~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i dytë

1.

ULQIN

Ishte ora gjashtë e mëngjesit dhe vetëm adhuruesit më të zellshëm kishin shkuar të laheshin në det. Valët përplaseshin në mënyrë ritmike njëra pas tjetrës mbi shkëmbinjtë e plazheve të vogla shkëmbore poshtë hotelit “Galeb”. Këto frekuentohen më pak nga turistët, të cilët më shumë shkojnë në plazhet me rërë të imtë, që fillojnë nga plazhi i madh i Ulqinit dhe vazhdojnë deri në lumin Buna në kufi me Shqipërinë.
Vajza më së shumti parapëlqente ujin e ftohtë të mëngjesit, sepse në atë kohë nuk kishte fare njerëz dhe papastërtitë që kishin lënë turistët një ditë më parë, ishin larguar në thellësi. Ishte zeshkane tipike, me flokë të lëshuar pak mbi veshë, e gjatë jo më tepër se një metër e shtatëdhjetë e pesë, në anën e djathtë të hundës kishte një nishan të zi, ishte fytyrëqeshur e thuajse përherë e hareshme.

– Linda, eja hidhu, – i thirri Loriku, shoku i saj më i mirë, i cili çdo mëngjes i bënte shoqëri. Linda atë e donte sikur ta kishte vëlla, ndonëse e dinte se diku thellë në zemrën e tij, Loriku nuk e shihte si motër. Megjithatë, kjo nuk e pengonte të shoqërohej me të, edhe pse shoqëritë intime në moshën e saj mund të linin vend për keqkuptime. Ajo ishte 26 vjeçe dhe të ndodhej pothuajse gjithmonë në shoqërinë e një mashkulli të hijshëm, me arsyetimin se ishin vetëm shokë, ishte njëlloj sikur dikujt t’i hidhje hi syve. Linda e dinte këtë, por nuk donte që përshtypjet e të tjerëve të ndikonin në pavarësinë e saj dhe në mënyrën sesi e organizonte jetën. Sikur t’ua vinte veshin njerëzve dhe të mundohej të arsyetonte për çdo gjë që mendonin ata, sigurisht që nuk do të arrinte të ishte vetvetja e aq më tepër të mbetej gjallë.

Linda ishte individualiste e përjetshme dhe ndoshta vetëm individualizmi ishte ajo fija e hollë që e lidhte me të kaluarën. Loriku nuk kishte as idenë më të vogël se kush ishte në të vërtetë Linda dhe se çfarë fshihej në të kaluarën e saj. Ai nuk bënte pyetje, por as ajo nuk kishte ndërmend të përgjigjej, nëse ndonjëherë do të ndodhte që ai ta pyeste. Linda mundohej ta harronte të kaluarën e saj dhe nuk do të lejonte asgjë që ta kthente përsëri atje. Nuk kishte më kthim mbrapa dhe përpiqej ta bindte veten se tanimë ishte e lumtur dhe kishte përpara tërë jetën. Por shumë shpejt, e kaluara do të kthehej sërish dhe do ta përfshinte edhe një herë në vorbullën e luftës në Kosovë.

Linda buzëqeshte ndërsa shikonte Lorikun sesi i çante dallgët e detit dhe mundohej të tërhiqte vëmendjen e saj, me shpresën se, një ditë, ajo do ta kuptonte dashurinë e madhe që ndiente për të. Linda hoqi bluzën dhe rrezet e diellit të mëngjesit që ranë mbi trupin e saj të bukur, i dhanë asaj një shkëlqim që të krijonte përshtypjen se ishte sirenë deti e jo vajzë dosido. Ishte prej atyre vajzave që adhurohej nga meshkujt dhe ajo ishte e vetëdijshme për këtë. Me dëshirën që kjo të vazhdonte për një kohë sa më të gjatë, mori hov dhe u hodh në valët e detit.

2.

Ishte hera e dytë brenda pak ditëve që Agroni ndihej ashtu. Zgjimi nga gjendja e pavetëdijshme nuk ishte aspak i këndshëm. Koka gati sa nuk po i pëlciste dhe, me gjithë përpjekjet që bëri, trupin nuk e lëvizte dot. Çdo gjë i kujtohej si nëpër mjegull, por me kalimin e kohës copëzat e mozaikut po bëheshin përherë e më të qarta. Ishte i burgosuri i dikujt që pohonte se mund ta ndihmonte të realizonte hakmarrjen e tij. Ndërkohë që po mundohej të lidhte copëzat e gjithë kësaj historie dhe t’i gjente fillin, më së shumti e shqetësonte fakti sesi ishte e mundur që ata dinin thuajse gjithçka për të.

– Më vjen keq nëse i ke keqkuptuar bashkëpunëtorët e mi, por çdo gjë është për të mirën tënde. Ti nuk mund ta marrësh me mend se sa i gëzuar jam që të shoh përsëri! – dëgjoi nga mbrapa zërin e një burri që duhej të ishte në moshë të shtyrë dhe linte përshtypjen se e njihte shumë mirë Agronin.

“Prit… Diku e kam dëgjuar këtë zë. Po ku? Kujtohu!…” Agroni po mendonte me shpejtësi dhe vetëdija e tij po kërkonte nëpër skutat e pluhurosura të kujtesës. Kërkonte diçka që do ta ndihmonte të kujtohej dhe… “Jo, nuk mund të jetë ai”, vazhdonte të mendonte më me vrull, por burri ndërkaq u afrua dhe u ul pranë shtratit, sikur t’ia kishte dëgjuar mendimet.

– Dua të them se më shumë më ka pëlqyer pamja jote e dikurshme, por kam dëgjuar se femrat pëlqejnë më shumë pamjen e që ke marrë tani, – iu drejtua burri, këtë herë me humor e dashamirësi. – Më duket sikur ta shoh ende atë shenjën që more në fytyrë, kur luaje në “Olympia Park” të Munihut.

Agroni nuk mund ta besonte në fillim, por tanimë e kuptoi se burri përpara tij ishte Naimi, shoku më i mirë i babait të tij, me të cilin kishte kaluar kushedi sa çaste të bukura në fëmijëri. Vetëm Naimi e dinte historinë e asaj shenjës në fytyrën e Agronit, sepse atëherë, ngaqë i ati ia kishte ndaluar të dilte nëpër qytet, i ishte lutur xhaxhi Naimit që të shëtisnin bashkë. Atëherë ata jetonin në Munih dhe Agroni kishte shumë dëshirë të vizitonte parkun afër vendit ku në vitin 1972 ishin zhvilluar Lojërat Olimpike. Por i ati ishte përherë i merakosur për sigurinë e familjes së tij dhe nuk donte që fëmijët të endeshin nëpër qytet, nga frika se shërbimi sekret jugosllav mund të ndërmerrte diçka kundër tyre. Agroni, si i vogël që ishte, nuk e kuptonte nevojën për gjithë atë kujdes dhe, përkundrazi, kjo vetëm sa e nxiste më shumë që të dilte jashtë. Ngaqë ishte fëmijë tepër i lëvizshëm, atë ditë, gjatë lojës, ishte lënduar në fytyrë. Dhe më shumë se nga plaga, ishte frikësuar nga reagimi i të atit, sepse kishte shkelur rregullën e përcaktuar prej tij. Për ta qetësuar, Naimi atëherë i kishte dhënë fjalën se nuk do të tregonte të vërtetën sesi ishte lënduar dhe ashtu kishte bërë…

Agroni nuk arrinte të gëzohej që, pas shumë vitesh, po e takonte sërish Naimin, sepse ishte i shqetësuar për mënyrën si e kishte gjetur miku i vjetër i të atit. Nëse Naimi kishte arritur t’i binte në gjurmë, të njëjtën gjë mund të bënin edhe të tjerë dhe kjo e trazonte pa masë.

– Si më gjete? – e pyeti Agroni me zë të qetë, pa dashur të nxiste dyshime te Naimi.

– Eh, çuni… – kështu e thërriste Naimi dikur, – nuk qe fare e lehtë, por mos u frikëso, sepse askush nuk e di sekretin tënd. Njerëzit e mi do ta mbrojnë këtë sekret me jetën e tyre. A të kujtohet ajo ditë në klinikën e doktor Hofmanit, kur para se të t’i hiqte fashat të kërkoi edhe 34.000 dollarë amerikanë për pamjen tënde të re?

Agroni nuk u përgjigj, por kujtimet e kthyen në atë ditë të largët të para shtatë vjetëve, kur kishte pësuar aksident automobilistik. Makina i kishte dalë nga kontrolli dhe kishte shpërthyer gjatë rrokullisjes. Agroni mezi kishte shpëtuar dhe, veç lëndimeve të tjera, i ishte djegur pothuajse gjysma e fytyrës. Tanimë i ngjante Fred Krugerit, personazhit të filmave me tmerre, kështu që iu desh të shpenzonte të gjitha kursimet e tij në klinikën e doktor Hofmanit nga Denver-Koloradoja, i cili ishte i vetmi që i premtoi fytyrë dhe pamje të re. Dr. Hofmani ishte një mjek që punonte në mënyrë të jashtëligjshme dhe klientët e tij ishin kryesisht njerëz që kërkonin të humbnin gjurmët dhe këtë atëherë e dëshironte edhe Agroni. Aksidenti ishte një fatkeqësi e ardhur nga Zoti, por ai ndërkaq mund ta ndërtonte fatin e tij të ri mbi këtë fatkeqësi dhe prandaj kishte vendosur të humbte çdo gjurmë nga jeta e tij e mëparshme.

Mirëpo mjeku, tek i cili kishte shkuar me aq vështirësi, refuzoi ta përfundonte veprën e vet para se ky t’i jepte edhe 34 000 dollarë shpërblim për “punën e paplanifikuar”, siç thoshte ai.

Agroni nuk kishte më para që t’i paguante, sepse ia kishte dhënë të gjitha ato që kishte pasur si kursime. Por, një ditë, dikush e kishte shlyer borxhin e tij dhe mjeku e kishte përfunduar operacionin plastik.

– Ti e pagove borxhin tim? – i tha Agroni duke u munduar të ngrihej, por ndonëse u përpoq shumë, trupi ende nuk po i bindej.

– Po, – tha Naimi. – Unë e pagova, madje edhe pak më shumë se ç’duhej, vetëm e vetëm që mjeku të ta dhuronte sa më shpejt pamjen e re. Ke bërë punë të madhe, çun! E admiroj durimin dhe gjakftohtësinë me të cilën i bën njerëzit që për asnjë çast të mos dyshojnë tek ti… – Naimi vazhdoi të fliste për faktin sesi, pas çdo aksioni, Agroni arrinte të tërhiqej dhe të luante rolin e ushtarit të thjeshtë, ndërkohë që të tjerët e kthenin në legjendë çdo veprim të tijin. Po fliste me aq pasion, sa Agroni s’kishte si mos të bindej se në sytë e burrit kishte vetëm admirim të pafund.

3.

Agroni e kuptoi më në fund se nuk kishte pse të frikësohej. Për gjithë të tjerët ai ishte vetëm një ushtar i zakonshëm dhe ngaqë vetëm ai kishte shpëtuar gjatë masakrës, ishte e natyrshme të dyshonin për të. E njihnin si trim, të pamëshirshëm ndaj armikut, por nuk e dinin se ai ishte edhe “komandant Agroni”. Naimi i tregoi se dikush kishte këmbëngulur fort që ai të gjykohej dhe gjithë kohën përmendte pushkatimin. Gjithçka ishte zhvilluar shumë shpejt. Masakra, rojet te dera e dhomës së spitalit, kërcënimet me pushkatim… Po të mos kishte qenë Naimi, që e kishte nxjerrë prej andej, dikush do të ishte ngritur kundër tij dhe me siguri do të kishte përfunduar para gjyqit dhe poshtërimit. Agroni ishte i lumtur për mënyrën si përfundoi e gjitha kjo, por njëkohësisht edhe i mërzitur, sepse në identitetin e ushtarit të thjeshtë, që ai e kishte përdorur që nga fillimi i luftës, kishte lënë shenjën e përjetshme të tradhtarit.

“Ta hajë dreqi!” tha me vete Agroni i nervozuar. Nuk u kishte hyrë tërë atyre rreziqeve që tani të jetonte me idenë se dikush, kur ta shihte në rrugë, ta ndiqte si tradhtar. Dhe për tradhtarët ka vetëm një dënim: vdekja.

Ai ndodhej mes dy zjarresh, por e dinte se Naimi kishte vepruar si duhej. Në gjyq nuk do t’i kishin besuar se ishte komandant Agroni, ngase shumë njerëz dëshironin t’i bënin të tyret bëmat e tij dhe trupi gjykues me siguri që do ta kishte dënuar me vdekje. Naimi ishte i bindur se dikush me pozitë të lartë, madje po ai që edhe e kishte tradhtuar, ishte kujdesur fort për këtë dhe me siguri që synimi kryesor për sulmin mbi kampin e refugjatëve kishte qenë që të vriteshin të gjithë burrat që ndodheshin atje. Ata nuk mund ta dinin se pikërisht ai, i vetmi që kishte shpëtuar, ishte Agroni, që po e kërkonin kudo, ndaj dhe nuk do t’i ndalte asgjë dhe do ta vrisnin në spital. Agroni ndërkaq ishte i bindur se, përveç Naimit, duhej të kishte edhe të tjerë që mund ta kishin zbuluar identitetin e tij të vërtetë dhe kjo ishte shumë e rrezikshme. Nuk kishte ku të shkonte. Në shpirtin e tij, çdo çast e më tepër grumbullohej një valë e re urrejtjeje, si atëherë kur, për herë të parë, ishte betuar për hakmarrje. Dhe nuk i kishte mbetur asgjë më tepër veç shpresës se Naimi vërtet do t’ia krijonte rastin që të hakmerrej.

4.

Me të rënë mbrëmja dhe pas dushit të zakonshëm, si çdo herë tjetër në orën nëntë, Linda ishte ulur në banakun e kafebarit “Belami” dhe, si gjithmonë, Loriku ishte me të. Sapo uleshin, banakieri, pa i pyetur fare, menjëherë u vinte përpara nga një gotë të madhe me birrë të ftohtë. Edhe ajo mbrëmje do të kishte qenë si gjithë netët e tjera – kur ajo dhe Loriku shëtisnin trotuareve dhe argëtoheshin nëpër diskoteka deri në mesnatë – sikur kësaj here në bar të mos kishte hyrë një burrë rreth të pesëdhjetave, që menjëherë u drejtua nga Linda. Edhe pse në atë moshë, i veshur me xhinse e me xhaketë sportive, ende dukej si atlet dhe ecte me hap të lehtë. Ishte Oficeri dhe ardhja e tij e shqetësoi pa masë Lindën.

Loriku e kuptoi menjëherë se ata dy njiheshin, sepse me ta parë Oficerin, Lindës i mbeti pija në grykë. Sikur u shfytyrua dhe sytë i shndritën si ata të maces, që përgatitet për sulm që nga qoshja ku është strukur. Çdo muskul në trupin e saj ishte vënë në gatishmëri dhe dukej sikur nga çasti në çast do t’i kërcente dikujt në grykë. Kjo e frikësoi Lorikun, sepse nuk e kishte parë kurrë kështu Lindën. Brenda pak sekondash, para tij nuk ishte më Linda që njihte, por një vajzë tjetër, e panjohur për të, ndaj dhe Loriku mendoi që të shkonte e t’i qëronte njëherë e mirë hesapet me atë burrin.

“Hesapet… po ç’hesape?” mendoi me vete, sepse nuk e njihte atë njeri. Dhe çfarë do t’i thoshte? Apo: “Zotëri, prania juaj po e shqetëson shoqen time… Jo, kështu nuk bën.” Ndërsa mendonte kështu, iu kujtua një paralajmërim që ia kishte bërë Linda kohë më parë, por ai nuk e kishte kuptuar: “Nëse ndonjëherë sillem në mënyrë të çuditshme dhe bëj gjëra që ti nuk mund t’i mendosh se mund t’i bëj unë, mos pyet. Nëse vërtet më ke shoqe, mos më pyet për asgjë”. Prandaj, edhe pse ziente përbrenda, Loriku nuk reagoi fare. Ndërkaq po përpiqej ta thyente pak zymtinë e atij çasti, renë e zezë që u shfaq papritmas, por çdo gjë ishte e kotë. Linda nuk ishte më ajo që njihte.

– Lorik, të lutem, shko. Më lër vetëm, se më duhet të mbaroj një punë, – i tha Linda dhe i preku krahun, sikur të donte ta siguronte se çdo gjë do të ishte në rregull, megjithëse as vetë ajo nuk e besonte këtë.

– A je e sigurt? Unë nuk dua të të lë vetëm, – ia ktheu Loriku, që mezi po e përmbante veten.

– Të lutem, kujtohu se ç’të kam thënë!

Dhe kaq mjaftoi që Loriku të largohej. E dinte se ishte më mirë që as kokën të mos e kthente dhe u nis drejt banesës së tij. Kur po dilte, i hodhi një shikim të egër Oficerit, por diçka në sytë e tij e trembi. Ai burrë nuk ishte nga ata që mund të trembeshin lehtë.

– Ke gjetur djalë të mirë, – i tha Oficeri Lindës.

– Nuk e di se çfarë kërkon, sepse ty nuk të intereson më asgjë nga jeta ime. Besoj se këtë e kemi sqaruar njëherë e përgjithmonë. Apo nuk ta kam bërë të qartë dhe aq mirë herën e fundit që jemi parë? – ia ktheu ajo pa ia hequr sytë dhe duke rrotulluar gotën në dorë.

– Nuk pritet kështu miku i vjetër! – tha Oficeri dhe u ul pranë saj, në vendin ku më parë kishte qenë ulur Loriku.

– Ka perënduar koha kur ne ishim miq! – ia ktheu Linda dhe bëri të ngrihej, por dora e tij e ndaloi.

– Ti e di fort mirë se pa një arsye të fortë, madje tepër të fortë, nuk do të isha këtu. Ardhja ime këtu është me rrezik të madh dhe në çdo çast mund të më arrestojnë.

Linda po mundohej me të gjitha forcat të përmbahej. Për një çast, e gjithë e kaluara i ra mbi kokë. Dhe duke u kthyer mbrapa në kohë, iu kujtua edhe një herë pranvera e vitit 1996, kur kishin sulmuar një stacion policor, ndërkohë që ende besohej se ekzistenca e Ushtrisë Çlirimtare ishte thjesht një mit.

“Linda, më ndihmo! Të lutem, më ndihmo!” Ky ishte zëri i Arbenit, shokut të saj të armëve. Të dy ishin snajperë dhe urdhrat i merrnin drejtpërdrejt nga Shtabi i Përgjithshëm, kurse Oficeri ishte komandanti i tyre. Të dy i takonin njësisë speciale që ishte krijuar qysh në vitin 1993 dhe ku të gjithë ishin përzgjedhur me kujdesin më të madh. Më të mirët në qitje, më të mirët në planifikim, në radiondërlidhje, në përdorimin e eksplozivëve, në vrojtim; më të mirët në gjithçka. Linda dhe Arbeni ishin në grupin e parë të atyre që kishin kryer stërvitje në kampet e trajnimeve që ishin ngritur në Shqipëri. Njësiti i saj kishte kryer pjesën më të madhe të aksioneve që planifikoheshin drejtpërdrejt nga Shtabi i Përgjithshëm dhe që për shumëçka u ngjanin atyre që i kryenin njerëzit misteriozë, që shtypi dhe thashethemet ia atribuonin komandant Agronit. Linda atëherë e admironte Agronin dhe ëndërronte që të takohej me të, edhe pse besonte se kjo ishte e pamundur. Nuk dihej madje se a ekzistonte me të vërtetë Agroni apo ato aksione i kryenin të tjerë njerëz e që, për të humbur gjurmët, ia atribuonin të gjitha një njeriu imagjinar. Të njëjtën dëshirë kishte edhe Arbeni, i cili besonte se Agroni nuk ishte vetëm një legjendë dhe se një ditë, lufta e tij do të frymëzonte një popull të tërë që të thyente frikën dhe të fillonte kryengritjen. Një ditë para se të vritej, Arbeni ia kishte thënë këtë edhe Lindës, e cila nuk kishte mundur të bënte asgjë për ta shpëtuar.

“Oh, Zot!” tha me vete ajo. Sërish i dilnin përpara pamjet e luftimeve gjatë aksionit në stacionin policor të Kijevës. Njësiti i saj i kishte zënë në befasi policët serbë dhe me siguri që do ta kishin shkatërruar krejt stacionin, sikur të mos kishin ardhur me shpejtësi përforcimet me trupa serbe. Duke realizuar një mburojë të koordinuar me snajperët e vet, ajo dhe Arbeni kishin bërë të mundur tërheqjen e të gjithë njësitit, por në fund, kur ishin detyruar edhe vetë të tërhiqeshin, Arbeni ishte plagosur. Dhe ajo nuk kishte mundur ta ndihmonte ngaqë nuk e kishin lejuar, megjithëse kishte qenë e bindur se mund ta shpëtonte. E kishin urdhëruar të mos kthehej mbrapa dhe ta linte aty mikun e saj, ndërkohë që pastaj kishte parë se si Arbeni vrau veten për të mos rënë i gjallë në dorë të serbëve.

Linda ishte e bindur se Arbeni ende do të ishte gjallë, sikur njeriu që ndërkaq e kishte përpara, të mos e kishte urdhëruar ta braktiste.
– Ti e di fort mirë pse jam larguar dhe nuk ke ç’të më thuash më! – ia preu shkurt ajo dhe tërhoqi krahun.

– Të lutem, – iu drejtua ai pasi ia kapi sërish krahun, – nuk kërkoj asgjë, përveçse të më dëgjosh. Ti je shpresa jonë e fundit. – Dhe kësaj here ia lëshoi krahun, sikur të ishte pajtuar me idenë se ajo nuk dëshironte të bisedonte me të. – Kam ardhur këtu kundër dëshirës sime. Ende përpiqem të kuptoj pse më fajëson për vdekjen e Arbenit, por ja ku po ta them përsëri se nuk kisha ç’të bëja më shumë. Nuk mund të lejoja që të ktheheshe mbrapa, sepse atëherë do të ktheheshin edhe të tjerët pas teje. Nuk mund të rrezikoja që të të humbisja ty dhe kushedi sa të tjerë. Humbja e Arbenit ishte tragjedi, por të humbja edhe ndonjë tjetër prej jush, atëherë vërtet do të ishte katastrofë, – tha Oficeri me përunjësi të madhe, ndërsa Linda papritmas u qetësua dhe u ul sërish.

5.

PRISHTINË, ZYRA AMERIKANE

Që në ditën e parë vuri re se vendësit në Prishtinë çmendeshin pas të huajve, sidomos pas amerikanëve, dhe këtë ai dinte ta shfrytëzonte më së miri. Në njëfarë mënyre ndihej keq që do t’i duhej t’i keqpërdorte ndjenjat e banorëve, të cilët kishin simpati të sinqertë për ShBA-të, çka e bënte krenar që ishte amerikan, por edhe që ndodhej mes tyre. Pavarësisht ndjenjave të tij, agjenti Smith ishte profesionist dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejonte që ndjenjat të ndikonin mbi vendimet dhe veprimet e tij. Në Prishtinë kishte shkuar për në një mision shumë të rëndësishëm dhe realizimi i tij ishte përparësia e vetme.

Përvoja e kishte mësuar se përherë duhej të ishte një hap përpara kundërshtarëve të vet,prandaj, me të mbërritur në Prishtinë, Smithi menjëherë riaktivizoi bashkëpunëtorët e agjencisë, identitetet sekrete të të cilëve do t’i mbronte me jetë. Prej tyre kishte njerëz me pozita të rëndësishme si nga pala shqiptare, ashtu dhe nga ajo serbe. Ai nuk habitej më me faktin sesi agjencia gjithnjë dhe kudo arrinte të kishte njerëz në pozita kyçe. Kjo ia lehtësonte tej mase punën, por njëherësh edhe duhej të krijonte burime të reja dhe të pastra, sepse në një situatë të tillë nuk mund ta përjashtonte mundësinë e mashtrimeve me informacione të rreme. Ekipin më të mirë e kishte angazhuar për vrojtimin e rezidencës së liderit paqësor të shqiptarëve. Përpos kësaj, kishte në dispozicion edhe njeriun që bënte pjesë në kabinetin e liderit paqësor, çka i bënte të mundur marrjen e informacionit për çdo lëvizje apo veprim brenda dhe jashtë rrethit të liderit.

Ndërkaq, agjenti Smith po analizonte rezultatet e para të vrojtimeve. Në duar kishte disa fotografi dhe një raport të hollësishëm për të gjitha veprimtaritë që ishin zhvilluara gjatë 72 orëve të fundit në rezidencën e liderit. Gjithë vëmendjen e kishte përqendruar në një seri fotografish të bëra natën, ku shihej një burrë që hynte në rezidencë e më pas dilte prej saj. Burri kishte trup atleti dhe ishte diku rreth të pesëdhjetave, ndërsa në qëndrimin e tij kishte diçka që agjentin Smith e kishte futur në mendime. Ishte i bindur se nuk ishte ndonjë nga njerëzit e zakonshëm dhe ndoshta ajo fotografi mund të shënonte hapin e parë në hetimet e tij. Sipas raportit që kishte lexuar, ai njeri ishte takuar vetëm për vetëm me liderin dhe agjenti Smith tashmë ishte i bindur se duhej të ishte personi që lideri e kishte ngarkuar të merrej me bombën.

6.

Të gjithë ishin në gjumë. Në dhomën e fjetjes ishin dy bashkëshortët, kurse në dhomën tjetër, që ishte afër banjës, flinin dy djemtë. Njëri gjashtëmbëdhjetë e tjetri dhjetëvjeçar.

Dera u hap pothuajse pa zhurmë dhe menjëherë hynë tre vetë, ndërsa i fundit në radhë e mbylli ngadalë. Ishin agjentë të UDB- së jugosllave, të cilët përherë vepronin në treshe në misionet e që u ngarkoheshin. Që të tre ishin të armatosur me Grazburia me heshtues zëri, revole automatike sovjetike të kalibrit 11 mm. Me hapa të lehtë e pa bërë zhurmë, nisën të kontrollonin dhomat. Në atë çast, për habi të agjentëve, nga dhoma e fjetjes doli gruaja, që pothuajse me sytë mbyllur shkoi drejt e në tualet dhe më pas, pa vënë re gjë, hyri në dhomën e fëmijëve. Dy nga tre agjentët u futën në dhomën e gjumit dhe atëherë u dëgjua një rrapëllimë e madhe. Burri i kishte parë dhe ishte përpjekur t’i zinte në befasi, por tanimë rezistenca e tij ishte e kotë dhe fishkëllimat e plumbave çanë ajrin. Burri u vra dhe pas kësaj, menjëherë dy agjentët dolën nga dhoma.

– Shpejt, pas gruas! – tha njëri dhe sakaq hynë në dhomën e fëmijëve, ku e gjetën gruan të shtrirë në shtrat me djalin e madh, të cilin mundohej ta qetësonte.

– Ku është tjetri? – e pyeti njëri prej agjentëve, ndërkohë që kërkonte djalin e dytë.

– Nuk është këtu, – tha ajo, por nuk arriti të thoshte më shumë, sepse plumbi e mori në lule të ballit. Djali, që deri atëherë ishte në krahët e saj, nisi të bërtiste me të madhe, ndërsa njëri prej agjentëve, pa u menduar dy herë, i drejtoi revolen dhe dy plumba përshkuan trupin e tij. Gjak, shumë gjak…

– O, Zot, o Zot! – ofshau Agroni, që u zgjua prej ankthit. Nuk kishte natë që të mos i dilnin përpara pamjet e tragjedisë së familjes së tij. Ndihej njëlloj si atëherë kur e ëma e kishte fshehur në dollapin sekret dhe prej aty shihte gjakun që rridhte prej trupave të vëllait dhe të nënës.

7.

Historia e familjes së Agronit ishte një roman më vete. Origjinën e kishte nga Peja. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, daja i tij kishte qenë anëtar aktiv i Organizatës Nacional- Demokratike Shqiptare. Pas luftës, komunistët jugosllavë kishin filluar vrasjet dhe burgosjet masive ndaj atyre që kundërshtonin pushtimin e sërishëm të Kosovës dhe për këtë arsye ishte detyruar që, së bashku me shumë veprimtarë e luftëtarë të tjerë, të largohej përmes Greqisë. Pas shumë bredhjeve nëpër Evropë, ishte vendosur përfundimisht në Bruksel, ku ishte bashkuar me grupimin shumë të fortë shqiptar me orientim të djathtë dhe ishte martuar me vajzën e një atdhetari të atjeshëm. Ndërkaq, motra e tij, që ishte edhe nëna e Agronit, ishte martuar në vitin 1956, por për shkak të historisë familjare, ishte përherë në shënjestër të UDB-së dhe për këtë arsye, bashkë me familjen, ishte detyruar të shpërngulej. Me mundime të mëdha arritën të siguronin disa vërtetime sikur ishin me kombësi turke, sepse pa to nuk mund të hynin në Turqi. Qëndruan një muaj në Shkup, derisa konsullata turke përgatiti dokumentacionin e nevojshëm dhe përfundimisht, në vitin 1962, duke lënë prapa gjithçka që kishin, u larguan përgjithmonë nga Kosova. Asokohe Agroni ishte ende në barkun e nënës dhe dritën e parë në këtë botë e pa me të shkelur në tokën turke. Lindja e tij ishte gëzimi i vetëm që përjetuan prindërit në tokën e huaj. Me të fituar shtetësinë, iu bashkuan valës së emigrantëve turq dhe u nisën për në Gjermani. Në atë dyndje emigrantësh nga Turqia kishte edhe plot shqiptarë të tjerë nga Kosova, të cilët nuk donin të qëndronin në Turqi.

Babai i Agronit më tepër anonte nga organizatat majtiste, që ishin në rivalitet me ato djathtiste me qendër në Bruksel, por kjo nuk i pengonte lidhjet familjare me dajën në Bruksel. Kudo që të ndodheshin, shqiptarët mbeteshin po ata dhe, ashtu sikur ishte zakoni në atdhe, shkëmbenin vizita me njëri-tjetrin dhe mundoheshin të mos i shkëpusnin lidhjet.

Atëherë, pasi ia vranë gjithë pjesëtarët e familjes, katilët e UDB-së e kërkuan, por nuk arritën ta gjenin dot Agronin e vogël dhe kështu, u larguan. Familja e tij ishte në gjendje të përhershme alarmi dhe me ta ndjerë rrezikun, e ëma e kishte fshehur në dollapin sekret, ku pa lëshuar zë kishte qëndruar tërë natën dhe deri të nesërmen në mëngjes, kur e kishte gjetur policia. Vrasësit nuk ishin zbuluar kurrë, por policia me të drejtë dyshonte se gjithçka kishte prapavijë politike. Lajmi se dhjetëvjeçari i kishte shpëtuar vdekjes, kishte bërë sensacion në media, por njëherësh edhe e rrezikonte vogëlushin. Ai i kishte parë vrasësit dhe kjo mjaftonte që ata të përpiqeshin ta vrisnin përsëri.
Me të dëgjuar për tragjedinë, daja e mori menjëherë dhe e largoi nga Gjermania, në fillim për në Bruksel, prej ku, brenda natës, me anë të kanaleve të fshehta, e nisi për në Izmir të Turqisë, ku jetonte një pjesë e familjes së gruas së tij. Kjo ishte e vetmja mënyrë për ta shpëtuar vogëlushin, sepse patrioti i vjetër e dinte se UDB-ja nuk do të hiqte dorë derisa ta vriste edhe atë. Kanalet me të cilat vepronin organizatat djathtiste ishin shumë më të sigurta se ato të organizatave të majta, por për të qenë edhe më i sigurt, transportimin e vogëlushit për në Turqi, daja ua besoi personave që bënin pjesë tek Ujqit e përhimët, organizatë e fuqishme nacionaliste turke. Në Izmir, Agroni kreu shkollën e mesme dhe vazhdoi shkollën e oficerëve. Sistemi turk i stimulonte të rinjtë që të bëheshin pjesë e ushtrisë dhe ata me prejardhje shqiptare kishin përparësi në raport me të tjerët, por Agroni nuk kishte shumë nevojë për ndonjë farë nxitjeje, sepse qysh atëherë ishte betuar për hakmarrje.

Si anëtare e NATO-s, Turqia i shkollonte kuadrot ushtarakë në Perëndim dhe më së shumti në ShBA. Agroni e kreu pjesën më të madhe të stërvitjeve në bazat amerikane në Bavari, ndërsa akademinë ushtarake në Uest Point, ku u dallua si një prej kadetëve më të mirë të huaj, ndoshta edhe më i miri që kishte shkelur ndonjëherë aty. Gjatë gjithë atyre viteve, vetëm një gjë i sillej nëpër mend dhe ato ishin fjalët e të vëllait, i cili, ndonëse në moshë të re, ishte një revolucionar i spikatur dhe përherë thoshte se për tërë të këqijat dhe krimet që serbët kishin bërë ndaj shqiptarëve, duhej të hakmerreshin deri në Beograd. Çdo ditë e jetës së Agronit ishte përgatitje e pandërprerë. Ishte mjeshtër në artet luftarake, në qitje, për eksplozivët, maskimin, planifikimin… Me një fjalë, i kishte përvetësuar të gjitha ato që mendonte se mund t’i duheshin. Daja, që shkonte shpesh për ta takuar, njëherë i kishte thënë se i ngjante shumë të atit. Madje ai shkonte aq larg sa i thoshte që, sa herë e shihte, i dukej se shihte të atin. Agroni ndihej shumë krenar pas këtyre fjalëve dhe ato e motivonin përherë e më shumë.
Pas vitesh të tëra përgatitjeje dhe pas aksidentit, me ç’rast e ndryshoi tërësisht pamjen dhe humbi gjurmët e jetës së tij të mëparshme, u nis për në Kosovë. Aty prezantohej kudo me emrin e vet të vërtetë dhe sa herë që dikush e thërriste Agron, diçka në shpirt i rrotullohej dhe hakmarrja ishte e vetmja gjë që i binte ndërmend. Së bashku me të, kishin ardhur edhe katër shqiptarë të tjerë, të cilët ai i kishte përzgjedhur vetë mes shqiptarëve në Evropë dhe Amerikë dhe që po ashtu si ai, kërkonin hakmarrje. Dhe që atëherë, u kthye në legjendë. Komandant Agroni u bë fantazma e natës dhe të gjithë e admironin. Në fillim ishin vetëm, sepse UÇK-ja ende nuk ishte organizuar dhe kishte vetëm disa njësi të vogla, që vepronin në ilegalitet të plotë. Por më vonë, më 1997, Agroni dhe shokët e tij iu bashkuan kryengritjes së madhe të armatosur duke vepruar si ushtarë të thjeshtë, pa e zbuluar asnjëherë identitetin e tyre.

“Gjithë këto vite pritjeje”, mendoi Agroni ndërsa u ngrit nga shtrati dhe hapi dritaret. Ishte natë dhe hëna e plotë pasqyrohej mbi valët e detit, që shkëlqenin zbehtë. Nga spitali e kishin çuar drejt e në Ulqin, prej nga duhej të niste ndoshta rrugëtimin e tij të fundit. Fuqitë tashmë i ishin kthyer sërish dhe ndihej plot energji. Ishte përsëri ai i mëparshmi dhe ndërkaq e kishte ndarë mendjen që rruga e tij për në Beograd të mos kishte kthim, sepse aty do ta aktivizonte bombën dhe do të hidhej në erë bashkë me beogradasit. Kjo ishte e vetmja mënyrë e sigurt që misioni i tij të mos dështonte.

“Edhe pak dhe fitorja do të jetë e jona!” tha me vete, por me mendje i iu drejtua shpirtit të të atit.

8.

Edhe pse formalisht ishte pjesë e asaj që kishte mbetur nga Federata Jugosllave, nën drejtimin e presidentit Gjukanoviç, Mali i Zi gjithnjë e më shumë zhvillonte politikë të pavarur dhe përpiqej të qëndronte sa më larg veprimeve politike të Millosheviçit. Megjithëse nuk ishte ndonjë situatë ideale, gjithsesi kjo u krijonte mundësi shqiptarëve për njëfarë lirie të kufizuar, prandaj dhe Linda kishte shkuar në Ulqin. E dëshpëruar për vrasjen e Arbenit dhe e mbushur me mllef për Oficerin, ajo e kishte braktisur njësinë e saj dhe ishte vendosur në Ulqin, ku jetonin kushërinjtë e së ëmës. Në Kosovë ajo kishte vepruar në ilegalitet të plotë dhe pothuajse askush nuk e dinte historinë e saj, kështu që nuk e ndiente rrezikun e arrestimit. Linda besonte se në Ulqin nuk do të takonte asnjëherë njerëz që dinin për të kaluarën e saj dhe aq më tepër Oficerin, i cili me të vërtetë kishte rrezikuar shumë, përderisa kishte shkuar ta takonte.

Ai ishte ushtarak i profilit të lartë dhe çdo çast që kalonte jashtë territoreve të lira, përbënte rrezik për të. Me siguri që ai kishte një arsye tepër të madhe, përderisa kishte rrezikuar aq shumë vetëm e vetëm që të takonte Lindën. Dhe Lindës diçka brenda vetes i thoshte se duhej ta dëgjonte dhe ashtu bëri. U shtang nga ato që dëgjoi dhe nuk dinte nëse duhej t’i besonte atij rrëfimi fantastik. Sytë i shkëlqyen si dikur, por e përmbajti veten dhe nuk shprehu entuziazëm.

– Për çfarë ju duhem unë? – e pyeti ajo, sikur të mos ishte fare e interesuar.

– Ai do të vijë këtu për të marrë bombën, – tha Oficeri.

– Kush ai?

– Komandant Agroni!

Linda mbeti pa frymë. Ai që ishte përgjegjës për shkatërrimin e idealit të saj, tani po i kërkonte që të ndalonte të vetmin njeri që ajo e respektonte dhe e admironte.

– Nuk të besoj aspak. Mendoj se rrëfimi yt është një trillim për të më kthyer sërish mbrapa.

– Jo, jo Linda! – tha ai dhe përsëri e kapi për dore – Të gjitha janë të vërteta. Duhet ta ndalim!

– Po pse duhet ta bëj këtë? Pse duhet ta shpëtoj unë Beogradin? – tha ajo me përçmim dhe e largoi dorën.

– E di që ti dhe Arbeni e keni admiruar Agronin, por tani ne duhet ta ndalim atë dhe vetëm ti mund ta bësh këtë. Nuk mund t’i shmangesh përgjegjësisë, sepse ti je luftëtare dhe për raste të tilla të kemi përgatitur, – i tha Oficeri me ton urdhërues.

Që të dy e dinin se Oficeri nuk po thoshte të vërtetën. Askush nuk e kishte menduar ndonjëherë se mund të gjendeshin në një situatë të tillë e jo më të përgatiteshin për të.

Përkundër urrejtjes së madhe që e ndiente për Oficerin, sytë e Lindës u qetësuan.

– Çfarë ka këtu për mua? – pyeti ajo papritmas.

– Vetëm fol dhe do të bëhet, – ia priti Oficeri pa u menduar dy herë, ngaqë nuk besonte se Lindës po i kalonte nëpër mend ta pranonte misionin.

Linda as që e çonte nëpër mend të kërkonte ndonjë lloj shpërblimi për misionin e saj, sepse kishte plane të tjera. Oficeri ishte shumë i kënaqur që ia arriti ta aktivizonte sërish Lindën dhe po ia shpjegonte me shumë pasion detajet e misionit, pa e ditur që ajo nuk kishte në plan ta ndalonte Agronin. Ky ishte rasti i saj që të hakmerrej për Arbenin dhe t’i çonte në djall të gjithë njerëzit e sojit të Oficerit. Edhe pse këtë nuk mund ta dinte, komandant Agroni tanimë e kishte fituar një aleat. Një aleat të fortë, që do t’ia siguronte rrugën deri në vend. Deri në Beograd.