~ Rebelimi i Lúlus ~

Personazhe të tragjedive të Shekspirit

Si për ironi të fatit, të shkruash e të jetosh në këtë pjesë të botës, krahasuar me vendet ku jetohet me shumë më pak ankthe, sigurisht që ka disa përparësi. Këtu, çdo ditë, LIVE, jam dëshmitar, dhe jo rrallëherë edhe protagonist, i situatave që duket sikur janë bërë COPY PASTE nga tragjeditë e Shekspirit. Nëse në botën perëndimore arti, që është i arrirë teknikisht, mund të jetë në krizë, sepse, sipas disave, artit perëndimor i mungon përmasa shpirtërore, ne këtë përmasë e kemi të shtrirë, por edhe të shtirur gjithkah me tepri.

Përmasa jonë shpirtërore është kryesisht e paketuar dhe në variacione të panumërta të vuajtjes dhe të dhimbjes njerëzore. Kjo tejprani e këtyre ndjenjave negative është arsyeja pse shkruaj për dashurinë, pse çdo gjë e ndërlidh me dashurinë dhe përpiqem t’i jap kuptim vetëm nëpërmjet pikëvështrimit të dashurisë.

Pavarësisht se sot dashuria trajtohet si një valutë e zhvlerësuar, si diçka fort sipërfaqësore e për të cilën flitet njëlloj si kur flitet për futbollin dhe jo si diçka përmbajtësore që ka fuqi ta ndryshojë njeriun nga brenda, besoj fuqishëm se vetëm dashuria është kura universale, në mos e vetmja, për dhimbjen dhe vuajtjen.

Problemi është se ne sot e kemi humbur besimin në çdo gjë, prandaj dhe trembemi nga përmasa përmbajtësore e dashurisë, druhemi nga fuqia e ndryshimit që ajo mund të nxitë brenda nesh. Dhe, në përpjekje për t’i dhënë një kuptim kësaj frike, fajin ia lëmë mënyrës bashkëkohore të jetesës.

Sa e mjerë më duket kjo përpjekje e jona që fajtorin për dështimet tona gjithnjë ta kërkojmë përtej vetes!

Zhvlerësimi i dashurisë nuk është pasojë e zhvillimit mbresëlënës që ka dëshmuar njeriu bashkëkohor. Nuk i ka fajet bumi teknologjik, interneti, rrjetet sociale, telefonat inteligjentë dhe të tjera gjëra të ngjashme, por kryekëput vetëm vobektësia e ideve dhe e origjinalitetit në aftësinë për t’u shprehur, që paskëtaj shfaqet me mungesën e madhe të guximit për t’i shprehur ndjenjat dhe mendimet e vërteta. Mos ki asnjë dyshim për faktin se në natyrë çdo gjë është e lidhur në një qark të përkryer, ku një puhizë e vogël në anën time të botës mund të përfundojë si uragan në anën tënde. Ata që, në marrëdhëniet më intime mes dy njerëzve, vuajnë nga mungesa e guximit për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e veta të vërteta, rrallëherë kanë guxim që t’i shprehin ato edhe në marrëdhënie me gjëra të tjera, t’i quajmë, “të mëdha” dhe “të rëndësishme”.

(Lulu)

Jam shumë i vetëdijshëm se në kohë krizash të përhershme, ashtu siç është edhe kjo koha jonë, pakkujt i bie në mend që të merret me koncepte si “dashuria” apo “vërtetësia e ndjenjave dhe e mendimeve”. Këto koncepte mjedisi ynë i ka stigmatizuar si të vockla, të parëndësishme apo utopike dhe, në njëfarë mënyre, i ka bindur të gjithë se as nuk ia vlen që dikush të merret me to. Por ndërkaq është detyrë e shkrimtarit, por edhe e të gjithë artistëve të tjerë që këto gjëra “të vockla e të parëndësishme dhe utopike” t’i rikthejnë në krye të listës së përparësive të nevojave shpirtërore dhe mendore të njerëzve. Kjo është diçka me shumë rëndësi, sepse vetëm arti ka fuqi ta udhëheqë njeriun në fazën tjetër të evolucionit, atë të evolucionit shpirtëror. Përndryshe rrezikojmë që të gjithë të shndërrohemi në ndjekës pasivë të religjionit të ri që, me fuqinë e vet të magjepsjes, i ka nxirë zemrat e njerëzve – religjioni i parasë dhe i përfitimit të shpejtë, ku shtytja njerëzore për lumturi është zëvendësuar me ëndrrën-garë për t’u bërë milioner, mundësisht brenda ditës.