~ Zonja Z ~

Lotët i mbaj për vete

(shënim i Zonjës Z)

 

Kur vjen në një moshë të caktuar dikush si unë (që ka parë, ndier dhe dëshmuar gjithë poshtërsinë dhe egoizmin e rrethit tonë) e sheh veten përballë dilemës: Të sillet në përputhje me vitet që ka; të futet brenda kallëpit të shumicës që ngre zërin për çdo gjë, me përjashtim të atyre që vërtet kanë rëndësi? Apo të sillet në përputhje me mllefin që ndien brenda vetes dhe që është mbledhur ndër vite?

Unë kam zgjedhur të dytën, sepse mendimi se mosha duhet të reflektojë qetësi dhe maturi është vetëm një maskë më shumë. Unë mund të jem e qetë vetëm atëherë kur nuk ndiej mllef brenda vetes. Pse duhet të sillem thua se gjithçka është në rregull? Apo ndoshta nga unë pritet të shndërrohem në një statujë moderne, përherë e buzëqeshur dhe që poshtë e lartë shpërfaqet me një fytyrë lavdiplotë që nga brenda ndihet e tharë?

Prej nga ka ardhur i gjithë ky mllef?

Ka filluar nga pamundësia për të ikur nga skemat e realitetit tonë, pastaj ka kaluar nëpër ëndrrat që nuk realizova kurrë dhe është vulosur nën thundrat e zhgënjimit me njerëzit e mi që kurrë s’më përkrahën.

Fantazmat e ëndrrave të mia më ndjekin në çdo hap. Kërcejnë poshtë e lart në mendjen time. Kam diçka brenda vetes që tërë kohën mblidhet të pëlcasë, saqë më duket se në çdo çast do ta bëj kapërcimin e bëftë nga heshtja e thellë te shpërthimi i furishëm.

Njeriu ka një aftësi të veçantë për t’u përplasur egërsisht me veten. Është si një luftë që mund të më lodhë, por edhe më jep një kënaqësi të çuditshme. E kuptoj se nuk jam si ato të tjerat që mbahen falë një fasade, të cilën përpiqen ta shesin si domosdoshmëri për t’u përshtatur me rrethin. Jo! Për mua, nuk ka fasadë që kryen punë dhe që mund ta shuajë vullkanin brenda meje.

Nuk je i pari që beson se ngaqë dukem e fortë, ngaqë nuk përulem para askujt, jam imune ndaj dhimbjes dhe zhgënjimit. Por nuk është kështu. Edhe unë sfidohem me situata lodhëse. Ndonjëherë kjo gjendje shkon edhe më larg saqë ndihem e padëshiruar – tepricë e botës, që nuk do t’i mungojë askujt.

Sado që të shtiren se vërtet ju intereson, askush nuk do t’ia dijë për ato që vërtet më djegin në shpirt. Të paktë janë ata që më duan ashtu siç jam vërtet. Më duan të gëzuar si një kotele që mjaftohet me pak ledhatime. Më duan të bindur si një skllave që e di se nuk ka fuqi mbi jetën e vet. Më duan të bukur si një kukull që mund ta shfaqin kudo ku u duhet. Por më duan edhe të pagojë që të mos protestoj. Të tillë më duan! Jo ndryshe!

Pa fije turpi më thonë: Bëhu e arsyeshme!

Më vjen të qesh me zë. Si nuk po e gjejnë një fyerje tjetër? Së paku diçka më origjinale. Në djall gjithçka! Jam lodhur së qeni e arsyeshme.

Ne jetojmë në një flluskë. Ky fakt është fillimi dhe fundi i çdo gjëje. Jetojmë brenda një varreze, ku jemi të varrosur për së gjalli bashkë me të gjitha ëndrrat tona.