~ Edith ~

Nga ditari virtual i një shkrimtari (4)

Hana nuk ishte si të tjerat.
Ajo ishte ndryshe. Dhe më e bukur se gjithë të tjerat. Një kombinim fatal që e çonte deri në qiej fantazinë e çdo mashkulli.
Ndërsa ai ishte mbret i rrugëve, por para saj ishte i pafuqishëm.
“Oh, Zot, sa e bukur është!” mendoi dhe as për një sekondë të vetme nuk mundi ta largonte shikimin nga sytë e saj.
Kaçurrelat e Hanës sikur spërkateshin nga rrezet e diellit, ndërsa buzëqeshja e saj ishte si një vegim i përrallshëm. A thua se ajo nuk ishte e këso bote. A thua se bukuria e saj ishte krijuar vetëm për të magjepsur.
“Si është e mundur që një engjëll si ti të dashurojë një vagabond si unë?” pëshpëriti, ndërsa dora e tij kaloi lehtë nëpër kaçurrelat e saj.
“Ndoshta për shkak se zemra gjithnjë është rebele. Dhe kjo zemër rebele mund të dashurojë vetëm një si ti. Mund të më shajnë. Le të thonë çfarë të duan, por unë gjithnjë do të dashuroj vetëm vagabondin brenda teje”, tha ajo dhe në çast iu hodh në qafë.

NGA DITARI VIRTUAL I NJË SHKRIMTARI