~ Zonja Z ~

Nevoja për dashuri

Nuk dua që edhe unë të them se një femër është si një lule që ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Kjo është bërë klishe, por më së miri e shpreh të vërtetën.

Z-ja më ka bërë të vetëdijshëm se gjendja emocionale e një femre ndikon edhe në nuancat e bukurisë së saj. Bukuria e vërtetë e një femre shpërthen në shkëlqim të plotë vetëm atëherë kur ajo jep dhe merr dashuri. Theksi është te harmonia e të dyjave, sepse, atëherë kur vetëm jep dhe nuk merr asgjë në kthim, një femër duket e lodhur dhe e trishtuar. Ndërkaq kur merr dhe nuk jep dashuri, ajo duket komike – shihi ato që enden poshtë e lartë nën përkujdesjen e sponsorëve të pasur që duken si kukulla të ngrira në grim, thua se çdo çast mund të thyhen.

Një femër ka nevojë të ndihet tërë kohën e dëshiruar nga tjetri dhe të besojë se ajo është e vetmja. Dorën në zemër, kjo “e vetmja” është pak problematike, sepse ne secilës i themi “ti je e vetmja”. Por çfarë ka të keqe nëse besojnë në një gënjeshtër të bukur? Kjo nuk do të thotë se ato nuk dinë ta dallojnë kur ne i  gënjejmë. Bota nuk mund të bëhet më e mirë nëse nuk flasim, nuk e shprehim, dhe mbi të gjitha, nëse nuk e jetojmë dashurinë.

Pasioni i një femre duhet të ushqehet me gjëra të reja, me shkëndija që ia rindezin imagjinatën dhe pse jo edhe me eksperimente të reja në shtrat. Në fillimet e një lidhjeje, jeta erotike është një tabllo me ngjyra të zjarrta dhe më pas, me kalimin e kohës, kthehet në një tablo me disa shkarravina të lodhura. Të shumtën e kohës, kjo ndodh për fajin tonë, pasi nuk e vrasim mendjen se kohë pas kohe duhet t’i vardisemi njëjtë si të ishim në fillim të lidhjes e ta inkurajojmë që të bëjmë gjëra jo të rëndomta. Të bëjmë me të dashuri në ashensor, në makinë, të shkojmë në hotel, si të ishim një çift i fshehtë dhe shumëçka tjetër.

Sikur këto fjalë që po shkruaj tani, të kishin zë, atëherë do të më dëgjoje duke ulëritur: Një femër ka nevojë jetike për dashuri dhe pasion!