~ Zonja Z ~

Frika e vërtetë

(shënim i shkurtër i Zonjës Z)

 

Ne që nuk turpërohemi nga ndjesitë tona, ne nuk trembemi as nga skamja, as nga lufta, as nga kafshëria e jonjerëzve, por vetëm nga çasti kur nuk do të kemi dikë afër, me të cilin mund të ngushëllohemi në përqafim.

Të gjitha mund t’i bëj vetë. Mund të dal të endem rrugëve deri në mëngjes. Madje, vetë mund të përjetoj edhe orgazëm, pa pasur nevojë fare për një partner, besoj e di se gishti i mesëm ka shumë funksione dhe nuk përdoret vetëm që t’ia bësh më dije dikujt se duhet të pirdhet. Të gjitha, por nuk mund ta ngushëlloj veten time.

E urrej vetminë!

E urrej kur më del gjumi natën dhe ndiej se në errësirë zhurmon vetëm frymëmarrja ime. Por shpejt përmblidhem dhe kthehem në krahun tjetër: Ky është çmimi i lirisë sime.

Më të lehtë e kam të ndihem e trishtuar sesa ta ndiej veten pronë të dikujt. Ndoshta njeriu i duhur që unë e pres mbase mund të mos vijë kurrë. Mbase ky nuk je as ti, por unë do të vazhdoj të pres, sepse liria është e vetmja gjë që vërtet kam.