~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i gjashtëmbëdhjetë

1.

RAHOVEC, DISA DITË MË PAS – DITA E PARË E LUFTIMEVE

Agroni dhe Linda ishin në njësi të ndryshme. Luftimet kishin filluar dhe kolonat e ushtarëve, që kishin si objektiv qendrën e qytetit, po futeshin nga të gjitha anët. Ngaqë forcat serbe i kishin zënë në befasi, depërtimi nëpër rrugë po bëhej pa hasur ndonjë rezistencë të madhe. Kështu vazhdoi për rreth tri orë, derisa iu afruan qendrës së qytetit, ku ndërkohë ishin grumbulluar pjesa më e madhe e forcave serbe. Snajperët nga të dyja palët ishin vendosur në pikat më të larta dhe, në heshtje, po zhvillohej më tepër një luftë nervash, sepse asnjëra palë nuk po e merrte iniciativën e para për të nisur sulmin e përqendruar. Kjo ndodhte ngaqë askush nuk ishte i sigurt për fuqinë e vërtetë të kundërshtarit. Për më tepër që serbët ishin të interesuar të vazhdonte sa më shumë kjo gjendje, me shpresë se në ndërkohë do t’u mbërrinin përforcime nga Prizreni dhe Gjakova.

Nuk u kuptua se kush e shkrepi i pari, por papritmas u dëgjua një e shtënë. Brenda disa sekondave pasuan breshëri të panumërta nga armë të ndryshme, por përsëri asnjëra palë nuk lëvizi nga pozicionet e veta. Pas pak, thuajse në të njëjtën kohë, nga të dyja anët u dëgjuan komandat për ndalimin e zjarrit.

2.

PO ATË MBRËMJE

Herë pas here dëgjoheshin të shtëna nga të gjitha anët e qytetit. Dritat ishin fikur kudo dhe gjithçka ishte zhytur në errësirë të plotë. I veshur me një uniformë zvicerane, Agroni ecte ngadalë, me kujdes e pa bërë zhurmë. Kaloi teqenë e qytetit dhe po i ngjitej rrugës për t’iu afruar stacionit të policisë, ku ishte vendosur komanda e forcave serbe. Por iu desh të ndalonte.

– Ik! Largohu! – dëgjoi një zë që erdhi nga errësira.

Në fillim nuk e kuptoi nga erdhi zëri. Në çast u shtri përtokë dhe vëzhgoi me kujdes përpara. Nëpër errësirë arriti të dallonte gjashtë vetë të mbërthyer nëpër shtylla të improvizuara, vendosur përgjatë rrugës! Prapa tyre, vetëm disa metra më tej, rrinin disa policë serbë të armatosur deri në dhëmbë.

Duhej t’i shpëtonte ata njerëz që i kishin vendosur si një mur të gjallë. Por vetëm nuk mund të bënte asgjë. I duhej ndihmë. Me shumë kujdes, u zvarrit sërish dhe u kthye mbrapa.

3.

Vetëm disa dhjetëra metra më poshtë, Agroni takoi një grup prej dhjetë ushtarësh. Dukeshin të rinj dhe si të hutuar, ngaqë nuk kuptonin edhe aq shumë nga ajo që po ndodhte.

– Për herë të parë ndodheni në Rahovec?

– Po, – u përgjigj njëri, që të jepte përshtypjen se ishte disa vite më i madh se të tjerët.

– Jeni ngjitur andej lart? – i pyeti Agroni.

– Jo! Na kanë thënë se andej është stacioni i policisë dhe se pa urdhër nuk duhet të afrohemi… – u përgjigj djaloshi, por nuk e çoi fjalinë deri në fund, sepse në atë çast drejt tyre erdhi një breshëri plumbash.

– Gjuajnë, – tha njëri prej tyre dhe u bë gati t’i përgjigjej zjarrit me zjarr.

– Mos qëllo! – bërtiti Agroni. – Kanë vënë mur të gjallë…

4.

Që të gjithë së bashku u afruan ngadalë afër vendit ku gjashtë civilët i kishin lidhur nëpër shtylla. Nuk ishin më larg se dhjetë metra nga muri i gjallë, ndërsa policët serbë po rrinin vetëm disa hapa mbrapa civilëve fatkëqij. Djemtë që ishin me Agronin dhe policët serbë ndërkaq ndodheshin përballë njëritjetrit dhe po shiheshin në sy. Një skenë e denjë për dyluftimet e përgjakshme të dikurshme në Perëndimin e egër, ku kundërshtarët vështroheshin në sy, me gishtin në këmbëz.

– Nëse nuk i vrasim ne, atëherë do t’i vrisni ju! – tha një polic në serbisht.

Ndërkaq, në pjesët e tjera të qytetit, sa vinin e shtoheshin të shtënat nëpër natë nga të gjitha llojet e armëve. Mbase ishin të shtëna kuturu, por ku i dihej…

Agroni u tha ushtarëve të rinj që secili prej tyre të merrte shenjë mbi çdonjërin prej policëve serbë, megjithëse ishte i vetëdijshëm që, në të njëjtën kohë, edhe ata ishin në shënjestër të dikujt andej nga ana tjetër.

Të gjithë ishin në tension dhe si të ngurosur para njëri-tjetrit. Koha sikur kishte mbetur në vend. Dukej sikur edhe po të merrje frymë, mund ta prishje drejtpeshimin e atyre çasteve delikate. Ishte më shumë se provë durimi e luftë nervash dhe asnjëra palë nuk po merrte guximin të qëllonte e para. Agroni nuk po jepte urdhër për zjarr ngaqë kishte frikë se vriteshin njerëzit e pafajshëm. Por as policët serbë nuk guxonin të hapnin zjarr të parët, sepse e dinin që pastaj edhe ata vetë do të qëlloheshin për vdekje.

Sekondat dhe minutat dukej sikur zvarriteshin, po diku larg po dukeshin shenja se nata do t’ia linte vendin agimit. Patjetër duhej bërë diçka për t’ua shpëtuar jetën njerëzve të mbërthyer nëpër shtylla, por ende Agroni nuk po arrinte dot të gjente një zgjidhje.

U dëgjuan edhe gjelat e parë që filluan të këndonin.

“Si u bie ndërmend të këndojnë!” tha me vete Agroni.

Duke e parë se askush nuk guxonte të qëllonte, policët serbë morën zemër dhe nisën të shtinin në ajër dhe ndërkaq morën flakë dy shtëpi. I pushtuar nga ankthi, Agroni po ziente përbrenda dhe iu kujtua sërish nata te Lëndina e Thanave.

5.

PO AJO KOHË, DIKU RRETH RAHOVECIT

Agroni ishte ndarë nga Linda pa mundur t’i thoshte pothuajse asgjë. Në njëfarë mënyre, kjo e lëndoi Lindën, sepse, pas të gjitha atyre që kishin ndodhur, tashmë priste prej tij t’i thoshte shumëçka. “Por ashtu është ai”, u përpoq ta qetësonte veten, por edhe ta justifikonte Agronin, “njeri me shumë ndjenja, por me pak fjalë… dhe unë kështu e kam pranuar”.

Ndërkohë, Naimi ishte tepër i shqetësuar, sepse vëzhguesit vazhdimisht e njoftonin për lëvizje të mëdha të forcave armike. Me dhjetëra kolona të ushtrisë dhe policisë speciale po vinin nga Prizreni dhe Gjakova dhe po pozicionoheshin në pikat prej nga mund të sulmonin qytetin. Dhe ajo që e shqetësonte më shumë kishte të bënte me faktin se forcat serbe nuk nguteshin, por përkundrazi, po e rrethonin qytetin me qetësi e po i zinin pozicionet në heshtje. Ai e ndiente erën e kurthit, por nuk kishte asnjë mundësi të dilnin prej tij. Pjesa më e madhe e luftëtarëve ishin futur në qytet dhe ai nuk kishte mundësi t’i urdhëronte të tërhiqeshin apo të grumbulloheshin diku. E dinte se diku atje ndodhej edhe Agroni.

– Do t’ia dalë edhe kësaj here! Ai gjithnjë ia del, – i tha ndërkaq Lindës, ngaqë e kuptoi se edhe ajo kishte të njëjtën brengë.

6.

TE STACIONI I POLICISË, E NJËJTA KOHË

Të shtënat nga të gjitha anët nuk kishin të ndalur. Bashkë me djemtë e rinj luftëtarë, Agroni vazhdonte të ishte po aty, ngurosur përballë murit të gjallë të civilëve dhe policëve serbë. Pas pak vuri re se drejt tyre po vinte një grup njerëzish me uniformë dhe u gëzua për një çast, sepse ata mund t’i ndihmonin. Po ndërkaq i bëri përshtypje pamja e tyre: të gjithë trupmëdhenj, ecnin me hap të rregullt. Ndërsa ata po afroheshin gjithnjë e më tepër, mbeti pa frymë. Ndonëse të gjithë kishin veshur uniforma të Ushtrisë Çlirimtare, dalloi menjëherë diçka të pazakontë: automatikët e tyre ishin të njëllojtë, fare të rinj, të së njëjtës seri prodhimi. Bashkëluftëtarët e tij nuk kishin armë të tilla. Ndoshta vetëm një në njëzet luftëtarë mund të kishin automatikë aq të rinj, por nuk kishte gjasa që një njësi e tërë të pajisej me ta! Truri i Agronit nisi të mendonte me një shpejtësi marramendëse në ato pak sekonda… Ushtarë që dukej se ishin të ushqyer mirë, me uniforma të reja, të gjithë pothuajse të qethur njësoj… Iu krijua një imazh i frikshëm i asaj që do të ndodhte. Ushtarët që po vinin drejt tyre nuk ishin bashkëluftëtarë, por pjesëtarë të njësive speciale të armikut, që ishin infiltruar brenda radhëve të tyre të veshur si ushtarë të UÇK-së. Agroni kishte dëgjuar për diversione të kësaj natyre, por ishte hera e parë që ndodhej përpara një rasti të tillë. Çdo shqisë e tij u vu në alarm dhe me bisht të syrit pa sesi, policët që ishin në anën tjetër të murit të gjallë, po lëviznin. Pra edhe ata po bëheshin gati për zjarr të befasishëm. Agroni e kuptoi se ndodheshin mes dy zjarreve. Kurthi ishte përgatitur që ata t’i futnin në një sanduiç dhe, në përleshje e sipër, t’i asgjësonin njëkohësisht bashkë me civilët e mbërthyer nëpër shtylla.

Agroni e njihte këtë manovër taktike të serbëve. Kjo nënkuptonte që më pas UÇK-ja të fajësohej edhe për vrasjen e civilëve. Por Agroni kurrsesi nuk mund ta lejonte këtë. Ushtarët e rinj ishin gjetur në atë situatë për shkak të ndërhyrjes së tij, por as civilët nuk kishin ndonjë faj. Prandaj, me patjetër duhej të bënte diçka. Nuk mund të lejonte që, për shkak të mungesës së vigjilencës dhe masave paraprake nga ana e tij, të vriteshin njerëz të tjerë.

7.

Ushtarët e njësisë speciale serbe, të maskuar si ushtarë të UÇK-së, ndaluan në një distancë prej rreth tridhjetë metrash dhe nisën të zinin pozicionet për sulm. Një pjesë e tyre u tërhoq pak më mbrapa, me qëllim që të siguronin krahët e që Agronit të mos i vinin përforcime. Të tjerë zunë pikat kyçe prej nga mund të sulmonin në çdo çast. Agroni mendoi se e vetmja rrugë dalje ishte nëpër një rrugicë anësore, por edhe ajo punë ishte me rrezik, sepse njëri nga djemtë e rinj luftëtarë duhej të qëndronte mbrapa, në mënyrë që të siguronte tërheqjen.

– Shpejt, zbrisni nëpër atë rrugën teposhtë! – urdhëroi Agroni.

– Çfarë po ndodh? – pyeti njëri nga luftëtarët e rinj.

– Shpejt, largohuni andej, se përndryshe do të vritemi të gjithë! – tha Agroni. Ushtari deshi të thoshte diçka, por ndërkaq dikush nga trupat speciale serbe thirri me megafon: – Nëse doni të shpëtoni jetën, dorëzoni armët! -Ndërkaq, Agroni u bërtiti fort djemve:

– Nxitoni! Vraponi rrugicës teposhtë!.

Ata u bindën dhe filluan të lëviznin drejt rrugicës. Por vetëm disa sekonda më pas, forcat serbe nisën të qëllonin nga të dyja anët në drejtim të Agronit dhe bashkëluftëtarëve të rinj. I vetmi që ua ktheu zjarrin ishte Agroni. Me këtë veprim, ai tërhoqi drejt vetes tërë vëmendjen e armikut. I gjithë zjarri u përqendrua tek ai dhe pranë tij fluturuan dhjetëra plumba. Menjëherë u rrokullis anash dhe u fut pas një kthine. U ul, u mbështet pas një muri dhe mori frymë thellë.

– Për pak! Për pak! – po thoshte me vete.

luftëtarët e rinj tanimë ishin futur të gjithë në rrugicë dhe nëse ai arrinte të rezistonte edhe pak, atëherë ata do të fitonin kohë, do të arrinin të dilnin nga sanduiçi dhe të shpëtonin. E gëzoi ideja se ata mund të shpëtonin. Prandaj e shtrëngoi edhe më fort armën dhe nuk lëvizi.

8.

Të shtënat nuk pushonin. Kur e panë se Agroni nuk kishte ndërmend të lëvizte nga pozicioni që kishte zënë dhe kishte bllokuar përparimin e forcave speciale, serbët ndryshuan taktikë.

Për pak kohë u bë qetësi, sepse serbët e ndaluan zjarrin, por në çast Agroni e kuptoi rrezikun.

– Sillni një RPG-7! – urdhëroi me zë të lartë komandanti i njësisë serbe. Pas pak, pranë tij shkoi një ushtar me RPG-7 në dorë.

– Shtrihu dhe merr shenjë atje! – tha ai duke bërë me dorë për nga pozicioni i Agronit.

Ushtari u shtri, bëri gati armën dhe kontrolloi me shënjestër deri sa gjeti pozicionin e Agronit.

– Gati, – tha ai në pritje të urdhrit.

– Ta shohim sesi do të dalë tani, – tha gjithë mllef oficeri serb duke parë nga Agronit, i cili sapo kishte nxjerr kokën për të parë se çfarë po ndodhte.

9.

Agroni e pa oficerin serb që po i jepte urdhër ushtarit të qëllonte drejt tij me RPG-7. Zemra filloi t’i rrihte shpejt dhe e ndjeu se po i rritej niveli i adrenalinës në gjak. Vështroi në drejtim të anës tjetër të rrugës dhe llogariti sesa gjasa kishte që të arrinte deri atje.

Shumë pak! Gjithçka, çdo element ishte kundër tij.

E pa edhe njëherë.

Ushtari me RPG-7 po bëhej gati të qëllonte dhe Agroni arriti ta vërente fare mirë nënqeshjen cinike të oficerit serb.

Shtrëngoi armën dhe deshi të ndryshonte pozicion, me shpresën se ndoshta arrinte të largohej nëpër rrugicën poshtë.

Mori frymë thellë dhe u nis.

Ishte i shpejtë, por jo aq sa duhej. Me bisht të syrit arriti të shihte se predha e RPG-7-ës u nis drejt tij.

10.

Qielli ishte i kaltër dhe pa asnjë re të vetme.

Në vesh i vinte një ushtimë, që pas çdo çasti që kalonte i dukej se po bëhej muzikë. Kishte shumë për të thënë, shumë për të bërë, por nuk mundej më.

Ishte plagosur.

“Po vdes”, mendoi Agroni.

Mendja i shkoi te Linda. Diku thellë, ndjeu dëshirën që ta kishte pranë. T’ia shtrëngonte dorën. Të fliste me të. T’ia tregonte më në fund ato që përherë kishte dashur t’ia thoshte.

Edhe pse ajo nuk ishte aty pranë, megjithatë zemra asaj i fliste. I thoshte sesa shumë e dashuronte. Sesi ajo i dha shpresë për jetë. Si e mësoi ta shfrytëzonte edhe pjesën tjetër të qenies së vet, pjesën njerëzore që kishte menduar se e kishte lënë mbyllur në dollap atë ditë kur i ishte vrarë familja.

Para syve, që tash gjithnjë e më tepër shihnin vetëm mjegull, i dukej se Linda i kishte ardhur pranë, ndonëse e dinte që ky ishte vetëm një vegim.

– Ti më bëre të ndihem i gjallë, kurse zemrën time e detyrove të rrihte gjithnjë e më shpejt, sa herë isha pranë teje. Më vjen keq që këto nuk t’i kam thënë më parë, atëherë kur kishim mundësi ta gëzonim njëri-tjetrin…

E nisi me aq zë sa i kishte mbetur dialogun imagjinuar me Lindën, por nuk arriti ta përfundonte.

Po shihte gjithnjë e më pak dritë.

Nëpër trup i kaloi një ftohtësirë dhe e kaploi një lloj frike.

Përfytyrimi i Lindës u zhduk në çast.

Pastaj e ndjeu se nuk ishte më vetëm. Ndjeu praninë e dikujt apo të diçkaje tjetër. Por që nuk ishte e kësaj bote.

Iu duk se të gjithë erdhën për ta pritur dhe për t’ia bërë më të lehtë kalimin në anën tjetër. Babai, nëna, vëllai dhe katër shokët e tij më besnikë, të veshur në uniformat më të bukura, që bëheshin gati ta prisnin me nderimet më të mëdha komandantin e tyre.

O Zot! Në dorën tënde! – arriti të pëshpëriste duke mbledhur forcat e fundit dhe dha shpirt.