~ Zonja Z ~

Të gjithë jemi të njëjtë

(shënim i shkurtër i Zonjës Z)

 

“Unë besoj në dashuri, por jam lënduar aq shpesh saqë nuk besoj më te njerëzit. Kam filluar një rrugëtim të dhimbshëm nëpër të tatëpjetën e mosbesimit kronik, drejt stacionit të zymtë të të ndjerit i zbrazët. Kështu është njeriu pa dashuri. Por më mirë të ndihem i zbrazët sesa i lënduar!” – më tha sot një miku im. Një djalë i kujdesshëm, i pashëm, por mbi të gjitha një shpirt i pastër njeriu që nuk e meriton të ndiejë dhimbje, aq më pak dhimbje dashurie.

Vërtet ishte i prekur, kjo gjë ndihej madje edhe në çdo atom të hapësirës rreth tij. Ai më tregonte për ndjenjën e tij të zhgënjimit, e unë kisha ndjenjën se po ia dëgjoja mendimet që gumëzhinin në heshtje brenda shpirtit të trazuar, mendime të cilat ai ngurronte t’i ndante me mua: “Thonë se të dashurojnë, thonë se do të bëjnë gjithçka për ty, thonë se nuk duan gjë tjetër veç të të bëjnë të lumtur. Më pas fjalët i merr era. Sikur e tëra të ishte vetëm një shaka e rastit, një batutë sa për të kaluar kohën, një parodi që të qeshurat i ngurtëson në lot të akullt”.

Ti më pyete pse ta tregova këtë histori.

Ta kam thënë sa herë: Historitë e femrave nuk dallojnë shumë nga historitë e meshkujve. Pavarësisht se çfarë themi, në fund të gjithë jemi të njëjtë: Qenie egoiste!

Një femër e lënduar mund të ketë dëshirë që meshkujt t’i paraqesë si qenie të ftohta, mizore dhe që janë në gjendje të të lëndojnë pa asnjë fije konsiderate, por kjo nuk është e vërteta e plotë. Edhe femrat dinë të jenë të pamëshirshme, të sillen me shpërfillje dhe ta poshtërojnë një mashkull që i dashuron sinqerisht. Miku im është ndër të rrallët që nuk ngurron t’i shprehë ndjenjat e vërteta, por zakonisht meshkujt shqiptarë nuk flasin për sikletet e tyre të zemrës, sepse jetojnë me bindjen idiote se nëse ankohen për dhimbjet e zemrës atëherë do të duken më pak meshkuj. Harrojnë se ndjenja e lëndimit dhe e zhgënjimit nuk kursen askënd dhe se guximi për t’i ndarë sikletet e zemrës me dikë tjetër i afron njerëzit.