~ Zonja Z ~

Botë më vete

(shënim i Zonjës Z)

 

Më pëlqen kur më thonë “ti je botë më vete”, edhe pse e di se nuk është një kompliment. “Ti je botë më vete”, ashtu siç e mendojnë ata, do të thotë “ti je e çmendur”. Nuk jam e çmendur. Nuk dua t’ia di se çfarë mendojnë të tjerët. Fundja ata nuk dinë gjë tjetër pos të bëjnë një milion pyetje: Pse kështu? Pse ashtu? Pse pafund. Asgjë tjetër. Duan vetëm të shuajnë kureshtjen e tyre. Nuk është se mërziten vërtet për mua a për dikë tjetër. Njerëzit janë të shurdhër ndaj dhimbjes shpirtërore. Sot çdo gjë është vetëm interes. Ndoshta kështu ka qenë gjithnjë.

Jam botë më vete, por nuk do të thotë se jetoj jashtë saj. Mjaftojnë disa kujtime, që më përcjellin vrazhdësinë e jetës dhe egërsinë e njeriut, që dita të më erret. Prandaj dua që t’i zbeh kujtimet dhe ta harroj të shkuarën time, thjesht dua t’i fshij të gjitha. Ndonjëherë më duket se ia dal, se vërtet nuk mbaj mend asgjë. Kam ndjesinë se vetëm JAM dhe se asnjëherë nuk kam jetuar për së vërteti. Ndihem e lirë, jetoj brenda një ëndrre ku mjafton vetëm të zgjohem për t’u liruar nga çdo ankth. Për aq sa zgjat kjo ndjesi pyes veten nëse gjërat që kanë ndodhur, më kanë ndodhur mua apo dikujt tjetër?

Por, pavarësisht se më pëlqen të jetoj pa fantazmat e së shkuarës, e di se kjo s’është e drejtë. Ne jemi ata që jemi, pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve tona. Sa herë që përpiqemi ta amputojmë të shkuarën, nuk bëjmë gjë tjetër pos që amputojmë një pjesë të shpirtit tonë, duke zënë peng të ardhmen.

Në fund të fundit, sikur të mos ishin kujtimet, nuk do të kishim çfarë të tregonim. Sikur të mos ishte e shkuara, nuk do të dija se çfarë të ardhmeje të dëshiroja. Sikur mos ta kisha provuar egërsinë e botës, nuk do të dija të kërkoja një botë më të mirë, një botë ndryshe, një botë pa dhimbje.