~ Zonja Z ~

Morali sipërfaqësor

(shënim i Zonjës Z)

 

Morali im nuk ka asgjë të përbashkët me ato që bota përreth i sheh si vlera. Madje, për mua, vlera e asaj që na shitet si moral nuk është gjë tjetër veçse ironi. Një teatër i madh, ku fjalën kryesore e kanë shenjtorët e rremë që në të vërtetë  kanë vetë djallin në zemër. Burra dhe gra që, duke arsyetuar teoritë e tyre të moralit, Zotin e përmendin orë e çast, për çdo gjë dhe për hiç gjë, derisa, me vetëdije dhe pa fije turpi, bëhen emisarë dhe shpërndarës të padrejtësisë. Nuk u mjafton shtrati i tyre, por ngulmojnë të informohen me kohë për çdo zhvillim në shtretërit e të tjerëve. Theksi bie te mbajtja e një liste virtuale të asaj se kush është duke shkuar me kë, në mënyrë që më pas të bëhet një klasifikim i të gjithë atyre që janë të pamoralshëm, perversë, nimfomanë dhe shumë etiketa të tjera. Sado që flasin për një botë që duhet të bëhet më e mirë, janë po të njëjtit që bëjnë çmos të mos ketë kurrë barazi dhe drejtësi.

A ke menduar ndonjëherë që nëse një burrë ia mësyn të bëjë qejf dhe ta zëmë se shkon me dhjetëra gra, ai bëhet heroi i lagjes. Ndërkaq, nëse një grua shkon me disa burra, qoftë edhe vetëm dy, jo më shumë, atëherë ajo do të stigmatizohet si lavirja e qytetit. Kurva e qytetit!

Ti më shikon me habi dhe më pyet pse e përdora fjalën “kurvë”? Thua se është shumë vulgare dhe shumë poshtëruese.

E përdora pikërisht se është e tillë dhe sepse këtyre shenjtorëve të ditëve të sotme, u rrëqethet mishtë nga ankthi i kënaqësisë vetëm atëherë kur fyejnë dhe me plot gojën duke thënë: “KURVË”. A nuk është ironike kjo? A nuk është hipokrizi? Nëse ajo vegla juaj, që ju zotërinj të dashur e trajtoni me aq kujdes saqë i jepni edhe personalitet të veçantë, qenka për të bërë sa më shumë qejf, për çfarë atëherë qenka zogu ynë? Për muze?

Morali nuk përkufizohet vetëm nëpërmjet seksit, por trajtimi i këtij të fundit është një element i rëndësishëm i tij. Mjafton vetëm të përmendësh fjalën “seks” dhe këta shenjtorë të rremë do të të përçojnë idenë se seksi është diçka e ndyrë ose e ndaluar, sekrete dhe jo për t’u diskutuar në publik. Disa prej tyre mund të jenë të bindur se femrat nuk duhet të dinë gjë për të, madje, shkojnë aq larg saqë përpiqen të ta mbushin mendjen se mëkat është edhe vetë kënaqësia e tij. Mua më vjen të pëlcas nga inati: sipas kësaj i bie që meshkujt kanë të drejtë t’i zbrazin koqet dhe të shfryhen deri në fund, ndërkaq ne duhet vetëm të hapim këmbët dhe të mos ndiejmë asgjë.

E ke vënë re garën e meshkujve që mundohen të shkojnë me sa më shumë femra që të munden, ndërkohë që ka ende shumë nga ata që me fanatizëm ngulmojnë për një bashkëshorte të virgjër natën e parë të martesës. Ku djallin i gjejnë gjithë këto virgjëresha? Pastaj, gjithmonë këta kanë fytyrë, pa fije turpi, ta gjykojnë një femër dhe ta poshtërojnë atë. Prandaj unë irritohem sa herë që një mashkull përmend virgjërinë; virgjëria është përdorur dhe vazhdon të përdoret si vegël për ta shtypur dhe përulur një femër.

Shkenca ka përparuar dhe sot virgjëria mund të ribëhet. Personalisht nuk njoh askënd, por thuhet se moda e re është pikërisht kjo, rikthimi i virgjërisë. Ky është tregues tipik i ironisë së moralit sipërfaqësor: nuk ka rëndësi nëse vërtet je e virgjër, mjafton që të dukesh ashtu.

Nuk e di deri kur do të mbijetojë kjo mendësi. Kam përshtypjen se gjëra të tilla, janë bërë boshti i traditave të rreme që jemi duke kultivuar si shoqëri. Në vend që këto tradita të zbehen, ato po bëhen edhe më të shpifura. Nuk e di deri kur shoqëria jonë do të vazhdojë të jetë rrethi i grave të tradhtuara dhe i burrave gënjeshtarë, rrethi i maturanteve virgjëresha të ndezura, mjeshtre të seksit, dhe i djemve, kinse të ndershëm por me varësi nga pornografia.

Prandaj nuk dua t’ia di për moralin e botës, sepse nuk ka asgjë të ndershme dhe të drejtë në traditat e rreme. Do ta jetoj jetën time ashtu siç unë e vlerësoj më së miri dhe e di që edhe pse të gjithë do të më shajnë, në të vërtetë do të më kenë zili. Për mua, kjo është shtresa e fundit e ironisë së rrethit ku duhet të frymojmë.