~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i pesëmbëdhjetë

1.

DIKU NË RRETHINAT E PRISHTINËS, DISA ORË MË VONË

Sapo kishte aguar dita e re. Duke shfrytëzuar pështjellimin e krijuar pas shpërthimit, Agroni dhe të tjerët arritën të dilnin nga qyteti dhe u nisën në drejtim të malësisë së Gollakut, ku ndërkaq po pushonin. Ushtarët ishin vendosur në një perimetër të gjerë sigurie dhe gjithë kohën bënin roje, ndërsa Agroni, Linda, Naimi dhe Oficeri ishin bashkë dhe po bisedonin.

– Së paku, ende e kemi bombën! – tha Naimi, i cili e prishi heshtjen i pari.

– Ne nuk kemi asgjë, Naim! Nuk kemi as bombë e asgjë! – iu përgjigj Agroni gjithë zemërim.

– Si nuk e kemi bombën?! Çfarë është ajo që tërë kohën e mbajte në shpinë që nga Prishtina? – ia ktheu me habi Naimi. Agroni menjëherë hapi çantën ku ishte bomba.

– Kjo vërtet është bombë, por nuk kemi as edhe një dobi prej saj. Nuk mund të shpërthejë edhe sikur ta vendosësh mbi një ton dinamit. – Heshti disa çaste, pastaj vazhdoi: – Këtu kemi vetëm material bërthamor, por jo një bombë funksionale. Kjo është një armë termonukleare, ku materiali shpërthyes është deuteriumi ose hidrogjeni i rëndë. Por, në mënyrë që kjo pjesa këtu të ndizet dhe të shpërthejë, – Agroni tregoi me dorë një pjesë të bombës, – duhet të ketë edhe një njësi primare ndezëse me plutonium.

-Nuk po kuptoj asgjë, – tha Linda, e cila ishte e vetmja që pati guximin të fliste, ngaqë Naimi dhe Oficeri ishin tejet të tronditur.

– Në të vërtetë, në këtë model janë dy bomba. Një e vogël dhe një e madhe. Bomba e vogël me plutonium është bombë e tipit A, që vepron sipas parimit të fuzionit dhe shërben si detonator për bombën e dytë, që punon sipas parimit të…

Agroni deshi të vazhdonte më tej me shpjegimet e tij, por e ndërpreu Naimi:

– E dimë që ti i kupton këto gjëra, por tregona se çfarë nuk është në rregull me këtë këtu.

– Kësaj i mungon detonatori. Dikush e ka hequr njësinë primare me plutonium dhe nuk ka gjasa që bomba të shpërthejë, – tha Agroni dhe pas kësaj, me disa lëvizje të shpejta, që tregonin se ai dinte fort mirë ndërtimin e bombës, e aktivizoi atë dhe në numëratorin e vogël koha filloi të ecte së prapthi. Agroni kishte programuar aktivizimin e bombës për 60 sekonda.

– Çfarë bëre?! – tha Naimi – Po sikur të shpërthejë?

– Atëherë… të gjithë do të vdesim! – ia priti ftohtë Agroni, ndër kohë që sekondat ecnin me shpejtësi. Edhe pse Naimi, Linda dhe Oficeri i besonin profesionalizmit të tij, megjithatë u zverdhën në fytyrë. Nga sytë e tyre, Agroni arriti të dallonte se ato pak sekonda ishin sekondat më të gjata në jetën e tyre.

Numëratori ndaloi te zeroja dhe nuk ndodhi asgjë.

– Siç e shihni, me kaq përfundoi edhe kjo histori! – tha Agroni dhe mbylli çantën.

2.

RRUGËS PËR NË BEOGRAD

Shefi i sigurimit serb kishte marrë rrugën e kthimit për në Beograd. Sapo ishte informuar se Agroni dhe të tjerët kishin arritur të dilnin nga shtëpia dhe se bombën e kishin me vete, ai e kishte larguar menjëherë agjentin Smith nga skena. Plani i thurur prej tij kishte shkuar keq e për dreq dhe ai nuk donte që në sytë e të huajve të shfaqej si dështak, për më tepër që ekzistonte edhe mundësia që të gjithë të komprometoheshin.

Në fillim kishin besuar se nën gërmadha gjendej bomba së bashku me trupat e vdekur të Agronit dhe të të tjerëve, sepse prej aty ende mbërrinte sinjali nga moduli GLONASS. Por gati sa nuk plasi nga marazi kur i thanë se dikush e kishte hequr modulin nga bomba. Kjo do të thoshte se shqiptarët shumë shpejt do ta kuptonin domethënien e vërtetë për komplotit që fshihej pas bombës. Shefi i sigurimit as që e kishte marrë me mend një zhvillim të tillë, sepse askush nuk e kishte paralajmëruar se Agroni apo ndonjë shqiptar tjetër mund të kishin njohuri të mjaftueshme për ta zbuluar modulin.

Në të vërtetë, shqiptarët ishin nxitur ta blinin bombën duke besuar se vërtet po shtinin në dorë një armë atomike funksionale. Ata nuk e dinin se i tërë operacioni ishte një ide e përbashkët e shërbimeve sekrete serbe dhe ruse. Rusët e kishin inskenuar gjithë ngjarjen duke filluar nga kinse ikja e shkencëtarëve. Që më parë, ata ia kishin hequr bombës detonatorin dhe kështu e kishin bërë jofunksionale. Por nuk e kishin menduar që shqiptarët mund të kishin në radhët e tyre specialistë që kishin njohuri të sakta për armë të tilla dhe që mund ta dallonin mungesën e njësisë primare. Duke shfrytëzuar frekuencën unike të modulit GLONASS, gjatë gjithë kohës sigurimi serb ishte në dijeni të vendndodhjes së bombës dhe vetëm priste çastin e duhur për të vepruar. Shefi i sigurimit kishte shkuar në Prishtinë me mendimin që të realizonte një shfaqje mbresëlënëse para agjentëve amerikanë, ku në mënyrë triumfale do të neutralizonte terroristët shqiptarë që kishin bombën. Pas kësaj, do ta instalonin sërish detonatorin te bomba dhe atëherë do t’ua dorëzonin amerikanëve. Me këtë shpresonin të bindin botën se Serbia kishte plotësisht të drejtë të përdorte forcën për mbrojtjen e territorit të vet. Por tashmë tullumbacja ishte shfryrë dhe palavia që kishin gatuar, do t’u përplasej në surrat.

3.

Oficeri kishte këmbëngulur që të shihej ndonjë mundësi për ta bërë bombën funksionale, por Naimi kishte ndërprerë çdo diskutim. Vetëm ideja se tërë kohën kishin qenë të mashtruar, e nervozonte tej mase. Për një çast u bë i vetëdijshëm edhe për përmasat globale të situatës në të cilën gjendeshin. Ndërkaq iu kujtuan fjalët e agjentëve të ShISh-it dhe e kuptoi peshën e fatalitetit nëse veprimet e tij bëheshin shkak për prishjen e marrëdhënieve me amerikanët. I përfshirë prej etheve të mendimit se do të arrinte ta ndryshonte fatin e luftës, Naimi nuk kishte pasur qetësinë e duhur për të menduar rreth pasojave që do të vinin paskëtaj.

– Atëherë, çfarë duhet të bëjmë? – e pyeti Agronin.

– Serbët e dinë tani që ne e kemi zbuluar lojën. Prandaj do të na sulmojnë me gjithçka, në çdo mënyrë. Nuk do të ndalen derisa të gjejnë bombën ose të na shkatërrojnë plotësisht. Parashikoj përshkallëzimin e dhunës dhe represionit të makinës ushtarake serbe, – tha Agroni.
– Bota nuk do ta lejojë! – ndërhyri Oficeri.

– Ne nuk kemi aq forca sa ta mbrojmë popullsinë civile nga një sulm i përgjithshëm i ushtrisë dhe policisë serbe. Dhe nëse ata arrijnë ta marrin bombën nga duart tona, atëherë askush në botë nuk do t’i fajësojë ata, por ne. Në fund të fundit, gjithnjë është më e lehtë të fajësohet viktima, – ia ktheu Agroni dhe Oficeri heshti.

– Çfarë propozon? – e pyeti Naimi.

– Duhet t’ua dorëzojmë amerikanëve. Nuk ka zgjidhje tjetër! – u përgjigj shkurt Agroni.

4.

PRISHTINË, USIS, NJË DITË MË PAS

Agjenti Smith e kishte kuptuar se gjatë operacionit kishte ndodhur diçka tepër e paparashikuar, sepse nuk kishte si të shpjegohej ndryshe ndryshimi i madh në sjelljen e shefit të sigurimit serb. Edhe pse serbët nuk i treguan asgjë, nga burime të tjera arriti të merrte vesh se Agroni dhe të tjerët kishin arritur ta çanin rrethimin duke shfrytëzuar një tunel nëntokësor, ndërsa nën gërmadhat e shtëpisë kishin mbetur vetëm disa pjesëtarë të JSO-së, të cilët nuk u kishin mbijetuar shpërthimeve. Agjenti nuk dyshonte më se në tërë këtë histori duhej të kishte diçka edhe më të madhe që kishte ndodhur në prapavijë dhe priste të informohej sa më parë. Serbët po fshihnin diçka që mund të ishte edhe çelësi kryesor për zbardhjen e misterit rreth bombës.

Kur po bëhej gati të hartonte një raport urgjent për këtë, mbërriti një informacion i freskët nga qendra në Lengli. Aty thuhej se, pas analizës së shenjave të gishtërinjve, ishin gjetur gjurmët e Agronit gjatë trajnimeve të tij në programet amerikane. U përfshi i tëri në leximin e informacionit.

“… i diplomuar në vitin 1984 në “Uest Point”, nën emrin Abdullah Gazi, si më i miri në klasën e vet dhe si më i miri nga kadetët e huaj që ndonjëherë kanë shkelur atje. Pas diplomimit, për pesë vjet ka shërbyer në Qipron Veriore e më pas edhe në rajonet turke të Kurdistanit. Në vitin 1990 ishte në përbërjen e forcave speciale të angazhuara në kuadër të forcave aleate gjatë krizës në Kuvajt, kurse në vitin 1993 ka qenë pjesëtar i forcave paqeruajtëse në Bosnje, para se të çmobilizohej vullnetarisht në vitin 1994 dhe pasi më parë ishte graduar kolonel. Edhe pse i çmobilizuar, armata turke e konsideron si kuadër rezervë me të gjitha privilegjet që i takojnë …”, lexoi Smithi në raportin që ishte përgatitur në Lengli.

Dosja kishte tri faqe të shkruara dhe përmbante gjithë informacionin për shkollimin dhe rezultatet në akademi, si dhe sukseset e tij gjatë shërbimit dhjetëvjeçar. Të gjitha karakteristikat dhe rezultatet e arritura gjatë shkollimit tregonin se ai vërtet e meritonte famën që kishte marrë. Agroni fliste pesë gjuhë, zotëronte njohuri të shkëlqyera për armët e këmbësorisë dhe të artilerisë, kurse për një kohë kishte shërbyer edhe si instruktor për përgatitjen e njësive speciale në ushtrinë turke. Me një fjalë, ishte pothuajse i përkryer. E vetmja gjë që nuk përputhej ishte fotografia që ndodhej në arkiv, çka sugjeronte se ndërkohë Agroni mund t’i ishte nënshtruar ndonjë ndërhyrjeje kirurgjike për të tjetërsuar pamjen.

Agjenti Smith, i cili edhe më parë e kishte respektuar Agronin si ushtarak, tani ndjeu pothuajse admirim për të.

– Përherë ka qenë kështu, – pëshpëriste dhe lëvizte kokën, – përherë i kemi shkolluar, që më pas të enden rrugëve të botës. Madje edhe të kthehen kundër nesh…

– Shef! Ju kërkojnë! – iu drejtua njëri nga anëtarët e ekipit.

– Kush është? – pyeti agjenti pa e ngritur kokën nga informacioni që po lexonte.

– Ma merr mendja se këtë do të dëshironit ta shihni vetë.

– Çfarë duhet të shoh? – ia ktheu Smithi dhe ngriti pak kokën.

– Shikoni në monitorin e kamerës së parë.

Agjenti menjëherë e drejtoi shikimin te monitori dhe për një çast shtangu. Përpara derës qëndronte Linda!

5.

– Jeni treguar shumë dinake, zonjushë Linda! Nuk ma merrte mendja se mund të takoheshim përsëri, – i tha Smithi, sapo u takuan.

– As unë! – ia ktheu ftohtë ajo.

– Atëherë, çfarë ju solli këtu? Besoj se keni një arsye të fortë, ndaj dhe nuk e shoh të arsyeshme t’i njoftoj kolegët e mi serbë se jeni këtu, – i foli me ton kërcënues Smithi.

– Kam ardhur të përfundojmë bisedën që kemi nisur në Ulqin. Ju ende vazhdoni ta kërkoni bombën, ndërsa unë mund t’ju çoj drejt e tek ajo tani, – i tha Linda duke e parë drejt e në sy.

– Kjo është një tjetër nga lojërat e tua?! – tha agjenti dhe ndërkohë futi një çamçakëz në gojë.

– Mendoj se të gjithë e dimë tani se hapësira për lojëra është ngushtuar, – ia ktheu Linda dhe, pa i marrë leje Smithit, u ul në njërin nga kolltukët luksozë të zyrës së tij.

6.

NË TERRITORET E LIRA, DIKU NË KOSOVË, PAS DISA ORËSH

– Më vjen mirë që më në fund u takuam, kolonel Gazi. – Smithi iu drejtua në anglisht Agronit, i cili po e priste në një lëndinë pranë një përroske. – Kam kënaqësinë që më në fund po ju takoj personalisht.

“CIA nuk lë asnjëherë pa i bërë detyrat e shtëpisë”, mendoi Agroni, ngaqë e kuptoi se agjenti Smith tashmë dinte shumë për të kaluarën e tij. Megjithatë, nuk e bëri veten. Fundja, në njëfarë mënyre, ai edhe ishte kolonel Abdullah Gazi.

– Kënaqësia është e dyanshme, zoti Smith, – iu përgjigj Agroni dhe i zgjati dorën. – Po shoh se nuk e keni humbur kohën kot.

– Bëjmë atë çka është e mundur! – tha agjenti me një buzëqeshje të ngrirë.

Disa orë më parë, Linda i kishte thënë Smithit se ajo kishte ardhur me porosinë personale të Agronit, i cili dëshironte të takonte agjentin dhe të sqaronte gjithçka rreth bombës. Në fillim Smithi kishte hezituar, sepse kjo do të thoshte që të merrte mbi vete përgjegjësinë për një takim të paautorizuar me kryengritësit shqiptarë, por Linda ishte shumë e vendosur në propozimin e saj. Ajo i kishte thënë në mënyrë të prerë se ai kishte dy mundësi: ose të nisej me të drejt vendtakimit dhe të sqaronte gjithçka rreth bombës, ose ta dorëzonte atë te policia serbe.

Ajo kishte të drejtë. Zyra amerikane ishte tërë kohën nën vëzhgimin e agjentëve serbë dhe ndërkaq ata e dinin se Linda ishte mysafirja e Smithit. Sapo të dilte prej aty, me siguri që ata do ta arrestonin në vend. Prandaj, e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar arrestimit ishte që ajo të dilte nga zyra amerikane duke u futur në një makinë me targa diplomatike, e cila gëzonte imunitet dhe nuk mund të ndalohej nga policia serbe.

Pështjellimi që kishte krijuar historia e bombës e kishte zemëruar tej mase Smithin, kështu që ai vendosi ta merrte tërë rrezikun mbi vete. Edhe nëse do të qortohej nga qendra në Lengli, së paku do t’i shkonte deri në fund kësaj historie komploti dhe do të vinte në vend dinjitetin profesional dhe vetjak.

Kishte dhënë urdhër të bëhej gati një varg prej disa makinash të blinduara dhe bashkë me Lindën ishte nisur për në vendtakim. Në rrugë e sipër, kishte parë grumbujt policësh serbë, që ishin vënë në gatishmëri për të arrestuar Lindën, por tanimë ajo ishte në makinën e tij.
– Shpresoj të mos kem ardhur kot, kolonel. Tani që me makinën time ka udhëtuar edhe e dashura juaj dhe e kam marrë në mbrojtje, është pothuajse e sigurt që qeveria serbe do të më shpallë persona të padëshiruar, – tha pastaj agjenti Smith.

Agroni e dinte që ai kishte të drejtë.

– Ka kaluar shumë kohë dhe tensionet janë rritur tej mase. Qeveria ime është shumë e shqetësuar dhe do të ishim mjaft të kënaqur nëse do t’i vinim kapak sa më parë kësaj historie. Në njëfarë mënyrë, ne amerikanët përherë kemi qenë aleatët tuaj. Por çdo gjë ka një kufi dhe nëse nuk e zgjidhim shpejt misterin e historisë së bombës, atëherë do të detyrohemi të lëshojmë pe para presionit serb dhe të rrimë mënjanë. Në këtë situatë, do të detyrohemi të pranojmë faktin se serbët kanë të drejtë të mbrohen! – vijoi Smithi, pastaj mblodhi supet dhe ngriti dorën e majtë, sikur të donte të thoshte: “S’kam ç’të bëj, kështu është puna”.

– Në Uashington janë duke shqyrtuar mundësinë që të pezullohen të gjitha planet për Kosovën. Unë personalisht nuk pajtohem me këtë, por dikush atje ka përshtypjen se kujdesi ynë është keqpërdorur nga ana juaj, – shtoi Smithi duke dashur që fjalët e tij të tingëllonin sa të sinqerta, por aq dhe kërcënuese në të njëjtën kohë.

– Edhe unë dua që kjo histori të mbyllet! – tha Agroni. Pastaj nxori çantën ku ishte futur bomba dhe ia dha agjentit Smith. – Kjo është bomba që ju kërkoni, por do të shihni se i mungon njësia primare ndezëse. Modulin GLONASS e kam hequr gjatë sulmit në Prishtinë, kështu që serbët nuk mund t’i ndjekin më lëvizjet e saj.

– Pra, gjatë gjithë kësaj kohe serbët e kanë ditur se ku ndodhej bomba?! – pyeti me habi Smithi.

– Po! – u përgjigj Agroni. – Ne të dy e dimë se në çdo armë atomike të këtij lloji vendoset nga një modul GPS ose GLONASS, secili me frekuencë unike. Në çastin kur arma niset për aksion, moduli hiqet, në mënyrë që armiku të mos arrijë ta zbulojë atë me ndonjë nga satelitët e tij. Ju keni menduar se GLONASS është hequr nga kjo armë, por në të vërtetë kjo nuk ka ndodhur dhe serbët e kanë ndjekur lëvizjen e bombës gjatë gjithë kohës. Jam i bindur se ngjarja e fundit në Prishtinë nuk ishte asgjë më shumë se një shfaqje për ju dhe për të gjithë botën.

Agjenti kontrolloi bombën dhe u bind për gjithçka që i tha Agroni, por nuk foli fare.

– Kam frikë se serbët dhe rusët na kanë bërë budallenj të gjithëve! – tha Agroni.

– Edhe unë ashtu mendoj, por kjo nuk do të thotë se ju nuk mbani asnjë lloj përgjegjësie. Ju vërtet donit të shkonit në Beograd! – tha agjenti duke e parë Agronin me mosbesim.

– E vërtetë, por jo domosdoshmërish për ta shpërthyer. Ndërkaq, ju vetë e keni parë se në çfarë gjendjeje jeton populli im dhe, po të ishit në pozitën tonë, do të vepronit në të njëjtën mënyrë, – ia ktheu Agroni.

– Ndoshta, por unë nuk jam në pozitën tuaj, – tha agjenti duke qëndruar në të tijën.

– E vërtetë, por nuk duhet të harroni se ne zgjodhëm t’jua dorëzojmë armën dhe jo të shikojmë e të gjejmë zgjidhje tjera me të. Ju e dini fort mirë se, edhe në gjendjen që është, ka shumë njerëz në botë që do të donin ta kishin në duar, – iu përgjigj Agroni.

Heshtje. Smithi po përtypte me mendje fjalët e Agronit.

– Edhe kjo është e vërtetë, kolonel Gazi, – tha pas pak. – Do të kujdesem që gjesti juaj të vlerësohet nga shefat e mi. Më vjen mirë që, më në fund, e zgjidhëm mosmarrëveshjen tonë. Kjo është ajo që më intereson mua, – e përfundoi bisedën agjenti dhe buzëqeshi lehtë.

7.

PRISHTINË, USIS, DISA ORË MË VONË

“Mision më të koklavitur nuk kam pasur ndonjëherë”, mendoi agjenti Smith, që ndërkaq po rrinte i shtrirë për t’u çlodhur në divanin e vogël të zyrës.

Ndihej aq i kënaqur me faktin se kishte arritur ta mbyllte më në fund historinë e bombës, sa i injoroi tërësisht kërkesat e njëpasnjëshme që vinin nga sigurimi serb dhe donin të protestonin për mbrojtjen që i kishte siguruar Lindës. Sikur të takohej me ta, do t’u thoshte shumëçka dhe me siguri do të shfrynte gjithë zemërimin, por tani këto s’kishin më rëndësi. E kishte realizuar objektivin e misionit të tij. Vetëm kjo kishte rëndësi për të në atë çast. Në aspektin vetjak ishte i kënaqur për faktin se ishin vërtetuar dyshimet e tij për lojën e dyfishtë të serbëve. Pohimi i Agronit se serbët në vijimësi kishin pasur dijeni për vendndodhjen e saktë të bombës shpjegonte kryekëput mungesën e interesimit dhe shqetësimit të mirëfilltë të tyre, që ai e kishte vënë re që në fillim.

– Shef! Drejtori është në linjë, – i tha njëri nga ndihmësit e tij. Smithi u ngrit në çast dhe kapi telefonin e kuq.
– Smithi jam.

– Xhim, si shkojnë punët atje? – u dëgjua zëri nga ana tjetër.

– Lëmsh fare! – tha agjenti duke lëshuar lehtë frymën dhe duke u munduar të lironte kravatën.

– Me sa duket, i kemi nënçmuar ballkanasit, – i tha drejtori, sikur ta dinte se çfarë e mundonte agjentin.

– Mund të themi edhe ashtu, por me rëndësi është se gjithçka përfundoi tashmë, – tha ai paksa më i çliruar.

-Jam shumë i lumtur për këtë, ndonëse ty nuk të shfajëson nga përgjegjësia për shkeljen e rregullave, – i tha drejtori duke pasur parasysh faktin që ishte takuar me Agronin para se një gjë e tillë të miratohej nga qendra.

– E di! – tha agjenti, ngaqë e dinte se po ta miratoje qortimin, kjo ishte mënyra e vetme për ta vazhduar bisedën me drejtorin.

– Mirë! Tani mblidhi plaçkat dhe largohu prej aty, para se të të përzënë vetë serbët. Dua që të të shoh në zyrën time sa më shpejt të jetë e mundur. Kam një detyrë të re për ty!

Agjenti Smith deshi të shtonte diçka, por lidhja ndërkaq ishte ndërprerë.

8.

E NJËJTA KOHË

Para se Linda të kthehej në Prishtinë për të takuar agjentin Smith, Naimi dhe Oficeri ishin nisur për te njësitë e veta, sepse kishin marrë informacione për lëvizje të mëdha të armikut. Ishin marrë vesh të gjithë të takoheshin sërish pasi të sqaronin gjërat me amerikanët.

Edhe pse gjithçka kishte përfunduar mirë, Agroni sërish nuk ndihej i qetë. Tek ai kishin lënë gjurmë të thella peripecitë që kishin ndodhur duke filluar nga Lëndina e Thanave. I kujtoheshin sidomos shokët e tij besnikë, të cilët u vranë atë natë atje dhe nuk donte kurrsesi t’i zhgënjente më bashkëluftëtarët, por të bënte të pamundurën për ta.

– Çfarë do të bëjmë tani? – e pyeti Linda, ndërsa ai po sillte në mendje pikërisht ato që kishin ndodhur gjatë aksioneve të kohëve të fundit.

– Tani do të kthehemi në luftë!