~ Zonja Z ~

Misteri Z

(shënim)

 

Diç nga brenda më shtyn të tregoj sa më shumë për Z-në, ndoshta ngaqë dua t’ia shpall gjithë botës ç’ndiej për atë,  por atëherë ajo s’do të ishte më muza ime e fshehtë që me magjinë e saj ka ringjallur shpirtin tim të fikur.

Nga ana tjetër druaj për të, druaj sepse njerëzve vetëm duke gërmuar në jetën e të tjerëve, iu bëhet më i durueshëm boshllëku i jetës së tyre. Cinikë dhe gjykues. Shtrigat nuk digjen më në turrë të druve, por njerëzit vazhdojnë të jenë plotësisht të aftë ta lëndojnë dikë përtej asaj që mund të durohet, aq sa ta bëjnë të dojë të hidhet vetë në flakë.

Nuk është aspak e rëndësishme se kush është Z-ja, si emër i përveçëm apo si figurë që mund takohet në rrugët e kryeqytetit. Nuk jam dashuruar me të për shkak të bukurisë a të ndonjë tipari tjetër të dukshëm, prandaj edhe sikur të tregoj se cila është pakkush do ta kuptonte delikatesën e frymëzimit tim.

Jam dashuruar me atë që jetonte brenda Z-së.

Me gjithçka ajo ndante me mua çdo mbrëmje.

Me guximin e saj që nuk e kam hasur te asnjë femër tjetër.

Me gatishmërinë e saj që të bënte gjërat më të çmendura vetëm për mua.

Nuk ndienim nevojë që lidhjen tonë ta shpallnim. Thjesht dëshironim që të shijonim dashurinë tonë, të qetë, larg syve të të tjerëve, t’i kuronim plagët e shpirtit njëri-tjetrit. Ajo kishte nevojë për fjalët e mia, ato që shpërthejnë vetëm nga pasioni i pastër, ndërsa unë kisha nevojë për butësinë  e shpirtit të saj.

Kjo ishte bota jonë, kaq na mjaftonte. çdo gjë, çdokush tjetër ishte i tepërt.