~ Rebelimi i Lúlus ~

Heroizmi i të përgjumurve

Cili është veprimi ynë qytetar sot?

Qëndrojmë anash! A thua se të gjithëve na ka ikur zëri për të thënë diçka tonën.

Tingëllon ironike, por ne kemi gjetur një prehje të çuditshme në idenë se dikush tjetër (mbase udhëheqësit tanë dhe partitë e tyre, po të njëjtët që tërë kohën i shajmë) do ta artikulojnë më shkoqur atë që nuk po mundemi ta themi dhe se ata do të luftojnë për ne. Mbase kështu ka qenë në kohët e mëparshme, kur distancat mes njerëzish e vendbanimesh ishin të mëdha, kur edhe lëvizja e lajmit kërkonte kohë dhe fati i popujve ishte tërësisht në duart e përfaqësuesve dhe të udhëheqësve. Sot fati i popujve nuk vendoset më nga bilanci i luftës për pushtet mes partive, por nga vendosmëria e një individi të vetëm në synimin që t’i dëgjohet zëri.

Por, a duam vërtet që të na dëgjohet zëri? A duam vërtet të rebelohemi?

Jo!

Ne flemë rehat, shkruajmë komente online, që rëndom janë më shumë replika plot maraz e sharje ndaj komentit të dikujt tjetër dhe jo për temën që ka nxitur debatin. Kemi krijuar një bindje interesante se pakënaqësia jonë shprehet vetëm me një like apo comment ndaj asaj që ka shkruar dikush tjetër në rrjetet sociale. Ky kinse “rebelimi” ynë nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën dhe logjikën e debatit, por vetëm me atë të kafenesë, vetëkënaqësisë dhe përtacisë për të parë diçka përtej asaj që na kap syri, qoftë fizikisht apo në murin tonë virtual ku ndjekim zhvillimet. Në këtë kontekst, ta ngresh zërin, të tregosh pak guxim qytetar, gati përbën një akt heroizmi për ne.

(Lulu)

“Heroizma” të tillë nuk përkojnë me kohën tonë.

Të gjithë duhet të turpërohemi, nëse nuk ia dalim të krijojmë një shoqëri ku guximi qytetar është diçka e natyrshme dhe jo heroizëm.