atë çka është e moralshme dhe e pamoralshme. Dhe më e trishta në këtë mes është pafuqia jonë përballë tyre.

E kupton pse këta njerëz veprojnë kështu?

Ata duan të luajnë rolin e Zotit, por, në të njëjtën kohë, e zhveshin veten nga çdo lloj mëshire. Në sytë e tyre bota është e ligë, e sëmurë dhe si e tillë duhet pastruar nga e keqja.

Edhe pse nuk e thonë, jam shumë e bindur se tinëzisht, thellë brenda vetes, janë të bindur se Krijuesi që ata e deklarojnë si autoritet absolut e të pagabueshëm, ka bërë gabime gjatë krijimit dhe tani është detyrë e tyre që t’i përmirësojnë këto gabime. Në logjikën e tyre të marrë, këto “gabime” mund të përmirësohen vetëm me shpatë e zjarr. Nuk janë në gjendje ta kuptojnë se asgjë nuk shërohet duke shkaktuar më shumë dhimbje. Aq më pak shpirti dhe zemra e njeriut.