~ Rebelimi i Lúlus ~

Kur vetëmjaftueshmëria shitet si vlerë

Në përpjekje për t’u dhënë një kuptim ndjenjave të këqija që, duam apo nuk duam, mbushin zbrazëtinë që lë pas vetes mungesa e dashurisë, jemi bërë ithtarë të një ideologjie të re, asaj të vetëmjaftueshmërisë. Kemi sajuar dhe jemi duke promovuar me të madhe parullat: “duaje veten”, “unë e dua veten” dhe “vetja më mjafton”. Të duash veten nuk do të thotë se duhet të merresh vetëm me veten tënde.

Nuk habitem me shpejtësinë me të cilën këto slogane janë përhapur, sepse ka kohë që jemi kthyer në një sfungjer që thith çdolloj mode të re, por habitem me atë se pakkush e ndien se kjo prirje e re nuk është gjë tjetër, përveçse një mashtrim i madh.

Është kaq e thjeshtë dhe këtë e dimë të gjithë, por ashtu siç kemi zgjedhur që ta zhvlerësojmë dashurinë, tani zgjedhim që të merremi vetëm me veten dhe këtë ta shesim si një lloj vlere të kësaj kohës sonë të re.