~ Zonja Z ~

Shqiptari i vërtetë?

(shënim i Zonjës Z)

 

Sot tërë ditën u lodha duke dashur të kuptoj pse mbrëmë u ndjeva një çupëlinë që nuk di asgjë as për jetën dhe as për meshkujt. Për çudi, pothuajse në çdo radio stacion, sot u dha kënga Miracle of love, thuajse dikush apo diçka po përpiqej të më përcillte një mesazh.

Ti nuk kërkon dashurinë time. Ti je aty me mua dhe je i lumtur për këtë, vetëm kaq. Sikur brenda shpirtit tënd gjithçka i gëzohet mundësisë që jemi bashkë, ndërsa çdo gjë tjetër thjesht ia lë rrjedhës së natyrshme të gjërave. Ti sikur më thua: “Stacioni ynë i radhës do jetë aty ku të na dërgojë zemra dhe shpirti.” Më parë mund t’i lexoja dhe t’i parandieja lëvizjet e dëshirat e meshkujve. Me ty ndihem gjithnjë e befasuar.

Unë besoj se ka meshkuj që vërtet synojnë të ngjizen me ty si në shpirt ashtu edhe në trup. A thua ti të jesh i tillë?

Me humor të thashë: – A është e mundur që dikush të jetë si ti dhe në të njëjtën kohë të jetë shqiptar?

Ti qeshe me mua dhe më the se para se shqiptarët t’i thurnin këngë trimërisë i kanë kënduar dashurisë. Ti më the se ndihesh shqiptar i vërtetë, një shpirt i lirë, i lindur për të shijuar bukurinë e pastër të natyrës dhe jo ky versioni arrogant e me kryelartësi të rreme që është krijuar ndërkohë. Dhe pastaj përsëri qeshe, sepse edhe ty, ajo që the, t’u duk shumë e ngatërruar.

A thua vërtet ndonjëherë shqiptarët kanë ditur të jenë ndryshe e ta vlerësojnë të bukurën? Ti je i bindur se po, pasi thua se shenjtëria e femrës është e koduar thellë në kujtesën gjenetike të shqiptarëve dhe shprehet në të gjitha mitet e vjetra që e ngrenë femrën në nivel të kultit. Më thua se shqiptarët e vjetër, jo vetëm e donin femrën por edhe e respektonin, përndryshe nuk do ta pranonin Teutën për mbretëreshë. Nuk e di. Mund edhe të ketë qenë kështu, por mendoj se Teuta nuk do të ishte krenare apo e lumtur me shqiptarët sot.