~ Rebelimi i Lúlus ~

Shpërfillja e dashurisë

Edhe pse ndonjëherë ndihem si një Don Kishot i ditëve tona, që jo pak herë përqeshet para dhe pas shpine, e di se dashuria nuk jeton vetëm në libra dhe filma. Nëse ne, si shoqëri, jemi vetëkurthuar në një gjendje apatie kolektive, çka nuk do të thotë se bota e bukur e ndjenjave është një utopi që gjallon vetëm në imagjinatën e një artisti apo në ëndrra.

Nuk dua të bëj psikologun dhe të numëroj arsyet si kemi ardhur deri te kjo gjendje apatie – mendoj se kjo është diçka që secili duhet ta bëjë në heshtje brenda vetes dhe jam shumë i vetëdijshëm se shkaqet nuk e kanë origjinën në një burim të vetëm – por ajo që shihet sheshazi është se ne kemi zgjedhur të mos dashurojmë. E kemi mënjanuar dashurinë nga jetët tona dhe, pa asnjë dyshim, duke e bërë këtë, vetë e kemi dëbuar lumturinë.

Ti mund të thuash se po tregohem shumë i ashpër, sepse, të lodhur nga zhgënjimet e njëpasnjëshme, ne vetëm kemi zgjedhur të mos e shprehim më dashurinë. Si shumë të tjerë, edhe ti mund të jesh ithtar i supozimit profan se, ata që qëllimshëm tregohen të egër, në jetë ia kalojnë më mirë dhe janë shumë më të lumtur se ata që tregojnë ndjeshmëri.

Apo mund të jesh pjesë e grupit të disa të tjerëve, që dashurinë nuk e vlerësojnë si një nga gjërat e rëndësishme në jetë. Sido që të jetë, për mua dashuria ka kuptim vetëm nëse shprehet. Me thënë të drejtën, as që dua të kem punë me dikë që më thotë se më do dhe më vlerëson, ndërsa, në të njëjtën kohë, bën çmos që të përmbahet dhe të mos i shprehë ndjenjat që ka për mua.

(Lulu)

Ndjenjat e dashurisë nuk mund të kontrollohen! Nuk mund t’i thuash zemrës: mos ndiej, mos dashuro. Sepse dashuria e papërmbushur është e barabartë me një mallkim, që vazhdimisht e riciklon veten deri në përjetësi.

Sa herë që jam përpjekur t’i ndrydh ndjenjat dhe të bëj të fortin, gjithnjë kam ardhur në përfundimin e njëjtë: sado që aktroja bukur, brenda meje nuk ndryshonte asgjë. Përkundrazi, në vend që të qetësoheshin, trazimet e shpirtit tim veçse tërboheshin edhe më shumë. Për një kohë të shkurtër, ato bënin sikur zhdukeshin, por ama vetëm sa për t’u kthyer më pas në trajtën e një urie shpirtërore shumë të furishme, që më pas nxiste disa uri të tjera, që shpirti ia diktonte trupit, derisa e gjitha shpërthente nga brenda në një vuajtje të heshtur që nuk mund t’ia shihja fundin. Ndihesha sikur kisha rënë në një vrimë të zezë që përpinte çdo ide dhe ndjenjë iniciative, dhe aty më përfshinte një dëshirë që të shndërrohesha në peshk, që të vuaja edhe unë nga harresa aty për aty, pasi e dija se çdo ditë e re nuk do të ishte asgjë tjetër përveçse edhe një takim tjetër i pashmangshëm me të rëndomtën e zymtë që e kisha krijuar vetë. Dhe kështu siç jam ndier unë, sot ndihen shumë e shumë të tjerë, të kurthuar në këtë gjendje apatie dhe të detyruar që të ndihen keq për shkak të ndjenjave dhe të mendimeve të tyre të vërteta.

Çfarë ironie kjo: të ndihesh keq pse ndien diçka?! Por ne as që habitemi më me këtë, sepse tashmë jemi mësuar me faktin se shoqëria jonë, pa asnjë lloj ngurrimi, merr guximin të futë hundët edhe në gjëra kaq intime. Shembulli më banal i kësaj është, fjala vjen, kur të pëlqen një varg apo strofë poetike kushtuar dashurisë (pak rëndësi ka se kush e ka shkruar) dhe vendos ta publikosh në profilin tënd apo e pëlqen te profili i dikujt tjetër dhe menjëherë fillojnë pyetjet: Çfarë ke? Kush të mungon? Për kë po vuan? Qëkur na u bëre kaq romantik/e?

Askush nuk duhet të kritikohet për ndjenjat e veta. Aq më tepër kur është fjala për ndjenjat që shpërthejnë në dashurinë mes një mashkulli dhe një femre, sepse, po aq sa duket e thjeshtë, në të njëjtën kohë kjo lloj dashurie është edhe një nga misteret më të mëdha të universit. Është pikërisht kjo lloj dashurie që ka fuqi t’i sfidojë dhe t’i lëkundë të gjitha kodet dhe rregullat që njeriu ia ka caktuar vetes.

E ndiej si privilegj që të shkruaj për misterin e madh të dashurisë mes një mashkulli dhe një femre, dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Vargjet e mia paraqesin vijën e frontit tim të rezistencës ndaj të gjithë atyre që ende nuk heqin dorë nga bindja absurde se mund të na tregojnë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të ndiejmë. Nuk do të ndalem së shkruari atë që ndiej për muzën time, atë që në vazhdimësi i frymëzon të gjitha vargjet e mia ngaqë besoj se i gjithë universi, sado që është i pafund, fiton kuptim në pasqyrimin e tij, në atë që mund ta shohim vetëm në sytë e njeriut që dashurojmë. Shpirti ynë e ndien këtë, prandaj me fijet e holla, pothuajse të padukshme të këtij misteri, i ndërton të gjitha ëndrrat e veta për jetën: vendin ku do të jetojë, karrierën që do të ndërtojë, vendet që do të vizitojë, familjen që do të krijojë. Të gjitha këto ëndrra kanë një emërues të përbashkët: praninë e njeriut të duhur, që do t’ia shprehësh gjithë dashurinë që ndien. Ëndrra jonë për dashurinë është ajo që i ushqen të gjitha ëndrrat e tjera për jetën dhe dështimi në të parën nënkupton një dështim në trajtë zinxhiri.

Madje edhe në luftën e madhe për atdhe (ironike edhe kjo: dashuria për atdheun shihet si dashuri e madhe, ndërsa ajo për njeriun e veçantë, si dashuri e vogël), askush nuk ngrihet për të mbrojtur shkrepa, male, kodra, lumenj apo godina shtëpish, por njerëzit ngrihen për njëri-tjetrin, për ata me të cilët i kanë shkruar bashkë ëndrrat e veta. Të gjitha këto bukuri natyrore, që në fund të fundit i ka çdo vend dhe jo vetëm yni, fitojnë kuptim vetëm nëpërmjet njerëzve me të cilët ne i lidhim mendimet dhe ndjenjat tona. Dhe kjo nuk ka si të jetë ndryshe. Vallë, çfarë tjetër mund të jetë atdheu, përveçse vendi ku do të duhej të ndiheshe i lirë për të ndjekur dhe për të realizuar të gjitha ëndrrat? Dhe nëse vendi yt nuk ta jep këtë ndjesi, atëherë edhe ti, bashkë me mua, je pjesë e atyre që tërë kohën kanë ndjesinë se vendi i tyre, po ai vend ku çdo ditë i hapin dhe i mbyllin sytë, është shumë i largët për ta.

Mos mendo se të qenit i suksesshëm, dalja e shpeshtë në TV, kthimi në një fytyrë që njerëzit e njohin në rrugë, bën që vendin tënd ta ndiesh më afër vetes.

Jo!

Në një vend ku fjala STAR dhe VIP nuk është titull që nënkupton një arritje sadopak fisnike, por vetëm aftësinë për të tërhequr vëmendje, në një vend ku urrejtja është kthyer në një model jete, në një vend ku programet reality përcaktojnë normat shoqërore dhe ku prezantuesit televizivë kanë fuqi të rishkruajnë gramatikën e gjuhës, pavarësisht sa i suksesshëm mund të jesh, e ke shumë të vështirë ta ndiesh se atdheu yt është vendi ku do të ndihesh tërësisht i lirë që të ndjekësh ëndrrat e tua.

Përkundrazi, më shumë se kushdo tjetër, e ndiej dhimbjen universale që e pllakos njeriun atëherë kur e kupton se bota nuk është as për së afërmi ashtu siç e paramendonte në fillim. Fati i të tjerëve është se, me kalimin e kohës, ata e harrojnë ndjesinë e kësaj dhimbjeje, sikur mësohen me të, ndërkaq artisti qëndron i kurthuar në rrethin vicioz të rinjohjes me këtë dhimbje në çdo ditë të re që lind, çdo herë, edhe një herë nga fillimi.