~ Rebelimi i Lúlus ~

Personazhe në një “reality show” masiv

Kur qeverisja zëvendësohet me marrëdhënie të përhershme me publikun, qeveritarët kthehen në personazhe televizive, ndërsa debati politik për konceptet ideologjike zëvendësohet me propagandë të pastër. Në një situatë të tillë, ajo që do të duhej të ishte transparencë e mirëfilltë, bazë e shëndoshë për një llogaridhënie qytetare, shndërrohet në një reality show të përmasave masive, që ka për qëllim menaxhimin e emocioneve të njerëzve, në mënyrë që ato, në mënyrë konstante, të qëndrojnë nën pikën e vlimit. Shndërrimi i emocioneve të njerëzve në instrument politik e mposht mendimin racional dhe e fuqizon instinktin në një mekanizëm dominues, por që mund të kontrollohet fare lehtë me telekomandë.

Ata që janë në majë të piramidës së sundimit, por edhe ata që synojnë të ngjiten atje, kurojnë imazhin e tyre, një sipërmarrje e përhershme për të fshehur dobësitë dhe paaftësitë e tyre. Falë kësaj, edhe pse nuk kanë asnjë plan konkret dhe real për të zgjidhur ndonjë nga problemet tona, ata tërë kohën lënë përshtypjen e tipave plot energji dhe oratori. Autokratë, por karizmatikë. Duhet pranuar se janë shumë të suksesshëm në këtë angazhim, pasi, edhe pse kanë shumë pak rezultate konkrete me të cilat mund të mburren, ata vazhdimisht gëzojnë përkrahje të madhe popullore.

(Lulu)

A thua, vërtet ne nuk mund të organizohemi pa pasur një dorë të fortë që të na udhëheqë?

A thua, vërtet jemi të paaftë të ndërtojmë demokraci funksionale, prandaj duhet që me patjetër të mbështetemi te kulti i liderit?

Nuk dua të shfajësoj askënd dhe as nuk dua t’i bishtnoj përgjegjësisë sonë, por nuk duhet harruar se duke jetuar në izolim (herë të detyruar e herë të vetimponuar), jemi tjetërsuar në një tip njeriu që mund të ekzistojë vetëm brenda hapësirash të vogla dhe të mbyllura. Kështu siç jemi sot: të kërrusur, të thyer, të zemëruar, të fyer nga përçmimi që na bëhet, por edhe të pafuqishëm për të kundërshtuar, nuk e di nëse vërtet ekzistojmë apo vetëm frymon një hije e jona. Mendoj se është kjo e dyta, sepse, në mënyrë të pavetëdijshme, duam të zëmë sa më pak vend në këtë hapësirë ashtu e kështu të vogël.

Emëruesi i përbashkët i të gjitha zhgënjimeve tona janë padronët e këtij izolimi, të cilët nuk duan që edhe ne të bëhemi pjesë e botës vërtet të lirë, sepse atëherë do të humbiste kuptimi i rëndësisë së tyre. Ata, me çdo kusht, duan të vazhdojnë të jenë njerëz të mëdhenj, qoftë edhe në hapësira të vogla. Që ironia të jetë më e madhe, janë po këta që nuk dinë ta heqin nga goja rrëfenjën për ëndrrën tonë evropiane dhe, pa pikë fytyre, edhe këtë përpiqen të na e shesin si një premtim. Dhe, njëlloj si me çdo gjë tjetër nga menyja e tyre e premtimeve boshe, edhe kjo është vetëm dekor. E dinë shumë mirë se ata vetë janë pengesa që pamundëson realizimin e kësaj ëndrre, prandaj në mënyrë të vazhdueshme na mbajnë në gjendje tensioni, psikoze dhe frike se mund të bëhet edhe më keq. Të kurthuar në këtë gjendje të indiferencës apatike, ku nuk kemi fuqi as për mllef dhe as për keqardhje, nënshtrohemi para iluzionit tiranik se ky realiteti ynë, që menaxhohet nga të fortët tanë, është realiteti i vetëm i mundshëm, prandaj shohim vetëm dy zgjedhje: heshtjen dhe mosreagimin apo ikjen nga këtu.

Më komikja në të gjithë këtë është se kritikuesit më të mëdhenj të kësaj mënyre udhëheqjeje dhe menaxhimi të jetëve tona (pra, ata që e deklarojnë veten si opozitë) janë njëherësh edhe mbrojtësit e saj më të mëdhenj. Edhe këta të opozitës nuk duan që ne të çmësohemi me këtë tirani të iluzionit, prandaj, kur e kritikojnë pushtetin, këtë e bëjnë me shumë kujdes, në mënyrë që të mos rrënohen rrjetat dhe polet e fuqisë joformale, ngaqë, sipas kalkulimeve që bëjnë, iu del se po të njëjtat gjëra do t’iu duhen nesër kur të vijnë në pushtet. Nuk duhet shumë mend për ta kuptuar se edhe opozita, si një forcë dhe koncept alternativ, ka kuptim vetëm përballë një pushteti institucional dhe jo përballë pushtetit të personalizuar. Kjo është arsyeja pse, gjatë rotacionit të pushtetit nga një krah në krahun tjetër të spektrit politik, nuk ndryshon asgjë thelbësore.

Si shumë gjëra të tjera që në botën e tyre ekzistojnë vetëm në letër, elita jonë politike (pozitë dhe opozitë bashkë), edhe demokracinë e do vetëm si emër. Ajo synon një demokraci pa qytetarë, një demokraci ku qytetari hesht ose bën zhurmë vetëm atëherë kur kjo kërkohet nga ai. Në të vërtetë, elita jonë politike ka dëshirë që ne, funksionin tonë si qytetarë ta kuptojmë vetëm si pjesëmarrje në zgjedhje.

Kjo elitë politike e do qytetarin të tërhequr, një tip që shikon punët e veta dhe nuk bën shumë pyetje. Dhe ne ua japim pikërisht këtë, sepse përditshmëria jonë është e trazuar me tërmete të vogla (origjina e së cilave nuk është nën tokë, por vjen nga lart, atje ku vazhdimisht provokohen konflikte me intensitet të lartë, por me kohëzgjatje të shkurtër), që na mbajnë tërë kohën të shqetësuar dhe në gjendje ankthi. Madje, nuk gaboj nëse them se kemi krijuar varësi nga këto ankthe individuale dhe kolektive, njëlloj si nga telenovelat me qindra episode.

Besoj se tani e ke të qartë: pavarësisht se si dikush ka dëshirë ta emërtojë veten, e vërteta është se jemi vend pa opozitë!

Nuk është nevoja që të gjithë të studiojmë shkencat politike për të kuptuar se “opozitë” nuk të bën vetëm deklarimi kundër pushtetit. Opozita paraqet tërësinë e potencialit alternativ për ta çuar vendin përpara dhe jo vetëm potencialin për të marrë pushtetin. Nuk dëshiroj të them se opozita jonë nuk ka potencial për ta çuar vendin përpara (sepse atëherë do ta ushqeja edhe unë mitin e rremë se te ne nuk ka njerëz të mençur dhe të mirë), por kam shumë të drejtë të dyshoj në qëllimin e saj të vërtetë: ta çojë vendin përpara, apo vetëm të marrë pushtetin?

Kjo pjesë e elitës sonë politike, që e deklaron veten si opozitë, nuk mund t’i ikë pjesës së vet të përgjegjësisë për atë që sot, përveç ndarjes në klasa sociale, shoqëria jonë është e ndarë në grupin e atyre që vetëm heshtin dhe në grupin e atyre që vetëm bërtasin. Por në fund, rezultati është i njëjtë: pakkush e kupton se veprimi qytetar është diçka më shumë sesa përkatësia ndaj një grupi të caktuar apo pjesëmarrja në zgjedhje dhe protesta, sa herë që kjo të kërkohet.

(Lulu)

Besoj më kupton pse kam shumë pak besim në deklamimet që mund t’i hasim poshtë e lart, se ka ardhur koha për zgjim qytetar. Zgjimi i qytetarëve që, sipas tyre, do të duhej të shkundte themelet e këtij sistemi, është i pamundur, përderisa synohet që kjo të ndodhë mbi bazën e platformave aktuale që, në një formë apo tjetrën, fillimisht janë filtruar nga elitat tona. Thjesht ato janë të konsumuara dhe çfarëdo përpjekjeje që bëhet në emër të tyre ka rrezik të degradojë në një satirë popullore, ku të gjithë ata do të qeshin, por jo ne.