~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 51

Gjithçka është krijuar në çift. Aty diku, në një skaj të botës, është dikush për secilin për ne! Është kjo gjysma tjetër e asaj çka jemi. Shpirti ynë binjak! Këto dy pjesë janë si dy polet e magnetit, që pavarësisht se ku gjenden dhe kundër çdo logjike njerëzore, tërhiqen ndaj njëri-tjetrit.

Sonte dua të flas për atë! Për gjysmën tjetër të shpirtit tim.

Çdo shenjë në jetën time, më ka drejtuar gjithmonë tek ajo.

Mendova se do ta gjeja në skajet më të largëta të botës dhe nuk e dija se ajo kishte qenë tërë kohën këtu.

Ja se çfarë i kam shkruar asaj:

Do të doja që edhe ti ta mbaje mend ditën e parë, atë çast kur gjithçka u krijua në çift, atëherë kur të gjithë shpirtrat u lëshuan nëpër botë që të gjenin njëri-tjetrin.

Edhe atë ditë, ne të dy ishim bashkë. Atë ditë kur të premtova se do të të gjeja, pavarësisht se ku do të na nxirrte jeta dhe pavarësisht pas sa mijëra e mijëra fytyrash të fshiheshim.

Prej aty kam ndjekur edhe shenjat e tua, që i ke lënë prore në pakohësi e në pafundësi. Këto shenja janë e vetmja hartë që më sollën tek ti!

Mos u habit!

Mos pyet pse!

Në sytë e ty shihet vetë shpirti im…

 

Në sytë e ty shihet po i njëjti mal i madh me dhimbje që na bashkon dhe po e njëjta botë me njerëz të panjohur që na ndan.

Ti je gjysma tjetër e shpirtit tim! Nëse nuk je gjysma tjetër e shpirtit tim, tregomë atëherë pse unë e ndiej çdo dridhmë tënden ?

Pse e ndiej çdo lot që ti nxjerr, çdo dëshpërim që të kaplon ?

Pse, atëherë, kur ti je e lumtur, unë e prek qiellin me dorë?

E ndiej çdo drithërimë të shpirtit tënd, sepse ato janë edhe drithërimat e mia.