~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 29

Me të drejtë, mund të më pyesësh: “Pse gjithë kohën shkruan vetëm për dashurinë? Pse nuk shkruan për të tjera gjëra e për të tjera tema?” Mund të mendosh ndërkaq se, me siguri, përveç historive romantike që përshkrova, kam përjetuar edhe gjëra të tjera.

Madje mund të mendosh edhe si disa, që thonë se dashuria është vetëm për adoleshentë. Se nuk është fare serioze që, një njeri në moshë, i martuar, me detyrime e përgjegjësi ndaj jetës, të shkruajë vetëm për dashurinë.

Edhe ti mund të bëhesh një nga ata që seriozitetin në jetë e përfytyrojnë si një figurë të ftohtë, si një fytyrë të mrrolur.

Edhe mund të bëhesh, por kjo përsëri nuk do ta ndryshonte qasjen time. Unë dua të shkruaj për dashurinë, sepse duke shkruar për të, në të vërtetë shkruaj për jetën. Nuk ka gjë më të bukur dhe më me vlerë se kjo. Ata që mendojnë ndryshe, nuk e kanë as idenë më të vogël se çfarë në të vërtetë është jeta.

Mua jeta nuk më ka përkëdhelur. Të kam thënë edhe më parë se, që nga adoleshenca e hershme e deri tani, asgjë në jetën time nuk ka qenë e lehtë. Sfida nga më të ndryshmet, përpjekje pa fund, përballje me rreziqe, zhgënjim nga gjithçka që është e bukur, por megjithatë as edhe një herë të vetme nuk e kam humbur dëshirën për jetën. Pavarësisht se në ç’hone më ka përplasur e më ka rrëzuar jeta, gjithnjë e kam gjetur një mënyrë që të ngrihem përsëri më këmbë.

 

Unë mund të shkruaj edhe për vdekjen. Mund të përshkruaj brishtësinë e njeriut përballë vetes dhe natyrës. Mund të përshkruaj se si, në çastet e fundit para vdekjes, në sytë e njerëzve, qofshin miq, familjarë apo madje edhe armiq, sheh vetëm një gjë: frikën. Frika është ajo që na bashkon të gjithëve në çastin kur i japim lamtumirën kësaj bote. Nuk ka njeri që nuk frikohet nga vdekja. Edhe në sytë e trimit më të madh e kam parë këtë frikë. Frika nga e panjohura. Frika nga ajo që të pret në anën tjetër. E vetmja që e dallon trimin nga qaramani është se në çastin e fundit, trimi ta shtrëngon dorën, ndërsa qaramani nuk mund ta durojë veten.

Mund të shkruaj edhe për vrasjen. Të përshkruaj me dhjetëra mënyra se si mund ta vrasësh dikë. Madje edhe skemën se si mund ta tërheqësh një individ të caktuar drejt vdekjes së sigurt. Mund të përshkruaj vrasjet primitive, si dhe ato që janë pjesë e skemave të sofistikuara, ku nuk lihet asnjë gjurmë prapa. Por edhe vrasësit, që janë aq gjakftohtë sa nuk ndiejnë asgjë. Mund të përshkruaj edhe disa vrasës të tjerë, që tërë kohën kanë etje për vrasje, sepse nuk mund ta përjetojnë ndryshe vrullin e jetës së tyre.

Mund të shkruaj për komplote. Të përshkruaj mënyra të pafundme për të krijuar kurthe, konspiracion për të rrëzuar dhe për të ngritur individë. Mund të përshkruaj se si fitohet dhe si thyhet besimi. Se edhe vëllazëritë më të fuqishme mund të shemben nëse mes tyre gjendet një Judë që nuk mund ta kontrollojë epshin e tij.

Mund të shkruaj për aventura që i ke parë vetëm në filma. Për intrigat e njeriut të thjeshtë, si dhe për intrigat e mëdha të politikanëve dhe të biznesmenëve.

Mund të shkruaj për të gjitha këto dhe shumë më tepër se kaq. Mund ta bëj këtë, por atëherë nuk do të tregoja asgjë të bukur. Do të ishte interesante, por nuk do të ishte e bukur.

Mbaje mend këtë fjali: “Do të ishte interesante, por nuk do të ishte e bukur”. Sikur unë të të përshkruaj një betejë, një përplasje diku në një skaj të botës, një ngjarje autentike me shumë dhimbje dhe gjak, me siguri që ty do të të duket interesante. Ndoshta dhe do të motivohesh nga fakti se në këto rrëfime gjithnjë ka vend për trimërinë dhe zotësinë e dikujt. Mendja jote do të impresionohet nga bëmat e një individi të vetëm, që me siguri do ta quash si mbinjeri, ndërsa do ta shpërfillësh vuajtjen dhe sakrificën e shumë të tjerëve. Kështu funksionon mendja e njeriut. Identifikohet me të fuqishmin dhe harron të dobëtin.

E tërë kjo mua më duket e shpifur. Ndihem i fyer nga fakti se në këto rrëfime njerëzit mbajnë mend vetëm betejën, për- plasjen dhe trimërinë, ndërkohë që harrojnë gjakun e derdhur dhe vuajtjen. Ndërsa unë nuk mund ta harroj vuajtjen. Problemi me mua nuk qëndron në faktin se nuk i mbaj mend këto histori, por se, edhe po të dua, nuk mund t’i harroj. Më beso se, ndonjëherë, harrimi është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë. Sepse atëherë, së paku, mund të bëj gjumë të qetë.

Prandaj unë dua të shkruaj vetëm për dashurinë, sepse dashuria për njerëzit e mi është e vetmja gjë që e ka mbrojtur njerëzoren brenda meje. Kujtimet për dashurinë time nga klasa e pestë, për dashurinë djaloshare në gjimnazi, letra që ia kam shkruar shoqes së jetës sime, dashuria që kam ndjerë për shumë njerëz që kanë lënë shenjë në jetën time, dashuria për nënën time… Këto ishin të vetmet që i mendoja, sa herë që sfidohej njerëzorja brenda meje, sa herë që sfidohej besimi im për njeriun dhe jetën. Këto janë të vetmet që nuk dua t’i harroj kurrë. Sikur të mundja, do t’i fshija të gjitha kujtimet tjera, që të mbaja vetëm këto.

Besoj e kupton tani se ata që hiqen si seriozë, që kinse merren me punë të mëdha, që dashurinë e quajnë si diçka joserioze dhe punë adoleshentësh, në të vërtetë as që e kanë idenë se çka është jeta. Sikur të përballeshin me vetëm çerekun e asaj që jam përballur unë, ata ose do të zvarriteshin si ligavecë, ose do të ktheheshin në monstra.

Unë do të vazhdoj të shkruaj dhe t’i kushtohem vetëm dashurisë. Sepse vetëm kështu e nderoj jetën dhe njerëzoren brenda vetes. Fundja ky është ditari i shpirtit tim. Edhe nëse bota mund të ketë arritur t’i futë duart e veta në përditshmërinë time, as edhe njëherë të vetme nuk do të arrijë ta ndryshojë shpirtin tim. Se në shpirtin tim gjithnjë do të ketë vetëm dashuri. Deri në ditën e fundit në këtë botë. Dhe për- tej kësaj.