~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 17

Duhet të jesh i fortë, sepse njeriu i fortë nuk ndien dhimbje dhe askush nuk mund ta lëndojë. Kështu të kanë thënë shumë prej miqve të tu, por këtë nuk do ta dëgjosh nga unë. Të mos ndiesh dhimbje do të thotë të mos jesh njeri. Askush nuk është imun në dhimbje. Edhe njeriu i fortë ndien dhimbje! Shumë më tepër se unë dhe ti së bashku. Dhe mu për këtë ai edhe është i fortë.

Njeriu sprovohet në gjithçka dhe nga këto sprova buron forca. Forca për t’u thënë mjaft atyre që e marrin guximin të të lëndojnë. Forcë për t’u përballur me ata që tërë kohën të rrahin supet.

E ke vënë re sa shumë janë ata që mezi presin të të udhëzojnë se si ta jetosh jetën? Të gatshëm të përzihen edhe në detajet më intime! E ke parë si nuk ngurrojnë t’ia japin vetes të drejtën të të gjykojnë? Përherë të gatshëm që t’i tregojnë të gjitha “gabimet” e tua! Mu sikur hienat që tërë kohën luten që dikush të plagoset për vdekje, që më pas të gostiten me të.

Po. Mu si hiena. Sepse hienat janë të vetmit grabitqarë që zgërdhihen. Edhe këta janë të tillë. Si hiena të zgërdhihen në fytyrë. Edhe atëherë kur je më i dobëti. Si të çoroditur, pa mëshirë të godasin!

Rëndom presim që të këqijat të na vijnë nga njerëz të huaj. E vërteta është se njerëzit tanë, ata që tërë kohën i mbajmë afër dhe u besojmë, dinë të na lëndojnë shumë më poshtërsisht. Lëndimi është edhe më i madh kur e kupton se ata nuk ndiejnë as pikën më të vogël të fajit apo keqardhjes.

Sonte, ndërsa shkruaj për këto gjëra, ndiej se diçka nuk është në rregull me ty.

Ndiej luftën tënde jo vetëm me veten, por edhe me botën që nuk të lejon as edhe të mërzitesh me dinjitet.

Të gjithë të thonë se nuk duhet të mërzitesh. Ndërsa ti habitesh se si mund të ta thonë këtë.

Ti ke të drejtë! Besomë se ke të drejtë. Ngaqë të tjerët janë në një mendje, kjo nuk do të thotë se ata dinë diçka më shumë. Nuk mund të dinë, sepse ata nuk janë në lëkurën tënde.

Ajo për çka ti je mërzitur, të ka përgjunjur. Madje të nxjerr edhe lot.

Çdo gjë që të sjell deri në atë gjendje, aq sa të nxjerrësh edhe lot, është një arsye e mjaftueshme për t’u mërzitur.

Mos e fshih mërzinë tënde. Mos ik prej saj. Ndieje dhe, nëse është nevoja, preke edhe fundin. E kur ta prekësh fundin, atëherë shiko anash. Aty do ta kuptosh se, edhe sikur të duash, më poshtë nuk mund të shkosh. E vetmja rrugë e mbetur është kthimi lart.

Tani tregoje veten. Trego se je më i mirë se ata që të sollën deri aty.

Mjaft vajtove, sepse në atë humnerë as vaji nuk ka më kuptim. Ti e di se askush nuk mund t’i ndihmojë ata që nuk arrijnë të ndihmojnë veten.

Përmblidhu.

Dhimbja jote le të jetë ajo që do të të ngrejë më këmbë.