~ Zonja Z ~

Simulim orgazme

(shënim i Zonjës Z)

 

Dashnorët e mi kryesisht ishin të fiksuar pas orgazmës së tyre, duke neglizhuar pothuaj tërësisht timen. Nuk dua t’i fus të gjithë në një thes, por pak prej tyre e kanë ndier se nuk ishte e mjaftueshme vetëm që ajo vegla e tyre të futej brenda meje. Mendonin se përgatitja e tyre fizike ishte e mjaftueshme – disa ishin të bindur se të qenit atlet, nënkuptonte një dashnor të mirë. Dorën në zemër, të qenët atlet është një parakusht i rëndësishëm, por prapëseprapë është larg me të qenët i mjaftueshëm. Këta tipa, të dhënë pas atletizmit të tyre, e përjetonin veten si hamshorë të çmendur dhe mburreshin me këtë, duke menduar se do të më impresiononin. Nuk e shihja as të arsyeshme që t’ua shpjegoja se për mua, një hamshor është dikush që nuk di të bëjë gjë tjetër, pos që të mbajë një ritëm të sforcuar, nuk dëgjon, nuk shikon anash dhe nuk e ka ndjesinë se është bashkë me dikë tjetër. Me tipa të tillë nuk kam përjetuar asnjëherë diçka më shumë se sa vetëm shfryrje fizike të epsheve.

Të rrallë ishin ata që e ndjenin se për të përjetuar unë orgazmën duhej që dashnori im të ishte i vetëdijshëm se ndjesitë e mia ishin po aq të rëndësishme sa edhe të tijat. Duhej që t’i ndiente drithërimat e mia, në mënyrë që të gjente atë pikën e domosdoshme ku mendja dhe trupi im do të sinkronizoheshin në harmoni. Pak prej tyre janë treguar të durueshëm dhe të kujdesshëm. Sado që, në fillim, hamshorët më duken tërheqës, jo rrallë herë jam detyruar të simuloj orgazmën. Jam shtirur ose e kam imagjinuar dikë tjetër që më ngacmonte fantazinë, një përvojë jo e lehtë kjo. Me trup isha me njërin kurse në mendje me dikë tjetër.

Duke aktruar, kam mundur të mashtroj partnerin tim, por nuk kam mundur asnjëherë të plotësoj veten. Seksi nuk është një garë fizike në mes të dy partnerëve, një shfryrje e epsheve dhe e afshit. Është diçka intime, diçka që i takon asaj botës së fshehtë që e ndien secili dhe që nuk ka dëshirë ta ndajë me të tjerë, por e ruan vetëm për vete. Prandaj edhe nuk më pëlqen kur njerëzit, pavarësisht nëse janë meshkuj apo femra, i tregojnë të gjithë botës se kanë shkuar me filanin apo filanen dhe pastaj lëshohen në detaje akoma më banale.

Mendoj se shqiptarët, meshkuj dhe femra, kanë problem me botëkuptimin e tyre mbi seksin. Madje kam përshtypjen se, nën presionin e skemave shterpe të moralit, nuk kanë mundësi të zhvillojnë ide të veta për seksin.

Çdo qenie njerëzore, mashkull apo femër, në heshtje e ushqen një fantazi të caktuar erotike, por, me aq sa kam parë unë, meshkujt shqiptarë e kanë shumë të vështirë që këtë fantazi ta realizojnë me gratë apo të dashurat e tyre, sepse tremben se ato mund të prishen moralisht. Në anën tjetër, për po të njëjtat skema morale, nga frika se meshkujt do të mendojnë se ato janë të përdala, femrat ngurrojnë t’i shprehin fantazitë e veta.

çfarë i duhet një femre? Të bëjë seks apo të bëjë dashuri?

Që të dyja. Jo veçmas nga njëra-tjetra, por që të dyja përnjëherë. Butësinë dhe afshin nuk mund t’i ndash, sepse pasioni lind si afsh, por mbijeton vetëm falë butësisë. Dua ta ndiej hamshorin brenda meje dhe të ulërij: “Jepi bishë! Jepi bisha ime!” Por edhe dua që, në të njëjtën kohë, në sytë e tij të shoh butësinë e një engjëlli. Në shtrëngimet e tij, të ndiej kujdesin, të ndiej frikën se mos po i thyhem në duar. Dua që në buzët e tij, të ndiej afshin tim dhe të ndiej se është i imi, sepse vetëm një mashkull i tillë të përfshin si në mendje ashtu edhe në trup. Vetëm me një mashkull të tillë bën edhe dashuri edhe seks. Vetëm atij i hapesh me të gjitha shqisat dhe në harmoninë e të pestave e ndien si të zbulohet e gjashta. Ky është çasti kur dy dashnorë ngjizen në një trup dhe në një shpirt të vetëm dhe ku çdo gjë funksionon, siç e ke përshkruar edhe ti vetë në një nga mesazhet që më ke dërguar: sinkronizuar si çelësi dhe dryni magjik që funksionojnë vetëm për njëri-tjetrin.

Ti pyet se cila është qasja e duhur: Dashuri me butësi apo dashuri me afsh?

Do të doja që një mashkull të më trajtonte sikur të isha një mollë e bukur, e lëngshme dhe e shijshme. Të mos ngutet që t’i ngulë dhëmbët menjëherë dhe, në nguti e sipër, të rrezikojë që të mos më shijojë vërtet. Por të më marrë butë në dorë, të më lëmojë dhe të më qërojë ngadalë. Të më shijojë si trup, por edhe të më ndiejë si një shpirt i flaktë që jam. Në duart e një mjeshtri të tillë, mund ta përjetoj orgazmën si një shi meteorësh. Një të madhe, të nxitur nga afshi, dhe shumë të tjera të vogla, të nxitura nga butësia dhe ndjenja e kënaqësisë se e tëra po ndodh me mashkullin e duhur.