~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 20

Përjetimet nga dita e djeshme reflektohen edhe sot. Tërë ditën mendova: pse nuk arrijmë të jemi më bashkëpunues, më të dashur dhe më tolerantë ndaj njëri-tjetrit? Realiteti që po jetojmë është i egër. Jetojmë në një kohë ku, ajo që ti ua jep të tjerëve, jo domosdoshmërisht do të të kthehet ty. Përpiqesh! Por edhe atëherë kur jep maksimumin, as ajo nuk mjafton.

Derisa je i domosdoshëm, njerëzit të rrahin shpinën.

Më pas?

Mësohu me faktin se njerëzit sot harrojnë! Më lehtë harrojnë sesa të ta ngrohin shpirtin me një fjalë. Mos prit madje as që të ta kthejnë dashurinë. Mos prit as që çastet e gëzimit t’i ndajnë me ty. Duhet të jesh e lumtur nëse, në fund, nuk të fyejnë.

Mos u habit pse po të t’i them ty këto fjalë.

Tek ti shoh veten time. Ashtu siç isha unë dikur. Ëndërrim- tar!

Duke u plakur, njeriu jo domosdoshmërisht bëhet më i mençur por, në çdo kohë, kupton vetëm këtë: gjërat e bukura, ato të sinqertat, që burojnë nga loçka e zemrës, i bëjmë vetëm pse këtë e kërkon shpirti ynë dhe jo domosdo pse ato i do bota! Vetëm kështu mund ta bëjmë botën më të mirë!

Mos prano të bëhesh si gjithë të tjerët. Të pajtohesh me ato që sheh dhe t’ia mbushësh mendjen vetes se asgjë nuk mund të ndryshojë.

Mos u bëj si ata që thonë: “Të gjithë njerëzit janë bërë të këqij sot. Të tjerët janë të këqij me mua, prandaj dhe unë tani jam i mirë vetëm me veten time.”

Mos u bëj as si disa të tjerë, që thonë: “Ti je sjellë keq me mua dhe tani unë do të sillem keq me ty.”

Këso mendimesh, dhe të ngjashme me to, kam dëgjuar shumë këto ditë. Dhe kjo për mua ka vetëm një kuptim: e tëra është vetëm dhimbje. Një ndjenjë kolektive e një zhgënjimi të vazhdueshëm.

Në pamundësi për të ndryshuar diçka, çdo ditë po mbyllemi më shumë e më shumë në vetvete. Po bëhemi si ato macet e lënduara, që të grithin sa herë i mbështet për muri.

Kjo është vazhdimësi e së keqes që të tjerët bëjnë mbi ne.

Kjo është e keqja e pafund.