~ Zonja Z ~

Thyerja

(mesazh për Zonjën Z)

 

Sa e lehtë është të thyhem!

Pyes veten: A jam edhe unë prej mishi e kocke apo jam prej qelqi?

Mjafton që dikush vetëm të të përmendë dhe mendja më arratiset.

Më kap një zjarrmi në shpirt, djersitem dhe mbështillem në ankth.

Dhe me krejt zërin ulërij: Nuk e dua! Nuk e dua dhe nuk më plas fare për të!

I gënjej të gjithë.

Dua të dëgjosh edhe ti që të të gënjej edhe ty. Por më së shumti gënjej veten, sepse kur thyhen të gjitha shishet dhe askush më nuk ma var veshin, atëherë dorëzohem.

E pranoj: Krejt çka dua je vetëm ti!