~ Rebelimi i Lúlus ~

Tragjedia e vdekshmërisë sonë

Nuk dua që përjetësisht të jem pjesë e brezit që vazhdimisht duhet të sakrifikojë për diçka, gjithnjë në pritje të pafund për një të ardhme më të mirë.

Prindërit tanë, së paku, sakrifikonin për diçka në të cilën besonin dhe kjo u jepte durimin që ta prisnin lirinë, të bindur se kjo do të mjaftonte që të na hapte dyert e një jete më të mirë. Ndërkaq, nga ne kërkohet që të sakrifikojmë për gjëra që as nuk i kuptojmë mirë dhe që nga larg kundërmojnë mashtrim dhe shfrytëzim.

Të gjitha peripecitë tona jetësore, përfshirë edhe ato më themeloret, kanë një potencial të çuditshëm që të interpretohen si pjesë të disa proceseve të rëndësishme, disa madje cilësohen edhe si historike, për të cilat brezi ynë duhet të sakrifikojë. Është shumë ironike edhe kjo: ne jemi një nga popujt më të lashtë (që do të duhej të nënkuptonte një histori të gjatë) por, në të njëjtën kohë, jemi edhe populli që, edhe në këto ditët tona, përjeton më së shumti “procese historike”. Te ne, tani në kohën kur njerëzimi po mendon se si të kolonizojë trupat e tjerë qiellorë, prerja e shiritit të një rruge të re, të një ujësjellësi apo rrjeti kanalizimesh, është diçka historike!

Nuk di nëse këta, promovuesit e këtyre proceseve të pafundme historike, janë të vetëdijshëm për tragjedinë e vdekshmërisë sonë? A e dinë ata se sa e shkurtër është jeta e njeriut dhe se njeriu thjesht nuk ka kohë që t’i mbërrijë të gjitha? Nuk dua të tregohem cinik, por çfarëdo procesi historik, edhe nëse zgjat për një shekull të tërë, në fund, në një libër historie, do të zërë vetëm disa faqe. Në sakrificën e një brezi të tërë, në këto pak faqe historie, individi i paemër përfaqësohet me një pjesëz mikroskopike nga një presje. Jeta ime, por edhe e kujtdo tjetër, vlen shumë më shumë sesa kjo pjesëz e një presjeje.

(Lulu)

Askush nuk ka më të drejtë që të kërkojë nga ne të sakrifikohemi për çfarëdo, pa qenë më parë të sigurt se frytet e kësaj sakrifice do të mund t’i shijojmë para se jeta të na ketë ikur nga duart.

Këta që janë mbi ne dhe që përfitojnë mbi logjikën tonë të (vetë)sakrifikimit të vazhdueshëm, nuk duan që ne ndonjëherë të bëhemi të vetëdijshëm për atë se, në dallim nga prindërit tanë, ne mund të zgjedhim që të refuzojmë. Ne mund dhe duhet të rebelohemi!