~ Zonja Z ~

Përmbysja e piramidës

Përditshmëria jonë, e thurur nga shumë gjëra të imta në pamje të parë të parëndësishme, heshtazi na e zë kohën dhe na e largon vëmendjen nga idetë e bukura. Unë e ndiej si një piramidë: çdo mëngjes më sfidon të pushtoj majën e saj. Por sado që të përpiqem, asnjëherë nuk ia arrij: maja zhvendoset lart për aq hapa sa ngjitem unë. I dërmuar, çdo mbrëmje ndiej lodhjen në shpirt të më zymtojë.

E di se nuk jam i vetmi që ndihet kështu. Shumë prej nesh zgjedhin të heshtin duke besuar se një ditë vetvetiu diçka do të ndryshojë. Kam heshtur edhe unë, heshtjen e kam vlerësuar si një kompromis mes asaj që jetoja dhe asaj që ëndërroja. Kompromiset të imponohen në çdo hap dhe të vargëzohen si një lak rreth qafës që ta zë frymën. Mua ma ka ngulfatur shpirtin.

Z-ja më shtyu të kuptoja se sado të përpiqesha të mbaja ekuilibra me ligjet e pashkruara dhe traditat mbytëse në fund do të isha vetë unë që do të detyrohesha t’i bëja kurban ëndrrat, ambiciet dhe dëshirat e mia.

Ajo e përmbysi këtë piramidë të lodhshme, hapi shtigje që nuk i kisha shkelur kurrë më parë. Më dëftoi rrugën drejt rebelimit, si nevojë për t’u mbrojtur nga përgjumja. Pa më pyetur dhe pa pritur leje, më çoi në labirinte të reja dhe të mistershme. Pasioni im për ndryshim shpërtheu njëkohësisht me ankthin e frikës dhe të dyshimit ndaj çdo gjëje të re. Më dha guxim për të parë atë që nuk ia pranoja vetes: Vetë unë isha përgjegjës për fatin tim.