~ Zonja Z ~

Sinqeriteti

Sa herë që mendoj për gjithë të tjerat, të njohura para Z-së, më duken si personazhe të sajuara saqë, kur ndonjëherë ndodh t’i takoj rrugës, kam përshtypjen se nuk i kam njohur kurrë. Mbase kjo ishte arsyeja që për aq kohë sa kam qenë me to, ndieja se diçka mungonte. Diçka themelore që nuk mund të krahasohej a të zëvendësohej me gjë tjetër: sinqeriteti. Jo vetëm në raport me të tjerët, por edhe me veten.

Në teatrin e botës, ku të gjithë shtiren se janë të sinqertë, po të njëjtët, çuditërisht, përpiqen të të bindin se sinqeriteti në jetë nuk është edhe aq me rëndësi.

Paradoks! Të thonë: Çfarë të duhet kjo, në një botë të rreme?

Sikur harrojnë se pa sinqeritet nuk mund të ketë dashuri të vërtetë.

Z-ja është e vërtetë. E vërtetë në çmendurinë, mllefin dhe zhgënjimin e saj, por mbi të gjitha është e vërtetë në raport me veten. Ky sinqeritet e fuqizon në karakter, e bën të lirë nga komplekset, prandaj ajo nuk turpërohet nga natyrshmëria e vet. Dhe një femër e tillë – e vërtetë ndaj vetes dhe e lirë nga komplekset – është ideali im: Një grua leopard, një mbretëreshë e shtratit dhe një magjistricë e shpirtit.

Tërë jetën kam menduar se lumturia është diçka e paarritshme, por, gjatë kohës që kalova me Z-në, e kuptova se lumturia fshihet te ngrohtësia që të jep njeriu që ke në krah. Dikush që nuk të bëhet vetëm dashnor, por edhe bashkudhëtar shpirtëror në jetë. Një njeri që i jep kuptim ekzistencës tënde.

Herë-herë, as vetë s’e kuptoj dot ç’ndryshoi Z-ja tek unë.

Është diçka intime që vështirë se mund të vërehet nga jashtë. Ka të bëjë me domosdoshmërinë që ndiej për të treguar vlerësim dhe respekt për femrën shqiptare, por edhe me nevojën që të jem i sinqertë për ndjenjat e mia, së pari në raport me veten e më pas edhe me të tjerët.

Z-ja ka një fuqi të jashtëzakonshme ndikimi, pasi ajo nuk flet nga një katedër boshe, fjalët e saj janë gatuar gjatë peripecive të shumta të vetë jetës së saj. Një femër e tillë të futet nën lëkurë dhe, dashje pa dashje, të bën të mendosh për gjithçka. Ajo të nxit të rishikosh veten. Prandaj, besoj se mirëkuptohem kur them se jeta ime ndahet në përgjumjen e lodhshme para Z-së dhe gjallërinë marramendëse pas Z-së. Ajo ishte kthesa. Këtë e kam ndier që në çastin e parë. Jam ngazëllyer, jam ndier i sfiduar, jam edhe trembur. E kam ditur, përtej çdo dyshimi, se Z-ja do të më ndryshonte në pakthim.