~ Edith ~

Absurdi i të jetuarit

1

Sh-në nuk e pashë më kurrë, sepse ai u zhduk pa paralajmërim dhe pa asnjë shenjë. Shokët e grupit nuk dinin të jepnin asnjë shpjegim se çfarë ndodhi me të. Disa thoshin se kishte shkuar për punë në Perëndim, disa të tjerë thoshin se ishte nisur për rrugëtim shpirtëror në Indi apo Tibet, ndërsa ishin disa të tjerë që pëshpëritnin se Sh-ja i ishte bashkuar një grupi klandestin që po përgatiste luftën çlirimtare kundër ushtrisë dhe policisë së Millosheviçit.

Mua më pëlqente ta besoja këtë të fundit, sepse njerëzit që po rrezikonin jetën e tyre vërtet kishin nevojë për dikë si Sh-ja. Ai ishte i qetë, njeri i urtë dhe mbi të gjitha ishte dikush që mund ta ndiente rrezikun. Më dukej sikur e shihja Sh-në se si po i përdorte dhuntitë dhe dijen e tij për të kuptuar planet e armikut, si po i udhëzonte shokët e luftës për të shmangur rreziqet dhe nga kush të ruheshin. Sidoqoftë, askush nga ne nuk e dinte se ku kishte shkuar vërtet Sh-ja dhe me largimin e tij humbi edhe interesimi im që të isha pjesë e grupit.

Tani isha vetëm. Çfarëdo rrugëtimi që të më priste e për të cilin më kishte përgatitur Sh-ja, duhej ta bëja vetëm. Papritmas gjërat nuk m’u dukën edhe aq joshëse. Pse duhej ta kërkoja shpirtin tim binjak, nëse kjo do të hapte një kapitull të ri dhembjeje? Pse duhej ta gjeja shpirtin tim binjak vetëm që të kuptoja dhembjen e dashurisë? Pse duhej të ngarendja që ta ndieja dashurinë, nëse kjo do të më lëndonte? Për mua thelbi i jetës ishte gjetja e dashurisë së vërtetë dhe lumturisë që kjo duhet të sjellë, ndërsa Sh-ja kishte thënë se nuk do të mund t’ia dija vlerën as dashurisë dhe as lumturisë nëse më parë nuk ndieja dhembjen e dashurisë. Mendja ime e refuzonte logjikën e atyre që më kishte thënë Sh-ja. Dhe kështu ngela në vend.

Përsëri isha kthyer në fillim dhe, po ashtu si dikur, nuk dija ku ta kapja fillin. Kështu ditët u shndërruan në javë, javët në muaj dhe, sa çel e mbyll sytë, koha ikte me të shpejtë, ndërsa unë ende nuk kisha hedhur as edhe një hap të vetëm tutje. Prisja diçka, edhe pse nuk e dija se çfarë po prisja.

I paaftë që të hidhja hapa përpara, besoja se përsëri do të shfaqej dikush që do të më drejtonte. Dhe meqë kjo nuk ndodhi, me kalimin e kohës fillova të dyshoj në gjithçka që kisha parë dhe kisha përjetuar sa kohë që isha pjesëtar i grupit “Mjellma”. Madje fillova të dyshoj edhe në vërtetësinë e udhëtimit mental në plazhet e Durrësit. Asokohe sapo kishte filluar përdorimi i internetit dhe aty kërkova fotografi të Durrësit. Për habinë time, pamjet e Durrësit e tregonin një peizazh të njëjtë me atë që kisha parë gjatë udhëtimit mental me Sh-në, por as kjo nuk mjaftoi të më bindte.

Për çdo ditë që kalonte, dyshimi brenda meje veçse shtohej edhe më shumë. E kështu, një ditë u zgjova me bindjen se gjithçka ishte vetëm mashtrim i mendjes sime. Gjithçka, pra, përfshirë edhe vegimet e mia për Edith-in. As nuk kisha udhëtuar mentalisht deri në Durrës, as nuk ekzistonte shpirti im binjak dhe as nuk kisha parë ndonjëherë ndonjë imazh të vërtetë të dikujt që mund të ishte shpirti im binjak. Të gjitha ishin vetëm andralla të një njeriu që refuzonte të dilte nga adoleshenca.

I ballafaquar me idenë se tanimë duhej ta vazhdoja rrugëtimin i vetëm, papritmas e kisha humbur guximin. Dhe posa e humba guximin që të ecja përpara, qenia ime u lidh fort më atë që shihte aty për aty. Në pamundësi të zbuloja kuptimin që kërkoja, pa e vënë re fillova të krijoj kuptime të reja në gjërat që më rrethonin. Kishte pak rëndësi nëse ato gjëra fshihnin ndonjë kuptim; e rëndësishme ishte se unë doja t’u jepja kuptim.

2

Zgjodha një personazh me të cilin do të shfaqesha. Një maskë prapa së cilës do të fshihesha. Do të bëhesha pjesë e ballos masive të maskave, që luhet tërë kohën dhe kudo. Jo vetëm se pranova rolin tim në teatrin e të jetuarit, por e përqafova aq fort atë saqë personazhi që kisha zgjedhur filloi të ndihej komod. Personazhi kërkonte kontroll të plotë dhe mënyra më e mirë për ta arritur këtë ishte duke synuar që tërë kohën të ishte në qendër të vëmendjes.

Është e thjeshtë. Nuk mund të thuash: “Dua ta kaloj lumin më këmbë, por nuk dua të lagem”. E njëjta gjë vlen edhe kur është fjala për teatrin e të jetuarit. Nuk mund të thuash: “Do të vë një maskë, por nuk dua që kjo të cenojë individualitetin tim”. Në çastin kur e kisha vendosur maskën, unë isha lagur dhe, në çdo hap tjetër që bëja, maska bëhej më e dallueshme.

Personazhi që kisha zgjedhur gjithnjë e më shumë ishte në qendër të vëmendjes. Tërë kohën zbulonte disa gjëra të reja që më parë më ishin dukur tërësisht të kota dhe që u kushtoja rëndësi, a thua se e tëra bota varej prej tyre. Duhet ta bësh këtë, sepse kjo pritet nga ti. Duhet ta bësh atë, sepse edhe kjo pritet nga ti. Nuk duhet ta bësh këtë, sepse do të hidhërohet ai ose ajo. Nuk duhet të sillesh kështu, sepse do të të përqeshin këta ose ata. Duhet të veshësh këtë dhe jo atë, sepse kjo është trendi ndërsa ajo është jashtë mode.

Aq e fuqishme ishte kjo trysni, saqë gjërat pas të cilave vraponte personazhi im ma vidhnin gjumin. Rrija zgjuar deri vonë dhe vrisja mendjen për këtë apo atë gjë dhe mezi e prisja mëngjesin, që më pas të vrapoja pas tyre deri në mbrëmje. Këto gjëra u bënë thelbi i çdo gjëje. Arsye për t’u zgjuar në mëngjes dhe një arsye mjaftueshëm e fuqishme që të rrija zgjuar deri natën vonë.

Me thënë të vërtetën, bota e rrejshme e personazhit tim fitonte vërtetësi vetëm nëpërmjet këtyre gjërave. Dhe nëse këto gjëra do të zhdukeshin atëherë, do të zhdukej edhe arsyeja që të ekzistonte edhe personazhi. Nëpërmjet këtyre gjërave, personazhi fitoi një kontroll të plotë mbi mua. Shtytjet e tij u bënë edhe nxitjet e mia dhe frika e tij u bë edhe frika ime. Dhe gjëja që më së shumti e trembte personazhin tim ishte situata kur do të shteronin këto gjëra, sepse atëherë do të mund të kujtohesha për të gjitha ëndrrat e mia. Do të zgjohesha dhe do të synoja një botë tjetër. Një botë ku këto gjëra të kota ishin vetëm pengesa dhe ngatërresa të panevojshme.

3

Por çfarë kishte ndodhur me mua? Si u bëra peng i personazhit që kisha zgjedhur për vete? Si ndodhi që maska të bëhej më e fuqishme se vetja ime e vërtetë?

anë gjërat e vogla dhe të imta që na tërheqin vëmendjen dhe më pas na kurthojnë. Është intere-ante se si njeriu mashtrohet pas gjërave të vogla dhe të imta dhe sa shumë rëndësi u jep atyre. Në fillim i merr si lojë, si një të keqe e domosdoshme, me të cilën beson se edhe mund të argëtohesh dhe fare pa e vënë re ngatërrohesh në rrjetën e tyre të ndërlikuar. Të vogla, të imta dhe të parëndësishme në dukje, por që kanë fuqi të na konsumojnë nga brenda dhe të na imponohen, a thua se vetëm nëpërmjet tyre fiton kuptim bota jonë. Derisa një ditë lodhemi. Lodhemi aq shumë sa edhe bëhemi të varur nga këto vogëlsira. Dhe për të shpëtuar prej kthetrave të këtyre gjërave të imta duhet guxim i madh. Guxim që zakonisht mungon, sepse e keqja të imponohet si diçka e domosdoshme, si diçka pa të cilën mund të bëhet edhe më keq.
Pa dyshim që jeta është një aventurë e bukur, ku çdo ditë diçka ndryshon dhe ku edhe gjërat e njëjta, në çdo ditë të re, mund të përjetohen ndryshe. Një aventurë ku ti je dikush. Por jeta di të shndërrohet edhe në një ritual shterp, ku imitohet të jetuarit dhe ku edhe gjërat e ndryshme i përngjajnë njëra-tjetrës. Një ritual ku ti je vetëm diçka.

Kjo kishte ndodhur edhe me mua. Nga gjallëria e një aventure kisha rënë në pagjakësinë e një rituali.

Tani nuk e ndieja më shpirtin e botës. Përkundrazi, bota më ngatërrohej nëpër këmbë dhe ma zinte frymën. Entuziazmi im i ditëve në shoqëri me Sh-në dhe me të tjerët u tret nën pluhurin e harresës dhe ia la vendin një botëkuptimi tjetër, ku pothuajse gjithçka matej me syrin e interesit të çastit. Dukesha po i njëjti, por diçka ishte tjetërsuar brenda meje. Nëse më parë e ndieja se kisha krahë dhe mund të fluturoja, tani e kisha të vështirë të ecja pa u mbështetur diku. Më duheshin gjërat e vogla dhe të imta. Më duhej diçka për ta vrarë kohën. Absurd i të jetuarit. Ta vrasësh kohën dhe të ndihesh i kënaqur me këtë.

4

Dëshpërimi mund të shfaqet në çdo kohë dhe rëndom vjen kur më së paku e pret. Kështu kemi dëshirë të themi, madje këtë mendim e kemi shndërruar në një lloj miti urban, por e vërteta është ndryshe. Dëshpërimin ne e ftojmë vetë. Nga pamundësia për të ecur përpara, nga përtesa dhe jo rrallëherë edhe nga frika që të shkojmë në drejtimin që na e ndien shpirti, vetvetiu ecim në kahen e kundërt. Me vetëdije bëhemi të huaj me veten, si një lloj arratie e vullnetshme nga ëndrrat, një vetësyrgjynosje derisa i humb kuptimi çdo gjëje. Dhe kjo ndjell zhgënjimin me veten dhe mërzinë që çdo herë vjen pas kësaj të fundit. Ndjenjën e këputjes në shpirt dhe të lodhjes pa shkak, që kulmon me dorëzimin para valëve të dëshpërimit.

Mbase njeriu ka nevojë ta ndiejë rrezikun e vetëshkatërrimit, në mënyrë që të mbledhë forcat e të ngrihet më këmbë. Ndonjëherë kemi nevojë të shohim se askush nuk do të vrapojë për të na shpëtuar dhe se janë shumë të paktë ata që vërtet do ta ndiejnë mungesën tonë. Sikur kemi nevojë ta bindim veten për këto, në mënyrë që të kemi një arsye që, më pas, të mbushemi me inat, të ngarkojmë bateritë tona të vetëvlerësimit dhe të përpiqemi ta gjejmë sërish rrugën tonë.

Inati është si një lloj droge. Nuk të deh shqisat, por shpirtin. Të mbush me ndjenjën e guximit dhe të bindjes se je i pamposhtur, sepse, kur këto të dyja shkrihen me njëra-tjetrën, ngjizet një ndjesi fine e dëlirjes. Dhe sa më shumë që ndien kënaqësi, aq më shumë do ta kërkosh atë, derisa të bëhesh i varur nga kjo ndjesi.

5

Dhe vërtet askush nuk vrapoi të vinte për të më shpëtuar dhe vërtet ishin të paktë ata që treguan brengosje të sinqertë për faktin se unë rrija në vendnumëro. Edhe pse bota nuk e dinte arsyen e vendnumërimit tim, sidoqoftë askush nuk duhet të qëndrojë indiferent përballë dëshpërimit të tjetrit, kushdo qoftë ai njeri.

Kjo përvojë e papritur, ky zhgënjim i radhës me njerëzit dhe indiferencën e tyre, ishte edhe një shtysë më shumë që të kthehesha në guaskën time. Edhe njëherë u bëra i tërhequr, edhe njëherë vendosa të rrija larg njerëzve, i bindur se kështu do ta mbroja veten. Doja që edhe unë të isha indiferent, të mjaftohesha me qetësinë dhe sigurinë e guaskës sime, por sa më shumë që përpiqesha ta bëja këtë, aq më shumë zhytesha në vorbullën e inatit.

Njeriu mësohet me gjithçka. Më e keqja është se ne mësohemi të heshtim për gjërat që na lëndojnë, madje heshtim edhe për thelbin e dëshpërimit tonë: mjerimin që ndiejmë dhe që na tremb dhe na trishton aq shumë. Por unë isha ngopur nga zymtësia e mjerimit, ndërsa inati brenda meje shembte çdo koracë që krijoja përreth vetes.

Si duket edhe unë kisha pasur nevojë ta bindja veten se në këtë botë njerëzit të duan vetëm atëherë kur je vlerë e shtuar në jetën e tyre, të duan kur shfaq tepricë të energjisë dhe të vullnetit, sepse, në mënyrë të pavetëdijshme, shpresojnë se do të thithin diçka nga kjo energji. Dhe pakkush të do atëherë kur nuk ka çfarë të marrë nga ti. Pakkush ka kohë dhe vullnet të merret me plogështinë që ndien në shpirt dhe me mungesën e durimit, pa të cilin nuk mund të bësh asgjë.

Nuk është se mësova diçka të re. Edhe nëse nuk e kemi provuar të gjithë, në një mënyrë jemi të vetëdijshëm për këtë ashpërsi të jetës. Por, përkundër kësaj, kisha nevojë ta bindja veten për të gjitha këto, në mënyrë që më pas ta ndieja se si inati po vlonte brenda meje. E vetmja forcë që kishte fuqi të më nxiste dhe të më shpëtonte nga përmbytja në dëshpërim dhe zhgënjim.

6

Ndryshimi, qoftë edhe për të mirë, nuk kalon pa dridhje. Papritmas kisha frikë nga ato që do të sillte jeta. Sado që të mbledhësh inat, asnjëherë nuk arrin të mbledhësh aq sa duhet për t’u çliruar nga frika. Duhej ta mposhtja këtë frikë, por paradoksi i radhës ishte se tani kisha frikë për ta mposhtur frikën nga të papriturat e jetës. Kështu ndodh zakonisht kur i stërhollon gjërat deri në absurd. Duke u përpjekur të jesh gati në mënyrë të përsosur, e vetmja gjë që e arrin është se kurrë nuk do të bëhesh gati.

Dhe kështu vazhdoi për një kohë derisa e ndjeva se e vetmja gjë prej së cilës duhej të trembesha ishte vetja ime. Duhej të trembesha nga fuqia shkatërruese e një zhgënjimi të ri, nga trysnia e rëndë, që e dija se do të ishte e papërballueshme, nga një valë e re dëshpërimi.

Në këtë ritëm, duke e lëshuar veten në kthetrat e dëshpërimit dhe duke u ringjallur nëpërmjet inatit, pa e ditur, hapa rrugën drejt sprovës së parë.