~ Zonja Z ~

Përherë vetëm

Z-ja nuk mund të çmohet nga të gjithë; ajo përfaqëson thelbin e bukurisë së pakapshme nga syri, atë që artistët tërë kohën përpiqen ta gjejnë. Si artist, nuk nxitem vetëm prej imazhit që kam përpara, sepse nuk e kam qëllimin të kap një çast të vetëm, një pikë në kohë e në hapësirë. Unë dua të kap amshueshmërinë: vetë energjinë e jetës që rrjedh, të ardhmen dhe të shkuarën të përjetësuara në një çast të vetëm.

Z-ja është si unë, por shumë më fisnike. Ka një shpirt të ndjeshëm, të butë, ushqyer përmes leximesh pa fund, sa herë-herë befasohem me përsiatjet e saj të thella mbi jetën. Është e lirë e mendjehapur, kryeneçe dhe e fortë. Për të sipërfaqësorja është vetëm një verbëri e domosdoshme, një petk i varfër që s’tregon asgjë për thelbin e njeriut.  Është thjesht shprehje e një nënshtrimi të vajtueshëm.

Z-ja nuk i honeps ata që mendojnë se gjërat iu takojnë vetvetiu. Janë po të njëjtit që i takojmë çdo ditë në rrugë, në punë, nëpër ballo, dasma dhe që plot siguri të përshëndetin me buzëqeshje të pakuptimta e të stërmbushura me gëzim hipokrit. Z-ja e ka kuptuar se, edhe sikur ta provonte pafundësisht herë, kurrë nuk do të mund të bëhej pjesë e botës së këtyre njerëzve. Është armiqësore, ndaj tyre, por nuk e humb mirësjelljen. Armiqësisht e mirësjellshme! Diçka në dukje e parealizueshme, por jo për Z-në.

Prandaj edhe thotë: “Me hir a me pahir, je e detyruar të lundrosh në detin e trazuar të intrigave që na rrethojnë. Por ndonjëherë thjesht nuk mundesh më. Nuk mundesh pa u përlyer edhe vetë. Kështu që me dëshirë zgjedh të rri e ngujuar në bregun e vetmisë. Larg njerëzve. Larg turmave dhe energjisë së keqe të vetmisë që kamuflohet mes buzëqeshjeve të shtirura.”