~ Zonja Z ~

Aroma e skandalit

Secili nga ne ka një botë të vetën të fshehtë. Një realitet intim të fshehur prapa maskave të përkorjes: për të ka nevojë shpirti ynë. Një pjesë imagjinare e parajsës, ku fshihemi sa herë që lodhemi nga të jetuarit. Ajo që për artistin është amshueshmëri e shprehur në një imazh të vetëm, për njeriun e thjeshtë është bota e tij e fshehtë, sepse vetëm aty mund ta jetojë të bukurën dhe të përtërihet.

Si magjistricë që është, Z-ja e di se e vetmja mënyrë për ta nxjerrë në pah këtë botë është të shohim përtej projeksioneve dhe maskave tona, sado të përkora qofshin ato. Një çelës që të hap këto dyer të nënvetëdijes është lënia e lirë e imagjinatës.

Z-ja jo vetëm që ta çliron fantazinë, por edhe ta tregon rrugën drejt guximit të domosdoshëm për ta jetësuar atë. Kushdo që ka provuar ta bëjë këtë e di se kjo qasje na sprovon pikërisht me ato gjëra dhe situata, prej të cilave jemi shmangur tërë jetën. Kësaj i thonë ta jetosh çmendurinë dhe të jesh i lumtur për këtë. Së paku për aq kohë sa zgjat, sepse asgjë e  bukur nuk zgjat përgjithmonë.

“Skandali është një parfum që ta nxit imagjinatën dhe ta gjallëron shpirtin”, – është formula e Z-së. Kush nuk e kupton këtë le ta bëjë krahasimin në mes të bërit seks në një dhomë të errët ku nuk mund të të shohë askush, dhe të bërit seks në ashensor ku në çdo çast mund të futet dikush tjetër. Padyshim, seksi në dhomën e errët është më komod, por ai në ashensor është ndryshe. Është epshor, i pisët, i ëmbël dhe në të njëjtën kohë, është edhe i trishtë pasi kjo ndjesi e çmendur mund të përjetohet vetëm njëherë.