~ Zonja Z ~

E adhurueshmja

Z-ja është më e gjallë se çdo femër tjetër që kam takuar ndonjëherë, me gjithë luftën e ndyrë me të cilën përballet, megjithë trishtimin, që ndien sa herë që ia copëtojnë ëndrrat,. E adhuroj çmendurinë e saj. Jam i dashuruar me guximin e saj, me shkujdesjen e saj, me shpërfilljen që tregon ndaj meshkujve. Që në çastin e parë, u ndjeva i rrëmbyer nga ajo. Kishte një aromë tunduese që aty për aty më intrigonte. Pjekuria e saj! E dija se kjo pjekuri ishte gatuar me shumë përvoja dhe kjo më sfidonte, ma ngacmonte thelbin e burrërisë dhe turfulloja duke ndier një epsh që mezi priste të shpërthente.

Mos mendo se me fjalën “përvoja” jam duke nënkuptuar telashet dhe sikletet e jetës. E kam fjalën për të pathënat e të papranuarat e shoqërisë sonë ndaj një gruaje të re. Z-ja ka pasur shumë partnerë në jetën e saj dhe, në rrethanat tona të ngurta, ku forma vlen më shumë se përmbajtja, kaq mjafton që përgojuesit dhe hipokritët ta shpallin lavire.  Z-ja është e drejtë. Madje shumë më e drejtë dhe më e sinqertë se ato puritanet e zhurmshme që orë e çast shesin moral për pak qindarka.

Z-ja nuk mbledh supet, nuk ul sytë apo nuk luan rolin e virgjëreshës. Ajo nuk ndihet në siklet përballë askujt. Meshkujve, që i kalojnë pranë, u hedh një shikim të plotë, pa iu dridhur qerpiku. Ajo nuk i bishtnon shikimet, ashtu siç bëjnë rëndom ato “të ndershmet”, por me sigurinë e saj imponon respekt dhe çarmatos çdo Don Zhuan të sigurt në vetvete.

Nëse dikush i pëlqen ajo vetë ia dëfton rrugën. Dhe të gjithë, të pashëm e të pushtetshëm, të famshëm, artistë dhe sportistë, të moshuar dhe të rinj, që të gjithë i kanë shkuar pas. Si kaproj krenarë i kanë ndjekur shenjat drejt e në krevatin e saj me bindjen se do të bënin namin e do të dëshmonin veten si hamshorët e shekullit. Shumë pak prej tyre e kanë pasur një rast të dytë.

Vendosmëria e Z-së e bën atë edhe më tërheqëse. Pushteti i saj surreal, i cili imponohet falë qëndrimit të saj, i harlis meshkujt. Afshi i Z-së, i egër dhe në pamje të parë i papërmbajtshëm i ndez meshkujt si dema të harbuar, por stonon me fytyrën e saj të bukur që ngjan me ikonat e shenjtoreve. E shajnë dhe e përgojojnë, por, në të njëjtën kohë, të gjithë ëndërrojnë ta shohin veten në shtratin e saj.

Asnjë prej tyre nuk ka kuptuar se Z-ja nuk donte një hamshor, por dikë që do ta përfshinte, si në mendje ashtu edhe në trup. Ajo nuk donte seks pa ndjenjë përjetësie, prej dashnorëve që marrin dhe nuk japin asgjë. Ndihej e zhgënjyer. E zhgënjyer me gjithë gjininë mashkullore për të cilën kishte humbur respektin. Me kalimin e kohës, re të zeza të trishtimit filluan ta errësojnë qiellin e saj. Ishte errësira e trishtë e mungesës së dashurisë. Ajo nuk kishte nevojë vetëm për dikë që ia plotësonte nevojat materiale. Kujdes të tillë marrin edhe kafshët e mbyllura në kopshtin zoologjik. Ajo kishte nevojë për dashuri dhe për besim në fuqinë e ndjenjave dhe të mendjes së saj.