~ Zonja Z ~

Një koktej kompleksesh

(shënim i Zonjës Z)

 

Mbrëmë ti nuk fole.

Mendjen e kishe diku tjetër dhe doje që vetëm ta ndienim njëri-tjetrin në përqafime. Ndërkohë që të mbaja shtrënguar, m’u duk rast i mirë që të të argëtoja pak me rrëfime për komplekset e kota që ushqejnë disa femra e meshkuj në Shqipëri.

Shumë meshkuj shqiptarë kompleksohen nga gërryerja që u bën troku i heshtur i viteve. Posa i afrohen të dyzetave fillojnë të bëjnë të gjitha ato majmunllëqe që nuk i kanë bërë dot në gjimnaz: vrapojnë pas çdo femre, sikur të ishin edhe njëherë 20-vjeçarë. Mbajnë ligjërata mbi jetën, njësoj si ata tridhjetëvjeçarët që u duket vetja se i kanë kuptuar të gjitha të pathënat e kësaj bote dhe në të njëjtën kohë përpiqen të duken seriozë, aq sa u duhet të përngjajnë me moshën që vërtet kanë. Të gjitha këto petka i veshin përnjëherë dhe klithin se duan të jetojnë të lirë. Ironike kjo: të mbërthyer në komplekse, i thurin himne lirisë.

Nuk është se femrat janë më mirë.

Femra tipike shqiptare përjeton tre faza të rëndësishme në jetën e saj. Në gjimnaz, me çdo kusht, përpiqet të duket më e pjekur – lexo e gatshme për çdo gjë. Posa të përfundojë studimet, nëse vazhdon të jetë e pamartuar, do të bëjë çmos që të tjerët ta ndiejnë si më të re. Ndërkaq kur shfaqet një rast serioz për martesë, përnjëherë futet brenda personazhit të një zonje të rëndë, fjalëpakë dhe që gjërat i peshon mirë. E shkreta nuk ka faj, sepse vetëm në këtë rol mund t’ia mbushë mendjen pretendentit se ajo ofron sigurinë që ai kërkon. Këto femra besojnë se djemtë e pashëm vetvetiu do t’u afrohen dhe se ato vetëm duhet të mbajnë qëndrim të rëndë dhe të presin.

Me siguri të ka rastisur të shohësh disa femra në grup, në pub apo diskotekë, të gjitha të rregulluara, të veshura me modën e fundit dhe secila duke u përpjekur të duket më joshëse se tjetra. Edhe pse rrinë bashkë, secila prej tyre ëndërron që nga aty të dalë tinëz në shoqëri të dikujt që do t’i çajë gjunjët e tij duke u përpjekur të fitojë vëmendjen e saj. Pothuajse të gjitha dështojnë në këtë synim, sepse, megjithëse vlojnë nga dëshira, ato luajnë rolin e indiferentes pasi janë shumë më të shqetësuara për opinionin e shoqeve të tyre. Për shkak të kotësive të tilla, gjithë ai grim dhe ajo përgatitje u shkon dëm.

Unë mendoj se shumë femra e teprojnë me fiksimin e tyre me pamjen e jashtme dhe ndërkaq, po të njëjtat ankohen tërë kohën se meshkujt i shikojnë vetëm si copa mishi, kur vetë ato i shtyjnë ta kenë këtë qëndrim. Ato nuk e kuptojnë se nuk mjafton vetëm bukuria e jashtme për të bërë një mashkull të ndiejë vërtet diçka për të. Bukuria është vetëm një ngacmim i parë, diçka që të tërheq vëmendjen në fillim. Gjithçka që vërtet e ngazëllen një shpirt dhe e bën të tërhiqet drejt një shpirti tjetër, fshihet në mendje, në shpirt, në një buzëqeshje apo në një dorë që të përshëndet.

Tash do të flas pak për lacizmin, si një nga komplekset më të mëdha të meshkujve shqiptarë, i cili shprehet në formën e një fryrjeje të aftësive vetjake përtej masave reale. Shumë meshkuj janë më tepër të dhënë pas autoritetit të tyre, mënyrës se si do të duken në publik dhe se çfarë qëndrimi do të marrin të tjerët ndaj tyre, sesa pas femrës që dashurojnë. Luajnë rolin e idiotit të rëndësishëm, duke dashur që më çdo kusht të paraqiten sa më hijerëndë, deri në atë pikë sa disa nga këta fillojnë të besojnë se rëndësia e tyre rritet duke i shpërfillur deri në poshtërim, të dashurat a gratë e tyre. Në të vërtetë unë besoj se ajo çfarë fshihet pas kësaj hipertrofie personale është një pasiguri therëse për veten, dëshirat apo aftësitë e tyre.

Por për më shumë keqardhje, është reagimi i femrave. Lacizmin e meshkujve që shprehet me ftohtësi, arrogancë e shpërfillje, femrat e interpretojnë si element të burrërisë së tyre, si diçka tërheqëse. Ato mendojnë se kjo tregon karakter të fortë.

Për mua, kjo është dëshmi se, atëherë kur dashurohen, femrat e humbin tërësisht mendjen dhe nuk dinë më se çfarë bëjnë, sepse vetëm dikush që e ka të dehur logjikën mund të dashurohet deri në fiksim vetëm pse ai tipi nuk ia var fare. Që ironia të jetë më e madhe, këtë fakt as nuk e fshehin, madje kur i pyet, pse janë dashuruar kaq marrëzisht, si budallaçka të thonë: Sepse nuk ma var fare. Thënë të vërtetën, këtu më shumë shkon ajo shprehja kosovare “Nuk ma fut hiq” që edhe pse tingëllon më vulgare e shpreh thelbin e problemit.

Këto femra që dashurohen pas këtyre meshkujve e bëjnë këtë pasi ai është shëmbëlltyrë e meshkujve me te cilët janë rritur, baballarët apo vëllezërit. Modeli i mospërfilljes dhe dhunës psikologjike në shtëpi u duket si i vetmi dhe më i miri i mundshëm.

Një situatë akoma më tragjiko-komike krijohet kur ai tipi nuk është vetëm mospërfillës, por edhe kurvar. Edhe pse e di se ai është një kurvar i madh, përsëri ajo tërhiqet drejt gënjeshtrave të tij. E bën këtë edhe pse e di se po të njëjtat fjalë ia ka thënë kushedi sa shumë të tjerave. E bën këtë, sepse ushqen një bindje naive se do të jetë pikërisht ajo që do ta mbledhë, do ta disiplinojë dhe do ta mbushë me mend. Bie në kurthin e po të njëjtit naivitet ku më parë kishte rënë edhe mamaja e saj .

Po ta mendosh thellë nuk duhet t’i akuzojmë këta meshkuj se sillen keq ndaj femrave, përderisa arroganca e tyre përjetohet si diçka tërheqëse, dhe u kërkohet që të sillen kështu. Më makabrja është se kur këto gjëra ua them mikeshave të mia ato më shikojnë thuajse si jashtëtokësore. Ato besojnë se, pavarësisht se ata sillen ftohtë, diku brenda tyre fshihet dashuria për to. Më vjen të ulërij prej budallallëkut të tyre. Nuk e kuptojnë që nëse ai nuk e tregon dashurinë atëherë as nuk e ndien.

Një kompleks tjetër që po ashtu mund të futet në konkurrencë për listën botërore të budallallëqeve, është bindja e meshkujve se pasi kanë fituar zemrën e një femre, duhet të marrin rolin e një autoriteti rregullues për të dëshmuar kështu burrërinë e tyre. Ky kompleks e shpjegon transformimin nga një ëngjëll i dashur në një djall të ftohtë.

Kur më vardisen dhe janë në ethet e fillimit të dashurisë, mashkulli është shumë qenie e këndshme që vrapon të më plotësojë çdo dëshirë. Por, pasi e arrin qëllimin e tij, ai shndërrohet në një qenie mizore që e shpërfill çdo mendim e dëshirë timen.

Një mikesha e imja ma ka përshkruar kështu ndryshimin në sjellje të të dashurit të vet: “Në fillim qeshnim me të gjitha ato gjërat e vogla, të shkujdesura dhe komike që bënte gjithsecili dhe në emocionin e humorit përfundonim në përqafime. Më pas filluam të grindemi për po të njëjtat gjëra dhe përfundonim në ulërima, pasi ai kërkonte nga unë që të tregohesha e përmbajtur e të tregoja kujdes në çdo gjë. Sipas tij kjo ishte mënyra se si duhet të sillet një vajzë që është në lidhje serioze. Domethënë  në çastin që u bëmë çift nuk guxonim të ishim si më parë.”

Ti thua se meshkujt dhe femrat i bëjnë konkurrencë njëri-tjetrit se kush do të tregohet më i ftohtë dhe më shpërfillës.

Dallimi është se femrat këtë e bëjnë para se të fillojë lidhja ndërsa meshkujt e bëjnë pasi të fillojë lidhja. Natyrshëm, më lind pyetja nëse njerëzit vërtet dinë të jenë të lumtur apo qëllimisht e fusin vetën në një cikël të ngacmimit dhe të lëndimit të tjetrit. Gjithë atë energji që e investojnë për ta provokuar dhe lënduar tjetrin, sikur ta orientonin në shprehje të kujdesit nuk do të kishim nevojë për psikiatër.