~ Zonja Z ~

Magjistrica

Ne meshkujt jemi qenie të çuditshme. Atëherë kur epshi na pushton, ngutemi t’i futemi në shtrat një femre, thuajse do të na ikë fryma e fundit. Por, pasi arrijmë atë që dëshirojmë, i kthejmë kurrizin dhe flemë. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë me Z-në, sepse ajo të mban në gjendje epshi të vazhdueshëm. Vetëm me fuqinë e fjalës dhe butësinë e gishtave, me disa pëshpërima të lehta në vesh e disa përkëdhelje në pjesë të harruara të trupit, ajo zgjon çdo atom, çdo qelizë, çdo shqisë dhe çdo ndjesi të trupit tim.

Nuk gaboj nëse them se ajo bën pjesë në ato femra që e meritojnë t’u thuren himne. Por, nëse do t’i thurja himne, atëherë ajo do të ishte si Laura e Petrarkës: një vegim surreal i mendjes dhe i shpirtit të poetit. Z-ja nuk është një Laurë. Ajo është një frymëzim që duhet të kërkohet përtej kufijve të fantazisë, qoftë ajo dhe fantazia e një artisti.

Artistët e vërtetë e ngjizin artin e tyre me dromca çmendurie e vërtetësie, duan edhe ëndrrën, edhe realen.  Thonë se Mona Liza – ajo që në pikturë na e jep imazhin e një gruaje të fisme – në të vërtetë ishte dashnorja e fshehtë e Da Vinçit. Ajo na shfaqet  e fshehur prapa imazhit të një bukurosheje, që sfidoi kureshtjen e Da Vinçit dhe e ngacmoi atë përtej kufijve të çmendurisë së zakonshme të tij.  Prapa qëndrimit të qetë dhe hijerëndë, fsheh vorbullën e një furtune të madhe që t’i çon peshë shqisat dhe ndjenjat. Në sytë e saj fshihet një vullkan i pasionit të virgjër, të egër, të pastër.

Ka kohë që e vras mendjen: çfarë ngacmimi të fuqishëm duhet të ketë nxitur Mona Liza, që çmendurinë artistike të Da Vinçit  ta zhvendoste përtej çdo kufiri të njohur për artistët e kohës? Besoj se ngacmimin sublim, Da Vinçi e kishte zbuluar në shtrat, i mbërthyer në kthetrat e epshndjelljes dinake të Mona Lizës.

Z-ja më thotë se këto janë dërdëllitje të miat, se jam i dhënë pas iluzioneve të lidhjes mes gruas dhe magjisë së artit, se edhe vetë atë unë e përfytyroj eterike. Ndërkohë, ajo rreket të më bindë se është tokësore, e prekshme, por për mua mbetet Mona Liza ime, magjistricë e ndjesive të mia.