~ Rebelimi i Lúlus ~

Nemopropheta in patria

Jetoj në një mjedis që, pavarësisht se kush je, nuk ngurron të të gjykojë edhe për gjërat më absurde, sepse për çdo gjë dhe për secilin tashmë ekziston modeli i paracaktuar e prej të cilit nuk guxon të shmangesh. Ky mjedis i sheh shkrimtarët vetëm si model të intelektualit omnipotent, të moralit të përsosur dhe të disa cilësive të tjera të idealizuara. Me ose pa vetëdije, shpërfillet fakti se edhe shkrimtarët, sado të zotë në shkathtësinë dhe artin e tyre, janë thjesht njerëz dhe jo mishërim i një projeksioni. Nuk mund të flas për shkrimtarët dhe artistët e tjerë, por unë, pavarësisht çmimit që duhet të paguaj, s’kam për ta pranuar asnjëherë kushtin e heshtur që shoqëria synon të ma imponojë, atë që të përshtatem dhe të futem brenda kallëpit të projektuar. Për mua, kushti i vetëm i pranueshëm është që shoqëria të më pranojë ashtu siç jam në të vërtetë. Kjo është ëndrra dhe dëshira ime.

(Lulu)

Fati i keq i shumë artistëve është se vendi dhe shoqëria së cilës ata i takojnë, zakonisht nuk arrin ta njohë dhe ta vlerësojë veçantinë e tyre krijuese. Këtij fati nuk mund t’i iki as unë. Flas për vendin ku kam mbledhur guximin që të shpalos krahët e ëndrrave të mia, plot besim djaloshar se një ditë vetëm me fuqinë e ideve dhe të fjalëve do të mund ta rrok botën. Flas për njerëzit me të cilët kam ndarë gjithçka, të mirë dhe të keqe, po të njëjtët që jo rrallëherë refuzojnë të shohin shkrimtarin brenda meje, që nuk e kanë fare problem të më sfidojnë me thashetheme dhe intriga banale apo me kotësi të tjera. Vendi ku do të duhej të ndihesha më së miri në botë, njëherësh është edhe vendi ku pësoj frakturat dhe zhgënjimet më të mëdha.

Unë nuk do të mundesha asnjëherë ta deklaroja veten pjesë të një superstrukture që qëndron mbi fatin e vendit dhe regëtimat e zemrave të njerëzve të mi. Dhe as nuk guxoj që popullin ta shoh vetëm si lexues (tip klienti, me të cilin jam i përfshirë në një marrëdhënie gjysmëtregtare) apo vetëm si masë njerëzish. Shumë shkrimtarë ende janë në kërkim të lexuesit të tyre, por, pavarësisht se sa të talentuar janë, nuk mund ta bëjnë këtë dhe në të njëjtën kohë të vetëshpallen pjesë e një superstrukture të shoqërisë. Të këmbëngulësh në pohimin “jam elitar, prandaj edhe nuk më kupton masa”, pos që është fyerje, po ashtu është edhe një e pavërtetë e madhe. Letërsia bashkëkohore është përplot me shembuj shkrimtarësh të mëdhenj, letërsia e të cilëve është lehtësisht e kuptueshme edhe nga ata që dinë vetëm shkrim e lexim.

E ndiej të pamundur, si tradhti ndaj vetes, nëse shkëputem nga konteksti social të cilit i takoj dhe që, në njëfarë mënyre, edhe më ka formuar. E ndiej të domosdoshme që të vazhdoj të dëgjoj pëshpërimat e të gjithë atyre që mendojnë se askush nuk ua vë veshin dhe ato t’i shpreh si pëshpërima të shpirtit tim. Nëse përqafoj ndonjë ide snobe të tipit “unë jam më i epërm” apo “ky vend nuk është mjaftueshëm i mirë për mua”, atëherë do të isha i gënjeshtërt dhe shkrimet e mia do të ishin të pavërteta. Prandaj, pavarësisht sa shumë, (ndonjëherë) më lëndon të jetuarit në këtë kontekst social, nuk mund ta imagjinoj veten të veçuar nga fati i njerëzve dhe i vendit tim. Përkundër asaj se do të doja që shumë gjëra të ishin ndryshe, lidhja me vendin dhe njerëzit e mi shtrihet përtej zhgënjimeve të momentit. Kjo lidhje shpirtërore, që nuk mund të shkëputet pavarësisht rrethanave më absurde, është edhe himni im për vendin tim.

Qyteti im,

nuk do të mendoj më për tëgjitha ato që më kanë lënduar, sa herë kam besuar se ti do të jesh shtrati ku do të mund t’i shtrij ëndrrat e mia.

Do t’i shlyej të gjitha shenjat e helmit që e mblodha duke u përplasur në gjembat e shpërndarë edhe në skutat e tua më të largëta.

Ndërsa pjesën më të bukur të shpirtit tim, atë që ti ma more dhe pamëshirshëm e shtype pa arsye nën rrotat e urrejtjes dhe inatit, do të ta fal si kurban dhe do të lutem për shpirtin tënd.

Të dua aq shumë, sa do t’i harroj të gjitha!

Dhe do të mbaj mend vetëm kohën kur besoja se ti je vetë mrekullia e Zotitpër mua.

Do ta përsos këtë art të harresës, sepse ndryshe nuk mund ta këndoj himnin tim për ty.

Këto vargje, që i kam shkruar në një çast meditimi për vendin dhe njerëzit e mi, shprehin besimin tim të palëkundur se, pavarësisht shkallës së dhimbjes, lëndimit apo zhgënjimit, dashuria është e vetmja forcë që ka fuqi të na kujtojë se kush jemi dhe kujt i takojmë.

(Lulu)

Në kohë të vështira, siç është kjo e jona, është shumë e lehtë të ankohesh për gjithçka dhe t’i kritikosh të gjithë, por është shumë e vështirë që t’i duash njerëzit.

Unë kam zgjedhur që t’i dua!