~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 47

Sot, ndërsa po bubërroja në arkivin tim, rastësisht gjeta dy letra dashurie. I kam shkruar në dy periudha të ndryshme të jetës sime. Njërën kur isha adoleshent, ndërsa tjetra e mëvonshme. Kur i lexova, dallova qartë se unë, ashtu si gjithë njerëzit e tjerë, e kam ndryshuar mënyrën se si e kam vështruar botën. Thjesht, nga një botë me shumë ngjyra, njeriu sikur shkon drejt një bote më gri.

Sonte dhe nesër mbrëma do të t’i tregoj këto dy letra. Shpresoj të të ngjallin interes.

Kjo është letra e parë:

Ti je trëndafil në zemrën time.

Ti je lule që kurrë nuk do të thahet.

Lulet janë shenjë e jetës, ngase ato jetojnë edhe pa rrënjë! Mjafton t’i fusësh në ujë dhe, si për mrekulli, rrënjët dalin përsëri.

Gjithçka në jetë mund të më shkojë mbrapsht. Jeta mund të jetë mizore me mua, por besomë: mjafton vetëm një mendim për ty dhe gjithçka rilind nga fillimi.

Me ty në zemër, ndihem i pamposhtur.

Vetëm mendimi për ty zgjon më të bukurën në shpirtin tim.

Mund të duket e pabesueshme, por ti ke shkëlqyer në shpirtin tim; çdo ditë e re që jetoj, është ditëlindje për mua.

Po! Kështu është!

Çdo ditë e re është ditëlindje për mua, sepse çdo mëngjes lind diçka e re brenda meje. Po e përjetoj jetën në dimensione të reja, që deri tani nuk ma merrte mendja se mund të ekzistonin.

Më thuaj, si mund të mos ndihem i bekuar? Si mund të jem në paqe me veten, nëse mrekullinë e kësaj rilindjeje të pandërprerë nuk e ndaj me të gjithë botën?

Të tjerët mund të duan ta kalojnë kohën me ty dhe ndoshta edhe kanë nevojë për ty, sepse duan të duken të rëndësishëm. Mund të jenë edhe qindra arsye tjera, madje edhe nga ato djallëzitë e hiletë që vetëm ne dimë t’i shpikim, por unë as që dua të di për to. Nëse bota vetëm këto sheh si shenja të dashurisë, atëherë unë po të them se nuk të dashkam ty.

Mos u habit!

Po ta përsëris edhe një herë: nëse këto djallëzi e hile shihen si shenja të dashurisë, atëherë unë po të them se nuk të dashkam ty. Ta them këtë sepse dredhitë e djallëzitë e varfërojnë shpirtin e njeriut dhe për këtë arsye shumëkush e sheh dashurinë si vuajtje.

Po si mund të vuajë dikush që, për shkakun tënd, rilind çdo mëngjes?!

Unë nuk vuaj. Unë jetoj në dashurinë time për ty.