~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 32

Sonte kam dëshirë të flas për magjinë e takimit të parë. Dhe mbresën nga ai takim e kam përshkruar në këtë poezi:

Në fillim ishte hija jote,

Më pas pashë buzëqeshjen tënde.

Dhe kur të ndjeva afër,

Aty për aty e kuptova se kisha rënë në dashuri ende pa më folur ti?

 

Magjia e takimit të parë zgjat deri në pambarim. Dhe kjo përvojë mund të përjetohet pafundësisht e gjithnjë të jetë si herën e parë. Unë këtë e quaj dromcë të amshueshmërisë që e përjetojmë në këtë botë. Pa dyshim, këtë dromcë amshueshmërie, së paku një herë në jetë, e përjeton secili prej nesh! Zakonisht kjo ndodh në çastet e para të një lidhjeje, kur dashuria ende nuk është infektuar nga intrigat e botës, atëherë kur dy të dashuruar shkrihen me njëri-tjetrin. Dhe vetëm me shpirtrat e tyre, ata arrijnë ta prekin amshueshmërinë.

Përpiqu ta kujtosh!

Kthehu në fillim!

Dita e parë!

Çasti zero.

Atëherë kur gjithçka fillon!

Të dy jeni pranë njëri-tjetrit. Trupat i keni shumë afër, por ata prapë nuk po preken! Çfarë ndjenje! Edhe pse nuk po prekeni, të bëhet sikur, në më pak se një sekondë, me miliona sinjale të gjithëllojshme, në trajtën e një elektriciteti të vrullshëm, po shkëmbehen mes jush.

Edhe pse të dy po heshtni, megjithatë ju po merreni vesh në një gjuhë të pafjalë, që vetëm ju të dy arrini ta kuptoni. Një heshtje që ngërthen të gjitha sinjalet që mund t’i dëshirojë gjithkush.

Të duket se koha është ndalur dhe se gjithçka po ndodh përnjëherë. Ajo çka dëshiron ndërkaq është që ai çast të mos mbarojë kurrë!

Ky përjetim, ky çast në kohë dhe në hapësirë – kjo është

amshueshmëria!

Një pikë e vetme! Një fragment shumë më i shkurtër se një sekondë, ku përmblidhet e gjithë koha e kësaj bote. Një pikë në kohë, ku gjithçka ndodh sakaq. Një çast kur shpirti kalon në një dimension tjetër dhe ndien se në krejt qenien tënde ke diçka shumë të madhe, diçka që nuk ke besuar se mund ta kishe brenda vetes. Është ky çasti i së vërtetës, që i zhvlerëson të gjithë kufijtë dhe skemat me të cilën e ke rrethuar veten. I vetmi çast që arrin ta mbushë boshllëkun në shpirtin tënd! Dhe më pas ky çast kalon dhe nuk përsëritet më kurrë!

Nuk e pata të vështirë ta përshkruaja këtë përjetim. Këtë ndjesi e kam përjetuar atëherë kur, për herë të parë, kam prekur dorën e një femre. Isha gjimnazist dhe ende i virgjër, i virgjër në çdo aspekt, madje i virgjër edhe në kuptimin e një kontakti më të thjeshtë me një femër. I virgjër edhe nga një prekje dore.

Më kujtohet si sot, se si ishim ulur buzë Lumbardhit. Nuk e mbaj mend se për çka po flisnim, por e di se të dy, në mënyrë të pavetëdijshme, përpiqeshim t’i afroheshim njëri-tjetrit. Po flisnin për gjëra fare të kota. Qeshnim pa ndonjë arsye. Por, në të njëjtën kohë, milimetër pas milimetri, që të dy afroheshim më shumë te njëri-tjetri. Dhe aty ndodhi. Rastësisht, preka dorën e saj. Dhe, për habinë time, ajo nuk e largoi.

Oh, Zot! Koha u ndal. Asgjë tjetër nuk ekzistonte më në këtë botë. E gjithë bota ime u zvogëlua dhe e tëra u vatërza në atë prekje dore. Gurgullima e ujit më vinte si një muzikë që më këndonte nga larg, ndërsa era e lehtë e grykës së lumit thuajse më dha krahë.

Gjithnjë kam menduar se, në çaste të tilla, zemra do të më rrihte shpejt, por aty ndodhi e kundërta. M’u duk se zemra ndaloi për fare. U treta. U përhumba. Nuk isha më vetja. Unë isha ajo.

Me miliona grimca kalonin nga ajo tek unë dhe anasjelltas. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja; që të gjitha përnjëherë. Dhe aty e pashë të gjithë jetën time. Ashtu thotë Bryan Adams-i, në një nga këngët e tij: në sytë e saj pashë fëmijët që ende nuk më kishin lindur. E pashë veten në të gjithë skenarët e mundshme të kësaj bote. Dhe më pas ai çast iku. U zgjova nga ajo gjendje e magjishme. Por një pjesë e shpirtit tim mbeti përgjithmonë e ngujuar tek ai çast, buzë lumit.

Në raportin që krijojmë me një njeri, gjithnjë dëshirojmë që magjinë e takimit të parë ta përjetojmë edhe herëve tjera, por harrojmë se amshueshmëria nuk mund të jetohet në këtë botë. Ndërkohë jeta vazhdon me ngritjet dhe uljet e veta dhe ky përjetim i bukur mbetet vetëm në kujtesë. Jeta, me të gji- tha të papriturat e veta, shpesh edhe të zhgënjen. Të zhgënjen edhe në pritmëritë që ke për veten dhe dashurinë. Kjo mund të të ndodhë ty. Po nuk mund të them se nuk më ka ndodhur edhe mua.

Mendoj se është e udhës që të ndaj edhe diçka tjetër me ty sonte. Në një çast të jetës sime, gjatë një krize, kam shkruar një letër. Me anë të saj kam kërkuar falje, por edhe e kam shprehur sërish dashurinë. Ndërsa e shkruaja atë letër, gjithë kohën kisha në mendje përjetimin e magjisë së takimit të parë.

Një pjesë të kësaj letre mund ta lexosh më poshtë:

Mos kërko prej meje fjalë të bukura!

Mos kërko prej meje të të ngashënjej! Mos kërko prej meje të bëj diçka që mund t’i bëjë shoqet e tua të lumtura! Mos kërko prej meje diçka që nuk mund të ta jap. Mos më detyro të bëhem i rëndomtë dhe si mijëra budallenjtë që të ndjekin pas.

Dashuria ime nuk fshihet në fjalët që mund të të them. As në e-mailet që të dërgoj. Nuk është as në buzëqeshjet që mund të të dhuroj.

Ajo ka mbetur e robëruar që në çastin kur jemi takuar për herë të parë. Atëherë kur në sytë e tu kam parë veten time. E kam parë mes shkëlqimin më të bukur!

Një çast të tillë, njeriu ndien energjinë e jetës se si sillet përreth tij! Është çasti kur e ndien se vërtet je gjallë, nuk je një gjë amorfe. Dhe kjo ndjenjë është dhurata më e çmuar që ke mundur të më japësh ndonjëherë.

Prandaj dhe gjithë jeta ime tani është shndërruar në një përpjekje të pafund, me qëllim që të njëjtën ndjesi, të njëjtën magji, të mundem të ta kthej edhe unë ty. Për këtë, nuk dua ta zhvlerësoj dashurinë time me fjalë të bukura, nga ato që ti ke dëshirë t’i dëgjosh e më të cilat pastaj të argëtosh shoqet e tua.

Më lejo të të jap të njëjtën magji që kam ndjerë ditën e parë, atëherë kur ta preka dorën për herë të parë. Më lejo të ta jap të njëjtën magji që kam ndier atëherë kur është robëruar shpirti im njëherë e përgjithmonë! Më lejo të ta jap të njëjtën magji që kam ndier atëherë kur e kam kuptuar, me tërë qenien time, se sa i pafuqishëm jam para teje!

Më lejo t’i bëj të gjitha këto dhe mos kërko vetëm fjalë nga unë.

Mos kërko fjalë dhe të tjera, sepse, më beso, ato janë fare pak!