~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 23

Sonte dua të dëshmoj më të vërtetën dhe vetëm më të vër- tetën.

Do të dal para teje, në gjyqin tënd, ku ti je edhe gjykatëse, edhe prokurore.

Mos kërko shpjegime më tepër.

E pranoj!

Jam fajtor!

Faji im është se e ndërlikova tej mase atë që nuk pata guxim ta shpalosja lakuriq, ashtu si Zoti e kishte mbjellë në shpirtin tim.

Mos u përpiq të më bindësh për të kundërtën, sepse sonte e ndiej fajin më shumë se kurrë.

Ke të drejtë të më pyesësh pse dhe unë do të ta shpjegoj.

Është e thjeshtë!

Artisti shkruan me mijëra fjalë për dashurinë.

Kështu bëra edhe unë!

Të gjitha të bukura janë. Rrëqethëse, thonë disa. E disa të tjerë mendojnë se fjalët e mia thonë atë që ndien shpirti, por nuk e thotë dot goja.

Vërtet ashtu janë!

Të gjitha ato që kam shkruar deri tani, kanë shumë kuptim. Por, sa më shumë që shkruaj, sa më shumë mundohem të krijoj kuptime të reja dhe që ndjenjat e mia t’i shpreh në atë mënyrë që ende askush s’i ka shprehur, sa më shumë rrekem ta prek qiellin me dorë dhe ta projektojë zemrën time kudo përreth teje, sa më shumë që e bëj këtë, gjithnjë e më shumë e ndiej se, në të vërtetë, krejt ajo çka dua të them është një fjalë e vetme!

Për këtë nuk dua ta mashtrojë më veten.

Harroje krejt atë që kam shkruar deri tani!

Shpallmë fajtor dhe dënomë, që kurrë të mos shkruaj më.

Harroje çka të kam shkruar deri tani, sepse ato fjalë, as edhe një e vetme, nuk mund t’i bëjnë hije një fjale të vetme. Asaj që në të gjitha gjuhët e botës thuhet njësoj. E thjeshtë dhe me një frymë. Atë që të gjitha fjalët e të gjithë artistëve të të gjitha kohërave nuk mund ta zëvendësojnë kurrë.

Një fjalë e vetme.

Vetëm një fjalë.

Atë për të cilën vdes që, një ditë, të marr guximin dhe të ta them edhe unë ty.