~ Zonja Z ~

Lista

(shënim i Zonjës Z)

 

Kur je vajzë të thonë:

Një vajzë e mbarë shoqërohet vetëm me një mashkull.

Një vajzë e mbarë kthehet në shtëpi para darke, pasi është turp nëse endet rrugëve më vonë.

Një vajzë e mbarë ka marrëdhënie seksuale vetëm me atë që do të martohet.

Një vajzë e mbarë nuk pi cigare.

Një vajzë e mbarë nuk bëhet “tapë” dhe nuk shoqërohet me ata që bëhen tapë e bëjnë marrëzira.

Një vajzë e mbarë!!!

Mos ndoshta është robot?

Pastaj kur të martohesh të bëjnë me dije:

Për një grua të martuar dhe të ndershme nuk është e hijshme të ketë shokë: shok ke burrin dhe s’ke nevojë për një tjetër. Po gabove e dole për kafe me një shok, menjëherë përhapen llafe.

Një grua e martuar dhe e ndershme nuk del vetëm, aq më pak natën ose të kthehet vonë në shtëpi. Për çdo të dalë duhet t’i marrësh leje burrit dhe të mos harrosh ta cekësh orën se kur do të kthehesh.

 

Një grua e martuar dhe e ndershme zbukurohet vetëm për burrin. Nëse e mban veten më tepër seç duhet kur shkon në punë apo kur del, atëherë i bie që po zbukurohesh për ndonjë tjetër.

Një grua e martuar dhe e ndershme!!!

Mos ndoshta është e burgosur?

Ja kështu vazhdon të përpëlitet femra shqiptare. Ajo vazhdon të shihet si pronë e burrit që ka në duar fatin dhe jetën e saj. Ai e ka këtë fuqi shumë më parë se ta takojë atë. Për këtë ajo duhet të tregohet “vajzë e mbarë” dhe të qëndrojë në pritje të ardhjes së madhërisë së tij.

Unë nuk mund të duroj marrëzira të tilla, prandaj dhe kam refuzuar që të jem “vajzë e mbarë”. As që mund të imagjinoj veten si një e martuar, përderisa ndershmëria shihet vetëm në këto filtra.

E di se për këtë shumëkush më sheh si të çmendur, por mua kjo nuk më bën më përshtypje.

“Më mirë e çmendur që jeton të vërtetën, se një kukull që dehet në gënjeshtra të bukura”.

Më pëlqen shumë ky varg i yti.

Kështu jam edhe unë.