~ Zonja Z ~

Delikatesë dhe helm

(shënim i Zonjës Z)

 

Mbrëmë ti më tregove për një ngjarje të shëmtuar që të kishte rastisur në një nga pub-et e metropolit.

Një çift kishte përfunduar në grindje dhe ulërima pasi djali ishte bërë nervoz që meshkujt e tjerë e sodisnin të dashurën e tij. Sipas teje ata nuk kishin pasur faj, pasi ajo vërtet ishte e bukur dhe nuk mund ta kuptoje pse çifti ishte grindur për diçka të tillë.

Meshkujt shqiptarë e kanë shumë të vështirë t’i përballojnë situatat ku të tjerët ua sodisin gratë apo të dashurat e tyre. Natyrisht nuk po flas për ato situatat e sikletshme kur kemi të bëjmë me shikime të pashqitshme që vërtet të bezdisin e për të cilat shqiptarët dinë të jenë ekspertë, por vetëm për ato raste kur njerëzit të sodisin thjesht për admirim. Reagimet e pamatura të meshkujve nuk janë gjë tjetër veçse shprehje e pasigurisë së tyre, pasi është budallallëk të mendosh se mjaftojnë disa shikime nga dikush që një femër të trulloset. Një qasje tillë është shumë fyese e nënkupton një mendim shumë të ulët për femrën. Çfarë qenka ajo nëse u mjaftoka me kaq? E çmendur, budallaqe naive apo e përdalë? Për më tepër, nëse ai mendon që ajo mund të jetë e tillë, atëherë pse rri me të?

Sa herë kam dëgjuar fjali të tilla si “xhelozia është shumë e përhapur ndër shqiptarë” apo “xhelozia është tipike për shqiptarët”! Këto mbase dhe janë të vërteta, por janë të vërteta për shqiptarët, po aq sa edhe për të gjithë popujt e tjerë.

Disa, thonë se xhelozia është sëmundje, veti e njerëzve të ligë, shprehje e një karakteri të ulët dhe shumë e shumë të tjera. Moralizime të kota! Të gjithë jemi të njëjtë.

Njeriu është xheloz në gjithçka duke filluar nga dashuria e deri te suksesi i tjetrit. Kjo e bën atë të vuajë në një ankth të pafund.

A e di pse?

Dyshimi i vazhdueshëm që është motori kryesor i xhelozisë, nëse kthehet në filozofi të jetës, është ftesë për vuajtje.

Në shprehjen e xhelozisë së tyre, meshkujt janë brutalë, një mllef që mblidhet dhe shpërthen në një shfryrje të egër dhe herë-herë edhe të përgjakshme. Ndërkaq femrat janë më dinake dhe këmbëngulëse, ajo në vazhdimësi, si një qukapik, i troket mashkullit në kokë dhe nuk heq dorë nga qëllimi i saj.

Mendoj se xhelozia nuk është gjë tjetër veç shprehje e mungesave tona.

Ti më pyet se a jam xheloze?

Unë jam e çmendur.

Ti po qesh me mua, por edhe unë jam qenie me mish e kocka. Mashkullin tim e dua vetëm për vete dhe nëse është nevoja, do ta çmend duke i trokitur vazhdimisht në kokë. Kohë pas kohe do t’ia fus thonjtë në pjesët e buta të trupit, do të shtrëngoj dhëmbët, do të bërtas, do të qaj, por asnjëherë nuk do ta lëshoj.