~ Zonja Z ~

Ëndrra e takimit tonë të parë

U përula si kalorës i kohëve të shkuara dhe buzët e mia prekën lehtë lëkurën e butë të dorës së saj.

Një çast i vetëm, por rrufeshëm i thellë në ndjesinë e pakohë.

U ndjeva i vogël, para hijeshisë së asaj zonje të bukur. Aty për aty, kuptova pse ndër vite e kisha adhuruar në heshtje, ende pa e njohur.

Miliona imazhe m’u vërsulën, duke më mbërthyer në dehjen e fantazisë së pakufi.

Një duet i përkorë.

Ajo e lodhur nga bukuroshët memecë, ndërsa unë i mërzitur nga kukullat e pagjak.

S’e kuptova sa zgjati ai çast, veç ndjeva kur ajo tërhoqi dorën sakaq, ndërsa unë u përpoqa të mblidhja veten.

M’u duk se dallova diçka në buzëqeshjen e saj.

Mos vallë të dy kaluam nëpër të njëjtin vegim?

Ndoshta njeriu vërtet sheh vetëm atë që zemra i dëshiron.