~ Zonja Z ~

Pakkush e do të vërtetën

(shënim i shkurtër i Zonjës Z)

 

Diku më shumë e diku më pak, femra shqiptare vazhdon të shihet si një lloj prone. Madje edhe ato zonjat e veshura rëndë që sfilojnë nëpër kanale televizive, që pjesën më të madhe të kohës e kalojnë te parukierja dhe që na shesin mend për koncepte elitare, edhe ato, kohë pas kohe, hanë shuplaka e durojnë poshtërsi nga më të ndryshmet. Këtë të vërtetë pakkush do që ta dëgjojë, pasi ua rrënon atë imazh të rremë që shpërfaqin në publik. E kanë shumë gabim, sepse dikush që ngre dorë njëherë, ngre dorë edhe për herë të dytë. Një femër shqiptare mbase mund të falë shumëçka nga vargu i madh i padrejtësive që i bëhen, por jo dhunën ndaj saj, madje edhe nëse kjo çon drejt ndarjes apo skandalit publik.

Një mikeshë e imja që vetë ka kaluar nëpër diçka të ngjashme, më ka treguar: “Sa herë që ngrinte dorë mbi mua, më pas pendohej. E shihja se pendimi i tij ishte i vërtetë, por kjo nuk e ndalonte që të bënte përsëri të njëjtën gjë.”

Ndonjëherë mendoj se mënyra e vetme për t’u ikur këtyre përvojave poshtëruese është që vullnetshëm të zgjedhësh të qëndrosh vetëm dhe të mos lidhesh me askënd. Por është shumë e vështirë të jesh e dashuruar dhe të vazhdosh të qëndrosh vetëm. Kjo është arsyeja pse në fund një femër shqiptare ul kokën dhe pranon përuljen. Ajo do të vazhdojë të dashurojë, por asgjë më kurrë nuk do të jetë e njëjtë.