~ Edith ~

Shtegu që rrallë kalohet

1

Ishim parë edhe herë të tjera, por ky ishte takimi ynë i parë. Një kryqëzim i beftë në rrugë apo pak kohë e kaluar bashkë duke pirë kafe, nuk mund të quhet takim. Së paku jo në botën time. Për mua, “takim” është përvoja kur dy shpirtra ndihen të lirë të shfaqen pa maska. Dy njerëz mund të rrinë bashkë me qindra herë, por nuk është e thënë që shpirtrat e tyre të takohen ndonjëherë. Takimi i vërtetë i dy shpirtrave është peng i besimit. Pa besim nuk mund të ketë liri dhe pa liri nuk ka as ndjenjë sigurie. Vetëm atëherë kur ndihet i lirë dhe i fuqizuar me ndjenjën e sigurisë se nuk do të keqkuptohet, njeriu i beson tjetrit dhe gjen kurajë të shfaqet me fytyrën e vërtetë.

Kjo kishte ngjarë edhe atë ditë të hershme pranvere. Që të dy ishim shfaqur me vërtetësinë tonë dhe më pas gjërat ndodhën vetvetiu. E vërteta është formula magjike më e fuqishme në botë. Është e vetmja që ka fuqi të shembë iluzionet dhe të hapë rrugë drejt shtigjeve të fshehura. Shtigjeve ku mund të njohim veten dhe të tjerët.

Në mënyrë të natyrshme dhe pa kurrfarë shtrëngese, shpirti im ishte tërhequr drejt gjysmës tjetër. E kishte ndier vazhdimësinë e vetes. E kishte gjetur plotësimin e fjalës së papërfunduar, që tërë jetën më mbështillej në gojë, si dhe të mendimit të lënë përgjysmë, që ishte burim i të gjitha trazimeve të mia. I përplotur nga magjia e së vërtetës, shpirti im kishte njohur Edith-in, shpirtin tim binjak, andaj nuk e ndieja më zbrazëtinë brenda vetes.

Sa herë e kujtoj atë ditë, e kuptoj se nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Çdo gjë në jetën time më kishte shtyrë drejt këtij çasti. Çastit të vetëm të vërtetë. Kthesës së madhe. Çastit kur unë do ta bëja hapin tjetër të madh. Atë drejt universit të pafund që shtrihet brenda secilit prej nesh.

2

Unë jam kërkues i së vërtetës së fshehur, pelegrin në shtegun që rrallë kalohet. Ata që nuk i kuptojnë këtë gjëra do të thoshin se jam magjistar! Por ngadalë, s’ka pse të të fluturojë mendja drejt kështjellave të Herri Poterit, shkopinjve magjikë të përrallave apo fshesave fluturuese të shtrigave. Nuk ekziston diçka e tillë, por gjithsesi, përtej ndjesive të shqisave tona, shtrihet një botë e fshehur. Në të vërtetë shtrihen shumë botë, dimensione paralele, që të gjitha të shtrira në pafundësi përbri njëra-tjetrës.

Pjesa më e madhe e njerëzve janë tërësisht të verbër në raport me këtë botë të fshehur, andaj të kuptuarit e tyre për veten, për jetën dhe për botën është i kufizuar në ndjesitë e tyre fizike. Ata nuk shohin dhe as nuk ndiejnë asgjë përtej asaj që ua kap syri dhe, rrjedhimisht, janë pasivë në raport me botën e fshehur që na rrethon. Këta mund të duken të qetë, madje kohë pas kohe mund të të lënë përshtypjen se janë të lumtur dhe të kënaqur. Por e vërteta është se ndiejnë një trazim zhgënjimi përherë të pranishëm. Një zë që nuk mund të shurdhohet me asnjë qejf dhe dehje që mund të ofrojë bota materiale.

Ndërsa janë edhe disa të tjerë, shumë të paktë në numër, por që e ndiejnë këtë botë të fshehur. Sfidohen prej saj dhe nuk ndalen derisa ta njohin tërësisht. Këta ecin shtegut që rrallë kalohet. Bëjnë gjëra që për shumë të tjerë janë të paarritshme dhe prandaj quhen magjistarë. Në të vërtetë, magjia nuk ekziston. Çdo gjë në natyrë është vetëm dituri. Dhe ekzistojnë vetëm dy lloje të diturisë. Dituria që njohim, ajo që tashmë është zbuluar, si dhe dituria e fshehur, ajo që pret të zbulohet.

Megjithatë, duhet ta pranoj. Fjala “magjistar” është shumë tërheqëse. Është misterioze. Ngacmuese. Edhe mua më pëlqen tingëllima e kësaj fjale. Kështu që, po. E pranoj. Unë jam magjistar! Nuk ka si të jetë ndryshe. Mendoje pak. Si ndodhi që brenda një kohe kaq të shkurtër të mësosh për mua? Ka edhe shumë të tjerë, me siguri shumë më të zotë se unë, po për ta nuk ke dëgjuar. Mbase edhe nuk do të dëgjosh kurrë. Pse? Si? Apo ndoshta një forcë tjetër është në veprim?

3

Natyrisht, ekziston edhe një shpjegim tjetër për gjithë këtë. Një shpjegim që të ka rastisur ta dëgjosh shpesh. Ai që e di se çfarë do, nuk lejon të shpërqendrohet nga qëllimi dhe i tëri përkushtohet për realizimin e asaj që synon, e ka të garantuar suksesin. Pra, i bie që secili nga ne mund të bëhet magjistar, por jo gjithkush është. Nejse, më duket se ta koklavita pak këtë rrëfim. Andaj më mirë është që të kthehem në fillim. Në kohën kur, si adoleshent, hodha hapat e para në shtegun që rrallë kalohet. shteg ku nuk do të njihja vetëm veten, por do të njihja edhe atë dhe, bashkë me të, edhe natyrën e vërtetë të botës.