~ Rebelimi i Lúlus ~

Në kërkim të një kuptimi

Kur mërzia e zhgënjimi kthehen në diçka të mirëqenë në jetën tonë, një detaj më shumë i asaj që veshim çdo mëngjes dhe që, në dallim nga rrobat, na rri ngjitur pas trupit edhe për shumë kohë pasi na ka zënë gjumi, humbet krejtësisht kuptimi i pyetjes: çfarë të mungon?

Ndihem shumë i fyer nga kjo pyetje, por edhe më shumë nga ata që më pyesin kështu. Nuk mund të kuptoj nëse po tregohen arrogantë apo thjesht janë naivë?

Epo, do ta them troç: nuk më mungon asgjë! Së paku, jo ndonjë gjë nga ato të listës së përgjithshme të gjërave, që shumëkush i konsideron si parakusht i domosdoshëm për të qenë i lumtur.

Shumë gjëra nga ato që unë tashmë i kam, jo pak të tjerë ëndërrojnë që t’i kenë, por unë askurrë nuk mund të mjaftohem me idenë e mbrapshtë se mbijetesa është jetë e mirëfilltë. Dhe as nuk mund të bëhem pjesë e prirjes së përgjithshme se doemos duhet të pajtohem me ato që kjo jetë, ky realiteti ynë t’i ofron. Thjesht, brenda meje, ndjenja e revoltës është më e fuqishme se çfarëdo përpjekjeje për t’u treguar i durueshëm. Bëra çfarë bëra dhe, edhe sikur të jem më i shkathët se mjeshtri më i mirë i jogas, prapëseprapë pakënaqësia do të vazhdojë të zhurmërojë brenda meje dhe nuk do të ndalet, derisa ky zë revolte nuk do të dëgjohet edhe jashtë.

Por nuk është se jetoj mes njerëzish që vërtet duan të dëgjojnë pakënaqësitë e dikujt, përfshirë edhe të miat. Nuk kuptoj pse njerëzit, së paku ata që njoh, janë aq të sigurt në bindjen e tyre se, sa herë që shpreh pakënaqësinë për diçka, patjetër duhet të më japin një këshillë! Nuk kam nevojë për këshilla, ndonjëherë mjafton që thjesht të më dëgjojnë.

Sa herë vendos të flas për brengat e shpirtit dhe zemrës sime e për të gjitha ato që më zënë frymën, marr të njëjtën këshillë: duhet të durosh dhe të tregohesh indiferent ndaj asaj që të shqetëson. Sa kollajshëm e thonë këtë! Sikur durimi dhe indiferenca të ishin gjërat më të lehta, por edhe krejt të zakonshme.

Nuk dua të gënjej. Sa herë më këshillojnë në këtë mënyrë, bëhem keq fare.

Të tregohem i durueshëm? Ta duroj zbrazëtinë si një prani të përhershme dhe të gjithëfuqishme? Po pse duhet ta bëj këtë?

Pastaj, për ç’arsye duhet të tregohem indiferent? Indiferent ndaj kujt? Ndaj vetes dhe çdo gjëje që është e rëndësishme dhe me vlerë për mua? Të mos harrojmë se po flasim pikërisht për ato gjëra që të prekin thellë në zemër dhe që kanë fuqi ta ndryshojnë ngjyrën e shpirtit.

Jo! Një indiferencë e tillë është e turpshme, ndërsa durimi, në këto rrethanat tona, nuk është më virtyt. Është dorëzim!

(Lulu)

Njëlloj si ti, edhe unë jam lodhur. Dhe, a e di se po kështu ndihen edhe shumë të tjerë?

Jam lodhur duke pritur, jam lodhur nga “ndryshimet” që askurrë nuk ndryshojnë asgjë, jam lodhur nga morali, nga fajet, ankthet dhe lajthitjet kolektive. Por më së shumti jam lodhur nga nevoja që të dehem, në mënyrë që të mund të ndihem sadopak i lirë dhe i kthjellët.

Por edhe pse zemrat i kemi të helmatisura dhe shpirtin po e mbajmë në disa fije të holla shprese, që jo rrallëherë na këputen në duar, nuk guxojmë të dorëzohemi dhe, të molisur, të shtrihemi në pavijonin pa dalje të shpresës së humbur!

Nuk guxojmë, sepse jeta jonë duhet ta ketë një kuptim.

(Lulu)

Mbrëmë pashë një ëndërr shumë të çuditshme. Kisha vdekur dhe ishte dita e varrimit tim. Ndërkaq, bashkë me një tjetër, edhe ai i vdekur, gjithë këtë skenë e shihnim nga bota e përtejme.

“Sa shumë!”, më tha miku im fantazmë.

“Kush? Për çfarë e ke fjalën?”, e pyeta, dhe miku im fantazmë më tha se më kishte zili për gjithë ata miq që paskësha pasur.

Nuk e kisha menduar kështu. Vërtet, kush ishin gjithë ata njerëz? Miqtë e mi? Po pse atëherë nuk po i njihja?

Këtë ia thashë edhe mikut tim: “Kam jetuar mjaftueshëm gjatë dhe mbaj mend pothuajse çdo hollësi, çdo bisedë, çdo shikim, qoftë të drejtpërdrejtë apo tinëzar. Këto fytyra i mbaj mend, por shumë pak prej tyre po më kujtohen si miq.”

Kjo ëndërr më bëri të mendoj shumë për vendimet, në pamje të parë shumë të çuditshme, të disa artistëve që, përkundër famës dhe suksesit, kishin lënë amanete specifike që të varroseshin me ceremoni tejet private. Me siguri janë ndier të trembur e të fyer nga mundësia që, njëlloj si në ëndrrën time, nga bota e përtejme, do të mund t’i shihnin “miqtë” dhe “dashamirët” duke derdhur lot krokodili e duke thurur fjalët më të mira, pikërisht ato fjalë që ua kishin mohuar për së gjalli.

Sa e neveritshme është kjo shprehia jonë që fjalët më të mira dhe respektin për dikë i ruajmë vetëm për atë rast, kur për të gjitha duhet të shprehemi vetëm në kohën e shkuar.

(Lulu)

Nuk dua që jeta ime të ketë kuptim vetëm pasi të vdes!

Kjo mënyra jonë e të jetuarit nuk të lë shumë mundësi për veprim, prandaj duhet që jetës sonë t’ia japim vetë kuptimin. Motivi ynë duhet të jetë vetëm personal, ndërkaq duhet të udhëhiqemi vetëm nga ideja se duhet dhe mund të jetojmë më mirë.

Duhet të rezistojmë!

Por nuk ka pse të vazhdojmë të ecim me lajthitje të reja: mbijetesa nuk është rezistencë!

Nuk mjafton që vetëm t’iu qëndrojmë besnikë ideve dhe mendimeve tona, por t’i shprehim dhe t’iu japim zë atyre, në mënyrë që ato të kenë sadopak mundësi për t’u jetësuar.

Në këtë përpjekje tonën që mendimeve dhe ideve t’iu japim zë, nuk duhet të presim asgjë nga askush.

As nga mediat, që do të duhej të ishin dritarja e mendimit tonë të lirë, nuk mund të presim ndonjë gjë. Një pjesë e madhe e tyre e kanë braktisur me kohë idealin e përpjekjes për të drejtat tona. Ato na kanë tradhtuar pakthim.

Edhe më naivët e kanë kuptuar se, pavarësisht pohimeve për mbrojtje të parimeve, në fund të fundit, edhe mediat janë pronë e dikujt dhe këta pronarë, njëlloj si të gjithë të tjerët, bëjnë kompromise në shërbim të interesave të tyre të ngushta. Ndërkaq, si pjesë e këtyre marrëveshjeve e kompromiseve, një pjesë e mirë e mediave janë kthyer në mekanizma legjitimë për të njollosur kundërshtarët.Kjo është arsyeja pse bota sot është dhënë aq shumë pas rrjeteve sociale, aq sa ato janë shndërruar në mediume më vete, në rritje të vazhdueshme. Rrjetet sociale kanë rikthyer besimin në parimin e mbështetjes dhe të mobilizimit masiv rreth ideve të rëndësishme, diçka e harruar dhe e ndrydhur nën trysninë e sensacioneve dhe telenovelave.

E ndërkaq, nuk duhet të presim asgjë as nga politika. Nëse jemi kundër pushtetit, nuk do të thotë se jemi për këta të tjerët. Por, në të njëjtën kohë, fakti që nuk ka opozitë të vërtetë, nuk do të thotë se pushteti është i mirë.

Si në marrëdhënie me mediat, ashtu edhe me politikën, sot më shumë se kurrë vlen maksima “Mbreti është lakuriq”. U tha çfarë u tha, u bë çfarë u bë, pavarësisht dekorit dhe marketingut të mirë, njerëzit e kanë kuptuar se kush vërtet qeveris dhe kush vërtet tërheq fijet nga prapa kuintave.

Nuk duhet të presim ndonjë gjë as nga artistët, nëse arti i tyre ka synim të vetëm të bukurën sipërfaqësore. Arti duhet të jetë zëdhënës fisnik i dëlirësisë së natyrës njerëzore për t’u rebeluar dhe për të synuar vazhdimisht një jetë më të mirë. Pa përmasën specifike të rebelimit, arti është vetëm riprodhim, stolisje e zbrazët për qëllime dekorative. Elitat tona parapëlqejnë pikërisht këtë formë të artit, që ta promovojnë atë si kulturë, sepse i druhen artit kadarean që synon katharsisin shpirtëror, ngaqë e dinë se ky shteg e çon njeriun vetëm drejt ideve të dashurisë dhe të humanizmit. E dinë se vetëm dashuria mund ta motivojë njeriun përtej pikës ku mposhtet çdolloj frike dhe hezitimi.

Duhet të ruhemi nga artistët dhe ata që shtiren si mendimtarë, por që, në çdo rrethanë a situatë të vështirë, vazhdimisht heshtin.

Të gjithë këtyre njerëzve iu duhet thënë në fytyrë se me heshtjen e tyre, ata përligjin padrejtësitë.

(Lulu)

Elitave tona, jo vetëm të politikës, duhet t’ua themi hapur: modernizimi i shoqërisë sonë (diçka përtej asaj që në mesin e shekullit XX e quanim emancipim) është apo nuk është interes (madhor) kombëtar?

Nuk mund të vazhdojmë të themi se jemi pjesë e Evropës, se duam të jemi pjesë e botës së qytetëruar dhe në të njëjtën kohë të përballemi me provincializmat dhe mentalitetet e një kohe të tejshkuar.

Sot, nëse synon të jesh thjesht një njeri normal që dëshiron të jetosh njëlloj si qytetarët e botës vërtet të lirë, atëherë duhet që patjetër të izolohesh nga provincializmi dhe mendjelehtësia e atyre që t’i çajnë veshët duke të kritikuar për mungesë serioziteti. Janë po këta që, edhe pse tërë kohën hiqen si bashkëkohorë, bëjnë çdo përpjekje të mundshme që të ruajnë mendësinë prapanike, ku njerëzit ende duhet të ndrydhin veten, ndjenjat dhe mendimet.

Askush nuk ka të drejtë që të na kërkojë çfarëdo në emër të asnjë ideologjie apo diç tjetër, nëse, po i njëjti, nuk e ndien si të domosdoshme, përparësi mbi të gjitha përparësitë e tjera, që të angazhohet në modernizimin e vërtetë të shoqërisë sonë, që të bëhemi një shoqëri jo vetëm e lirive qytetare, por edhe e lirive individuale në të gjitha rrafshet e qenies sonë e sidomos në atë vetjak. Një shoqëri ku individi do të ndihej vërtet i lirë, që të ndjekë ëndrrat dhe të ndihet plotësisht i përmbushur.

(Lulu)

Nuk është aspak e rastit që përgjatë tërë historisë, fanatikë e konservatorë të ndryshëm, të ideologjive e besimeve të ndryshme, frontin më të madh e kanë hapur pikërisht kundër ndjenjave të njeriut, ndërkaq synim të vazhdueshëm kanë pasur gjetjen e sa më shumë kufizimeve dhe normave të tjera (jo vetëm në emër të moralit) për të kontrolluar energjinë shpërthyese të ndjenjave.

Fanatikët e të gjitha ngjyrave e dinë shumë mirë se vetëm dashuria ka fuqi ta mbjellë dhe ta kultivojë ndjenjën e besimit në atë që (në pamje të parë) duket e pamundur. Vetëm dashuria ka fuqi ta motivojë njeriun që të çlirohet prej kthetrave të çfarëdo diktature.

(Lulu)

Në fillim të kam thënë se dashuria mes një mashkulli dhe një femre është një nga misteret më të mëdha të universit. Kjo është e vërtetë, por po ashtu është e vërtetë se magjinë e zbërthimit të këtij misteri e ndiejmë vetëm atëherë kur tejkalojmë veten dhe vendosim të luftojmë për atë njeri që është mishërim i të gjitha etjeve tona shpirtërore, përgjigjja e vetme për flakët e pasionit që, në vend që të na djegin magjishëm, na paqtojnë shpirtin.

(Lulu)

Mos ki asnjë dyshim. Duke luftuar për njeriun që dashurojmë dhe ata që i vlerësojmë, luftojmë për të gjithë njerëzimin, luftojmë për mrekullinë që i jep ngjyra jete gjithë universit.