~ Rebelimi i Lúlus ~

Nata mes së martës dhe së mërkurës

(Lulu)

E mban mend çastin kur shijove gllënjkën e parë të qumështit të nënës? E di ç’shije ka?

Para disa ditësh pashë një dokumentar në TV, ku thuhej se të gjitha foshnjat, gjatë shijimit të gllënjkës së parë, rrudhin buzën, thuajse nuk u pëlqen. Që nga ajo ditë, kjo hollësi më është fiksuar në mendje dhe tërë kohën përpiqem ta imagjinoj veten si një foshnjë të porsalindur që po shijon gllënjkën e parë të qumështit. Me siguri, edhe unë i kam rrudhur buzët.

Jam i sigurt se menjëherë do të kem ndier se diçka nuk ishte në rregull me këtë botë ku isha degdisur. Tani e di se gllënjka e parë simbolizon shijen e botës së re, që fillimisht ishte një shije shumë e hidhur, por me të cilën duhej medoemos të mësohesha.