~ Zonja Z ~

Krimi i përsosur

(shënim i Zonjës Z)

 

Kam besuar se bota ishte e mirë. Kam besuar se mjafton të dëshirosh diçka dhe ajo realizohet. Kam besuar… Më pas jam zhgënjyer. Bota jonë nuk është ashtu siç e ëndërrojmë dhe as ashtu si e himnizojmë në traktatet filozofike. Fatkeqësisht, bota është e zymtë. Dhe saktësisht ashtu siç e kemi formësuar ne vetë.

Unë nuk jam as filozofe dhe as si ti, që na mbahesh si njeri i pendës dhe i mendimeve të bukura. Por ama, unë dhe të tjerët si unë, që të fuqishmit e kësaj bote na shpërfillin, kemi shumëçka për të thënë, sepse ne jemi veteranë të luftës së përditshme. Dhe pa e ndier në lëkurën tënde egërsinë që të gllabëron, askush nuk ka të drejtë t’i flasë dikujt tjetri për vështirësitë e jetës, aq më pak t’i tregojë sesi duhet ta jetojë jetën e vet.

Lufta e përditshme është një luftë shumë e vrazhdë, ku në heshtje, pa u vënë re nga askush, një njeri shqyen një njeri tjetër dhe nuk ndalet derisa t’ia nxjerrë edhe dromcën e fundit të jetës. Kjo është arsyeja pse, sa herë që del, qoftë edhe për një shëtitje të vogël, do të shohësh plot njerëz të lënduar. Nuk u sheh gjak dhe as plagë, por në sytë e tyre mund ta ndiesh se janë të plagosur në vetë thelbin e qenies së tyre. Për mua, ky është krimi i përsosur.

Dua të besoj se Zoti vërtet e ka kurorëzuar njeriun si mëkëmbës të vetin në Tokë dhe se ka një kuptim përtej ekzistencës sonë fizike. Por kjo mëkëmbësi do të duhej të kuptohej si një detyrë me shumë përgjegjësi dhe jo patjetër si pushtet; si një shtytje që të tregojmë përkujdesje dhe dashuri për çdo njeri e gjallesë tjetër. Por njeriu nuk bën ndonjë gjë të përgjegjshme, veç abuzon me pushtetin e tij, duke e vënë veten në nivelin e kafshës më grabitqare dhe më të egër që ekziston.

Grabitqarët gjithnjë janë në rivalitet me njëri-tjetrin, në një gjendje të përhershme konkurrence për çdo gjë dhe hiç gjë. Të tillë jemi madje shumë më të këqij. Prandaj nuk janë luftërat, as ndarja e njerëzve në raca, fe, gjini, popuj e shumëçka tjetër që e ka zymtuar botën. E keqja e kësaj bote mbështillet përreth mënyrës së mbrapshtë se si njeriu e kupton konkurrencën: njerëzit nuk jetojnë, por shtyhen me njëri-tjetrin. Jemi vetë përgjegjës për shkatërrimin e vetes, shoqërisë, mjedisit dhe botës. Për t’u bërë vetë më i pasur, njeriu është në gjendje të varfërojë miliona të tjerë, të shkatërrojë natyrën, të zhdukë raca të tëra gjallesash të rralla e shumë të tjera. Për të dëshmuar superioritet, njeriu është në gjendje ta hajë për së gjalli një njeri tjetër. Nuk ka kufi egërsia e njeriut. Nuk duhet të jesh shumë e mençur për ta kuptuar këtë.

“Është zbehur njerëzorja”. Kjo është përgjigja jonë për të gjitha këto, thua se ky është vetë zbulimi i madh i shekullit.

Me çfarë matet njerëzorja?

Me dashuri. Me përkujdesje. Për çdo njeri dhe për çdo gjallesë tjetër.

Nuk po them asgjë të re. Të gjitha këto ose i ka thënë dikush më herët apo secili nga ne i mendon. Po pse atëherë asgjë nuk ndryshon?