~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 3

Dhimbja e dashurisë,

të duket sikur po të del shpirti.

po të shterin fuqitë.

thuajse ke humbur vetëdijen.

me miliona fjalë duan të shpërthejnë.

por të gjitha shuhen në heshtje.

Dhimbja e dashurisë rri e tkurrur në heshtjen e vet. Si një vullkan i vjetër, që vetëm nga jashtë duket i shuar dhe pret çastin kur do të shpërthejë.

Ndonjëherë heshtja flet më shumë se mijëra fjalë që mund t’i them unë, që mund t’i thuash ti apo që mund t’i thotë dikush tjetër për ty. Heshtja di të jetë edhe kumtuesja më e mirë i gjithë atyre gjërave që vlojnë brenda nesh e që assesi nuk gjejnë shteg për të dalë në sipërfaqe.

Gjithnjë kam thënë se njeriu duhet të flasë dhe ta shprehë atë që mban brenda vetes. U qëndroj këtyre fjalëve, por nëse flasim dhe shprehemi para të tjerëve, nuk do të fitojmë asgjë.

Ndonjëherë, edhe kur flasim, askush nuk na dëgjon. Nëse ndodh të na dëgjojnë, atëherë refuzojnë të na kuptojnë ose kuptojnë vetëm atë që u intereson. Sado që t’i zgjedhim fjalët, disa njerëz gjithnjë do të gjejnë mënyrën që ta keqkuptojnë atë që themi! Njerëzit e tillë nuk meritojnë asgjë më shumë se heshtjen tonë.

Mbaje mend!

Edhe heshtja flet!

Sidomos nëse di ta përdorësh për të thënë atë që fjalët nuk e shprehin dot!